Jermi i sigurisë në Kosovë, pasojë e politikës së Perëndimit
Dy ditë pasi Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për 45 persona të përfshirë në sulmin e Banjskës më 24 shtator 2023, në Veri janë shfaqur banera dhe pamflete që bëjnë thirrje për dhunë dhe provokime. Mediat në Kosovës shkruajnë se policia ka nisur hetimet, ndërkohë që nga Beogradi, kryeministri Milosh Vuçeviç ka deklaruar se Serbia do të marrë masa për paqen dhe sigurinë e serbëve në Kosovë.
Duke konsideruar si element të politikës së sigurisë vetëm serbët e Kosovës, në parim dhe në thelb Serbia njofton se ka hequr dorë nga Kosova siç e pretendon zyrtarisht dhe se lufotn ose për enklavizimin e saj, ose për sigurime specifike për pakicën serbe që shkojnë deri në atribute të mjaftueshme për destabilizim.
Vijmë pra në këtë pikë për shkak të lëshimeve të njëpasnjëshme që iu bënë Serbisë nga Perëndimi, i cili toleron madje që pavarësisht pranisë ushtarake, pranon si normë kërcënimin teorik ushtarak nga Serbia! Akuzat e vazhdueshme të Perëndimit – tashmë në bllok – ndaj Prishtinës zyrtare kanë prodhuar një lloj izolimi të qeverisë së Kosovës, izolim i cili është i rrezikshëm.
Së pari në planin e brendshëm, çdo qeveria që do të ndryshonte kurs menjëherë do të akuzohej për gjunjëzim dhe populizmi do të hynte në veprim.
Po kështu, shoqëria e Kosovës, për mirë apo për keq, po mëson tashmë se aleatët apo partnerët janë aty për interes dhe faza emocionale e pavarësisë po kapërcehet.
Së dyti, është e qartë për këdo në Ballkan se angazhimi i Perëndimi ka ndryshuar cilësisht dhe loja e demokracisë është tanimë një formalitet që i ka mbetur nëpër këmbë të gjithëve. Që nga Pranvera Arabe, beteja e të drejtave nuk ndez më veçse si operacion subversiv. Mjafton të shoim sesi Gjeorgjia po lihet në mëshirën e fatit. Më saktë demokracia e saj.
Vetë NATO nuk përbën më një garanci efektive sa kohë që shtetet anëtare po ndjekin politika të dallueshme nga njëra-tjetra dhe rasti i Gazës është më i qarti. Pak kohë kërkon që dallimi të kalojë në antagonizëm, ndërkohë që alibia se “Kosova duhet të rrijë urtë sepse tani kemi luftën në Ukrainë” nuk mban më pasi Perëndimi nuk e di se çfarë do të ndodhë në Ukrainë dhe se për çfarë po luftohet aty më. Pa mohuar faktin se askush deri më tani nuk artikuluar se çfarë ndodh dhe si do të reagohet nëse Rusia merr Donbasin, legalizon me forcë territorin e ri, pastron rajonin e Kurskut dhe pastaj vazhdon shikon filmin dokumentar: Ne dhe Ata!
Është po ashtu paradoksale në kulm kur vjen puna për mbështetjen e njerëzve të korruptuar në Ballkan nuk ka asnjë lëvizje efektive, veç raporteve zyrtare që janë llafe të firmosura në letër. Paradoksi është se arrestimet e fundit për korrupsion po ndodhin në Rusinë e Putinit, akuzuar përherë si shumë i korruptuar.
s.zaimi
Add new comment