Europa nuk ka gati infrastrukturën e luftës

Postuar në 06 Gusht, 2024 10:41

Europa duket se i ka humbur reflekset e luftës dhe mund të gjendet e papërgatitur në rast emergjence.

Nëse kontinenti i vjetër do të pengojë agresionin e mundshëm rus, i  duhet të bëjë një punë shumë më të mirë për të lëvizur tanket, trupat dhe municionet, tha një gjeneral i lartë francez për POLITICO.

Gjatë Luftës së Ftohtë, vendet ishin mësuar të lëviznin pajisje ushtarake, një detyrë që ishte "shumë e thjeshtë" në atë kohë, por "gradualisht është bërë jashtëzakonisht komplekse", tha gjenerali Bertrand Toujouse, përgjegjës për komandën tokësore të sapokrijuar të ushtrisë franceze për Evropën.

"Është absolutisht thelbësore të rikthehet lëvizshmëria ushtarake në mendjet evropiane dhe për këtë ne duhet të praktikojmë," shtoi ai..

Nëse Rusia sulmon një vend të NATO-s, ushtarët evropianë dhe amerikanë duhet të arrijnë në krahun lindor të aleancës sa më shpejt që të jetë e mundur.

Por një reagim i tillë i shpejtë pengohet nga shumë procese administrative.

Krahas kësaj, pengesë tjetër është infrastruktura e pamjaftueshme - duke përfshirë urat dhe tunelet - për të lëvizur automjetet e blinduara; dhe mungesa e kapaciteteve të transportit, siç janë mjetet hekurudhore.

Në maj, ministrat e jashtëm të BE kërkuan zbatimin e Planit të Lëvizshmërisë Ushtarake të bllokut, i cili përfshin angazhime për të investuar në infrastrukturë dhe për të siguruar akses me përparësi në rrugë, hekurudha dhe metoda të tjera transporti për forcat e armatosura.

Një marrëveshje për një korridor tranziti ushtarak është nënshkruar nga Polonia, Gjermania dhe Holanda. Në qershor asaj iu bashkua edhe Franca.

Edhe Greqia, Bullgaria dhe Rumania nënshkruan në korrik një memorandum për bashkëpunimin ndërkufitar të lëvizshmërisë ushtarake. 

"Ne zbuluam shtrirjen e burokracisë administrative. Ka një luftë në Ukrainë, por zyrtarët e doganave të shpjegojnë se nuk ke tonazhin e duhur për akset dhe se tanket tuaja nuk lejohen të kalojnë Gjermaninë," kujton Toujouse. "Është e pabesueshme”.

Përtej barrës administrative, edhe përgatitja ushtarake lë për të dëshiruar.

Ushtria franceze – e cila i ka kaluar dekadat e fundit duke luftuar në Afganistan dhe në rajonin e Sahelit të Afrikës Perëndimore – nuk ka ngarkuar pajisje ushtarake në trena për rreth 20 vjet, tha gjenerali francez.

Menaxherët e stacioneve të trenit në SNCF, kompania kryesore e hekurudhave, nuk kanë zgjidhje të gatshme.

"Ne po kthehemi te diçka që dinim ta bënim dhe e kishim harruar plotësisht," tha Toujouse.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.