Shtetasve rusë u janë refuzuar shërbime bankare në Shqipëri, por rusofobia mbetet e ulët
Konflkti i Rusisë me Ukrainën është reflektuar në marrëdhëniet e Shqipërisë me Rusinë. Ambasadori rus në Tiranë, Alexey Anatolyevich Zaitsev, në një intervistë me agjencinë ruse të lajmeve "Ria Novosti", analizon ndryshimet që kanë pësuar raportet mes dy vendeve. Sipas tij, dialogu normal politik dhe diplomatik me Tiranën ka ngecur dhe te shqiptarët përcillet kryesisht narrativa e Perëndimit në lidhje me konfliktin, që në këndvështrimin e ambasadës ka deformuar perceptimin e audiencës.
Përmes llogarive tona në rrjetet sociale, si dhe përmes mediave shqiptare në rastet kur ka një mundësi për të përcjellë këndvështrimin tonë tek audienca e padeformuar. Vërehet një rritje graduale e kërkesës nga shqiptarët e thjeshtë për pasqyrim objektiv të tablosë botërore.
Sipas Ambasadës Ruse në Tiranë, në regjistrin konsullor të misionit diplomatik aktualisht janë rreth 400 persona, ndërsa numri real i qytetarëve rusë në Shqipëri është shumë më i lartë. Zaitsev shprehet se ndryshe nga shumë vende të tjera europiane, "rusofobia e përditshme nuk është aq e theksuar në Shqipëri, megjithëse Ambasada ka dijeni për raste kur shtetasve rusë u janë refuzuar shërbime bankare dhe të tjera këtu vetëm për shkak të kombësisë".
Ftohja e marrëdhënieve me Tiranën zyrtare, që Zaitsev thekson se nuk e ka inciuar Rusia, ka sjellë pasojat e veta edhe në bashkëpunimin ekonomik.
Qarkullimi tregtar dypalësh, sipas tij, në vitin 2023 u ul ndjeshëm, duke arritur nivelin më të ulët të pesë viteve prej rreth 46 milionë dollarë, nga të cilat më shumë se 95% janë eksporte ruse. Shqipëria vijon të importojë nga Rusia produkte si drithërat (rreth 23 milionë dollarë amerikanë gjatë 2023-shit), plehrat (16.5 milionë dollarë amerikanë), si dhe hekuri, çeliku dhe nafta.
Në një perspektivë më të gjerë, Zaitsev e sheh Ballkanin Perëndimor si shembullin më të qartë të “ambicieve neokoloniale të Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, të cilat përdorin rajonin në lojërat e tyre gjeopolitike dhe promovojnë aktivisht ideologjinë e përqendrimit në NATO, e cila është e rrezikshme për paqen dhe stabilitetin rajonal, dhe kërkojnë të nënshtrojnë elitat lokale, duke shkatërruar sovranitetin e shteteve ballkanike. Ka shumë shembuj për këtë”.
Duke u ndalur te Kosova, ai thotë se në procesin e dialogut Prishtinë-Beograd, "Uashingtoni dhe Brukseli kanë ndjekur të njëjtin qëllim - ta çojnë zgjidhjen përtej bazës së vetme ligjore - Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për ta detyruar Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës. Perëndimi po ushtron presion mbi Beogradin, duke spekuluar mbi temën e perspektivës evropiane, por zgjidhjet e imponuara janë jetëshkurtra".
Hapja e bazës së re të NATO-s në Kuçovë, sipas Zaitsev çon vetëm në një "intensifikim të mëtejshëm të tensionit tashmë të paprecedentë ushtarako-politik në Evropë dhe një rritje të pakontrollueshme të rreziqeve të sigurisë".
Duke iu referuar shifrave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, ai thotë se në muajt e parë të konfliktit, në Shqipëri kanë mbërritur rreth 32 mijë shtetas ukrainas. Por më pas numri i tyre është ulur ndjeshëm. Ndërsa qeveria ka vendosur zgjatjen e lejes së qëndrimit për shtetasit ukrainas me një vit - deri në pranverën e vitit 2025, Zaitsev thotë se nuk ka asnjë masë specifike të autoriteteve ndaj meshkjuve ukrainas në moshë për shërbim ushtarak.
Në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Zaitsev thotë se për shumë vite shqiptarët janë "tërhequr nga hunda", kjo sepse BE vë gjithmonë të parat interesat e veta strategjike.
Sipas mendimit tonë, dinamika e integrimit të Shqipërisë në BE do të vazhdojë të përcaktohet nga Brukseli, në radhë të parë nga objektivat e tij strategjikë. Dhe këtu interesat e perëndimorëve dhe shqiptarëve nuk përkojnë gjithmonë. Për shembull, në sfondin e stagnimit të procesit integrues të Shqipërisë, e cila prej dhjetë vitesh po kryen të gjitha reformat në shkallë të gjerë që i janë përshkruar, në dhjetor 2023, për arsye thjesht politike, u mor vendimi për nisjen e negociatave për anëtarësimin në BE për Ukrainën dhe Moldavinë, të cilat ishin krejtësisht të papërgatitura për ta.
Pavarësisht këtyre, sipas Zaitsev, ka diçka që nuk ka ndryshuar te raporti i shqiptarëve me Rusinë.
Shumica e popullsisë së vendit, veçanërisht brezi i vjetër, mbetet i interesuar për kulturën ruse. Kështu, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë dhe në ambiente të tjera mbahen koncerte muzikore në shtëpi të plota, gjatë të cilave muzikantë interpretojnë vepra të P.I Tchaikovsky, N.A. Rimsky-Korsakov dhe kompozitorëve të tjerë të famshëm. Repertori i trupave të baletit shqiptar përfshin prodhime të tilla si “Liqeni i Mjellmave”, “Arrëthyesi” etj.
Sipas tij, i njëjtë mbetet edhe interesi për të mësuar gjuhën ruse.
Ashtu si më parë, aplikantët shqiptarë janë ende duke u rekrutuar çdo vit për të marrë bursa nga Qeveria e Federatës Ruse për arsim falas në universitetet kryesore ruse.
Mungesën e një force politike shqiptare që mbron normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë, ambasadori rus e shpjegon me “frikën e rënies nën një breshëri kritikash dhe etiketimit si “agjent rus”.
Akuzat e hedhur herë pas here për financim të mediave apo përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhje, ai I hedh poshtë si pretendime të pabazuara.
Vendi ynë akuzohet pa prova jo vetëm për financim të mediave të huaja dhe partive politike, por edhe për përpjekje për të ndikuar në proceset zgjedhore.
Add new comment