Amerika nuk di gjë
Dy ngjarjet ndërkombëtare të kohëve të fundit, kanë evidentuar një zhvillim të ri në sferën politike që është jo pa rëndësi. Vrasja e kreut të Hamasit, Ismail Hanniyeh në Teheran dhe sulmi ukrainas përtej kufirit shtetëror me Rusinë, u raportuan se ishin ekzekutuar pa dijeninë dhe miratimin paraprak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, ka bërë disa herë sqarime publike për padijeninë e SHBA për të dyja ngjarjet që kanë në vetvete disa aspekte me rëndësi strategjike.
Vrasja e një njeriu si Hannyieh është e sigurtë që në mos përshkallëzon konfliktin në Lindjen e Mesme, legjitimon veprimet hakmarrëse të Iranit dhe pozitën e tij negociuese për të mos vepruar në shkallë të gjerë. Edhe pse po bëhet përherë e më e qartë se Teherani zyrtar nuk ka për ta humbur në asnjë moment qetësinë pa siguruar paraprakisht bombën bërthamore që do siguronte pavarësinë strategjike të tij.
Kjo u kuptua që me vrasjen demonstrative të Qasem Soleimanit gjatë administratës Trump, ndonëse duhet mbajtur parasysh edhe koniunktura politike në Teheran. Por akti i vrasjes është provokues dhe tensionues në ekstrem, pa folur për faktin se ai minoi çdo përpjekje të SHBA për armëpushim.
Iniciativa ukrainase përtej kufirit rus, me armë dhe financim perëndimor, është një tjetër lëvizje që nuk i jep sens padijenisë amerikane. Kjo sepse deri më sot kemi dëgjuar që Zelenskiy po e vazhdon luftën me presionin dhe kërkesën perëndimore, aq sa ka refuzuar edhe kërkesa për armëpushim. Edhe sikur SHBA ta lërë veten të mos informohet zyrtarisht, nuk bind dot shumë nisur nga fakti se të paktën sulmi ukrainas, me nevojat logjistike që ka, nuk mund të kalojë në atë lloj sekreti.
Në të dyja rastet po duket një SHBA këmbëngulëse për të mos u përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimet në fjalë. Duke preferuar mesa duket të lërë të lirë nismat e subjekteve aleate për të marrë mandej, në varësi të rezultatit qëndrimet përkatëse. Pak a shumë këtë lëshim frerësh kemi parë edhe në Kosovë, ku SHBA po lejon të akumulohet një lloj krize, pa arritur të presojë sa duhet te Prishtina zyrtare. Sërish diçka stonon. SHBA mund të jetë tërhequr nga Ballkani Perëndimor në kuptimin e angazhimit në vëllim dhe intensitet, por investimin e vet do ta mbrojë.
Çfarë po ndodh? Vallë SHBA dhe administrata do me çdo kush një klimë relativisht stabël deri në eliminimin e problemit Trump, apo kemi një strategji të re të asaj që mund të quhet militarizim i rrugaçërisë ndërkombëtare. Shtete si Izraeli dhe Ukraina, pavarësisht kapaciteteve që dëshmojnë, nuk janë autorë të asnjë lloj paqeje. Nuk kanë vizionin, dëshirën, hormonet politike dhe as interesin shoqëror për këtë. Sepse nuk janë dhe as duan të jenë garantë të rendit ndërkombëtar. Në këtë kuadër aksionet e tyre tolerohen sa kohë lexohet mbështetja e tjetërkujt që ka luksin të mos dojë të dijë shumë gjëra që në fund të fundit edhe shumë nuk ngrenë në kandarin e gjërave.
Shqetësuese këtu nuk është kjo. Sepse shumëkush e di që SHBA ka mjetet t’ia ulë hundën e t’ia fusë aty ku nuk ia pret mendja Netanyahut. Shqetësuese është se në të trija këto vatra që përmendëm, SHBA dhe Perëndimi nuk ka një formulë për zgjidhjen politike. Ndaj në terren gjallojnë akte të tilla, dhe inkurajohen horra politikë, premisa e të cilëve nuk është ndonjë ide, por pushteti.
Amerika nuk di gjë! Është një realitet ende i pabesueshëm edhe nëse është i vërtetë. Pse tingëllon i tillë, është edhe serioz. Përndryshe, dita kur Amerika dhe të tjera vende si ajo, nuk do merren seriozisht, do të jetë ditë shumë e pasigurtë për shumëçka.
s.zaimi
Add new comment