OKB miraton Paktin për të Ardhmen
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi të dielën Paktin për të Ardhmen, një tekst 42 faqesh që përcakton sfidat me të cilat do të duhet të përballet komuniteti ndërkombëtar për një të ardhme paqeje dhe prosperiteti. Dokumenti është rezultat i një negocimi që filloi nëntë muaj më parë dhe u udhëhoq nga Gjermania dhe Namibia.
Pakti, i cili përfshin një seksion mbi të ardhmen dixhitale të përgjegjshme dhe të qëndrueshme (Global Digital Compact) dhe një deklaratë për gjeneratat që vijnë, mbulon një gamë të gjerë temash, 56 në total, duke përfshirë paqen dhe sigurinë, varfërinë, zhvillimin, ndryshimet klimatike, bashkëpunimin dixhital, sigurinë kibernetike, të drejtat e njeriut, fuqizimin e grave dhe të rinjtë. Një kapitull i veçantë u kushtohet reformave të qeverisjes globale nga të cilat varet e ardhmja e organizatave ndërkombëtare dhe e familjes së madhe të vendeve që përbëjnë OKB-në. Ndër çështjet prioritare në këtë fushë është zgjerimi i Këshillit të Sigurimit, i kërkuar veçanërisht nga vendet afrikane në emër të një përfaqësimi më të madh në tryezën e OKB-së që vendos për çështjet e luftës dhe të paqes.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, miratimi i Paktit është një pikë kthese që mund ta shpëtojë "multilateralizmin nga humnera" duke e bërë atë më "efektiv, gjithëpërfshirës dhe të ndërlidhur". Tani, shtoi ai, nevojiten "veprime konkrete" në secilën nga linjat e treguara në dokument, duke filluar me armëpushimin në konfliktet "që përçajnë botën".
Marrëveshja përfshin një paragraf mbi angazhimin për çarmatimin: "jo" për energjinë bërthamore, kufizime në garën e armëve në hapësirë dhe rregulla më të rrepta për përdorimin e të ashtuquajturve "robotët vrasës", pajisje ushtarake që mund t’i zgjedhin dhe t’i sulmojnë objektivat pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të njeriut, si p.sh. dronët.
Aneksi dixhital sërish propozon krijimin e një paneli të pavarur shkencor brenda Kombeve të Bashkuara, përgjegjës për vlerësimin e inteligjencës artificiale, rreziqet dhe potencialin e saj. Objektivi është të fillojë një debat mbi qeverisjen e AI, i hapur për qeveritë, kompanitë e teknologjisë, shoqërinë civile dhe akademinë, për të përcaktuar norma dhe standarde të përbashkëta etike.
Drita jeshile për tekstin nuk ishte e sigurt. Zëdhënësja e OKB-së, Stephane Dujarric, tha se kishte aq shumë pasiguri sa Guterres kishte përgatitur tre fjalime të ndryshme, në varësi të rezultatit të diskutimit: një për miratim, një për refuzim dhe një për bllokim.
Add new comment