Ambasadori gjerman në Kosovë: Tani nuk bëhet fjalë për hapjen e urës mbi Ibër

Postuar në 24 Gusht, 2024 17:32

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka përsëritur qëndrimin e shtetit gjerman për hapjen e Urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Rohde ka thënë se situata aktuale e sigurisë nuk është në favor të hapjes së kësaj ure, ani pse ka një marrëveshje të arritur kohë më parë për këtë. Ai po ashtu ka thënë se ka rrezik për tensione, nëse ura hapet.

Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës. Natyrisht, ne kemi të njëjtat qëllime si ato të Qeverisë, që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen. Dhe, ka edhe një vendim nga këto marrëveshje që duhet zbatuar, është marrëveshja e arritur për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Por, koha nuk është tani, e dini, ka rrezik për tensione atje”, ka thënë ai për televizionin publik.

Ambasadori gjerman ka shtuar se duhen konsultime mes Qeverisë së Kosovës dhe Perëndimit dhe se Ura e Ibrit mund të hapet vetëm atëherë kur vlerësohet se ka siguri për të ndodhë kjo gjë.

Tani duhet të ketë një proces, duhet të ketë konsultime, por për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar Qeverisë.  Për mua është e qartë se ura duhet të hapet por kemi nevojë për dialog mes Qeverisë me Perëndimin, vlerësimi i situatës së sigurisë aktualisht e bën të qartë se nuk është momenti për të hapur urën. Për sa kohë mendojmë se nuk është momenti i duhur për t’u hapur ura, duhet të qëndrojmë në situatën aktuale”, ka deklaruar tutje ai.

Një ditë më herët, Rohde u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Sipas njoftimit të Qeverisë, “në takim u bisedua për marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin në projektet zhvillimore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe për zhvillimet dhe temat aktuale në vend”. Në javën e dytë të gushtit, autoritetet e Kosovës nisën testimin e urës në kuadër të planit për hapjen e saj për qarkullim për vetura. Plani ishte kundërshtuar nga shtetet partnere. Pas reagimeve, Kurti kishte thënë se do të vazhdojnë diskutimet dhe koordinimin për këtë çështje.

Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.