BE-ja në rrugën e Austro-Hungarisë: Formula për çdo gjë, zgjidhje për asgjë
Mediat në Kosovë raportojnë mbi “një përgjigje” të Bashkimit Europian, sipas të cilës “statusi i urës së Ibrit planifikohet të përfshihet në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut” mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu mjaftoi një gjest që Bashkimi Europian të njoftojë se kemi një çështje të re në kuadër të dialogut. Është tanimë e qartë për këdo, se në Bruksel shtetësia e Kosovës ka nisur të bezdisë shumëkënd dhe të cilësohet si kohë e humbur. E thënë ndryshe: Serbia e Aleksander Vuçiç e fitoi kredencialitetin e një fuqie rajonale që duhet të dëgjohet përmbi të gjithë në Ballkanin Perëndimor.
Pavarësisht cilësisë së qeverisjes dhe normave që përcaktojnë atë që quhet familje europiane. Indiferenca e BE-së përkundrejt problemit ballkanik në tërësi reflekton një humbje të ndjeshme të sensit të përgjegjësisë historike edhe për veten, pasi nëse sot në Europë cilësojnë se problemet territoriale janë të mbyllura është e qartë se koha do të provojë të kundërtën.
Mjafton rasti i Katalonjës, i Korsikës, separatizmi gjysmëfolklorik italian e kështu me radhë. Ajo që është për t’u çuditur është moskuptimi që po manifestohet nga Brukseli dhe qeveritë kryesore të Europës për pasojat e kësaj sjelljeje. Autoriteti duhet konfirmuar kur ekziston, dhe duhet afirmuar ku ai është duke u ngjizur. Dhe konfirmohet me imponim të qartë. E kundërta po ndodh: BE-ja po jep përshtypjen se sot në botë ka vetëm një vend që ekziston: Ukraina. Se bota nuk rrotullohet nëse kriza ukrainase nuk merr zgjidhje, ndërkohë që një e ashtuquajtur superfuqi siç pretendon se është BE-ja, edhe e butë, e përbërë nga shtete me traditë imperiale dhe ushtarake, do të duhet të kishte kapacitetin e drejtimeve të shumëfishta të politikës.
Rënia e lirë e besimit tek Europa reflektohet edhe në një dalje të papritur të opozitës serbe, e cila përmes një deputeti që prezantohet si lideri i Kryengritjes Ekologjike, Aleksandar Jovanoviç, ka deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se nuk ka asnjë opsion tjetër.
Zgjidhja potenciale për këtë do të ishte modeli i Qipros, që u pranua në BE, por kjo edhe njëherë zbulon hipokrizinë e BE-së
ka thënë ai. Sipas tij Kosova është një kamp përqendrimi që kontrollohet nga Kurti, Vuçiç, dhe komuniteti ndërkombëtar.
E parë në një aspekt tjetër: nuk ka vlerë europiane që të bëjë një palë politike serbe të mendojë ndryshe veçse në plan nacionlist mbi Kosovën. Ku është atëherë projekti europian në Ballkan? Ku vepron dhe si vepron ai? Askund veçse në interesin ekonomik. Nuk ka më peshë specifike ideale të Europës në rajonin tonë, që me instinkt po ndjen dobësinë sistematike të Unionit, reduktuar në një klub të shqetësuararish vetëm për treguesit ekonomikë.
Në këtë kuptim, shpikja e agjendave, përthyerja e parimeve që organizojnë aksionet diplomatike dhe politike, nuk bëjnë gjë tjetër veçse ushqejnë apatinë e rëndë të Ballkanit, drejtuar nga e njëjta kulturë politike e zhvatjes dhe korrupsionit, nën mburojën imunitare, imagjinare, të një Europe që në të vërtetë sa vjen e i ngjan asaj burokracisë austro-hungareze që ishte perfeksionuar për të mos bërë asgjë në finale dhe që çoi në katastrofë, edhe pse kishte më shumë rregulla nga sa mund të përballonte. Mjafton të kujtojmë këtu një karagjoz si Juncker se mesa krenari shprehej se frëngjishtja duhej të ishte gjuha e unionit tani që BREXIT u miratua. Pra tani që britanikët na u hoqën qafësh.
Tolerimi i korrupsionit dhe të korruptuarve dhe korruptuesve në Ballkan po bëhet pikërisht për të blerë në kurrizin tonë të ashtuquajturin stabilitet, një politikë dritëshkurtër që do prekë fundin e vet. Duke djegur kështu pa asnjë presion efektiv të jashtëm një ide apo një projekt që ezauroi veten dhe në dështimi në Ballkan ilustron vetëm lakmuesin e dobësive të thella të unionit.
s.zaimi
Add new comment