Nuk është vetëm Kosova, BE-ja u vetëdiskreditua në Ballkan

Postuar në 10 Gusht, 2024 18:39

Europa duket se po kritikon mbarë botën tashmë për veprime të caktuara. Dhe në parim mund të ketë drejtë. Edhe për Izraelin, edhe për Ukrainën, edhe për Hungarinë, edhe për Kosovën. Problemi është se të paturit të drejtë pa peshë vendimmarrëse kompromenton edhe vetë drejtësinë. 

Në rastin e Kosovës, ngjan se BE-ja ka vetëm dy faqe deklaratë që konsistojnë në thelbin e tyre: Kosova të rrijë urtë! Kjo po ndodh edhe tani me cështjen e urës së Ibrit, për të cilën qeveria në Prishtinë ka deklaruar se do ta hapë për automjetet.

BE-ja, së bashku me partnerët e tjerë kyç, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës Kurti që të mos vazhdojë me veprime të njëanshme, duke theksuar se çështjet duhet të zgjidhen me dialog. Urat zakonisht i bashkojnë njerëzit. Fatkeqësisht, situata që kemi në veri të Kosovës dhe në Mitrovicë është rezultat i një numri të madh rrethanash të vështira politike. Prandaj kemi thënë gjithmonë se është një çështje shpërthyese, një çështje problematike dhe si të gjitha çështjet problematike duhet të zgjidhet me dialog. Sepse nëse keni një problem, atëherë e zgjidhni me dialog, jo me vendime të njëanshme

citohet zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Brukseli ka paralajmëruar masa të reja, pa hequr ende të vjetrat që vuri ndaj Kosovës, të cilat nuk e di askush se ku bazohen dhe a u zbatuan efektivisht. Hapja e urës ka një sinkronizim që bie në sy: protesta masive në Beograd e cila ka krijuar një tension për Aleksander Vuçiç. Nëse ajo krijon momentum efektiv atëherë është e pritshme që Albin Kurti të hapë urën me pak kosto, pasi askush nuk do të ketë kohë të merret me të.

Aleksander Vuçiç po flet për grusht shteti në Serbi, nisur ndoshta edhe nga fakti se protesta ka një motiv jetësor: bllokimin e minierës së litiumit në Jadar. Përkundrejt perspektivës së një krize të re në Serbi, BE-ja e cila  mbylli sytë përpara manipulimit elektoral për të cilin folën edhe raporterët e saj, nuk ka më tagër që të presojë efektivisht për ndonjë gjë.

Dekada e tretë e këtij shekulli ka nisur me një dukuri të re: mobilizimin e skajshëm të opozitave të cilat nuk kanë më përkrhajen e BE-së dhe asaj që quhet bota demokratike. E cila tanimë investohet për stabilitetin me çdo çmim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.