Mund të bësh bashkim kombëtar, pa pasë nevojë me u bashku
“Sa njerëz gjen që kanë përjetu përndjekje, pjesëmarrje në luftë, fitore, shpallje pavarësie, kualifikim të kombëtares së vet për herë të parë në histori në kampionatin europian?! Dikush e përjeton njërën, por s’e përjeton tjetrën. Unë i kam përjetu krejt në një jetë, pavarësisht se thonë, që jeta asht e shkurtër, asht dhe e gjatë”.
Fisnik Ismaili, themeluesi dhe drejtuesi i Agjencisë së njohur kreative “Karrota” dhe projektuesi i monumentit të pavarësisë “Newborn” në Prishtinë, më priti në zyrën e re të Karrotës në Tiranë dhe përmes një rrëfimi të gjatë, m’u shfaq si në një film tre orësh, siç është dhe prirja e fundit e kinemasë botërore; krejt jeta e tij dramatike e shkurtërgjatë. Parapëlqeva të ruaj në intervistë të folmen e tij gege të Prishtinës, jo vetëm pë hir të uniformitetit të rrëfimit, por edhe sepse nuk do mundesha ta përfytyroja Fisnikun të formatuar sipas standartit.
Vigan, Sandokan dhe Kreshnik, tre emrat që i përshtaten më shumë shtatlartësisë, fizionomisë dhe karakterit të tij luftarak.
***
Kam lindë në Prishtinë, në vitin 1973 dhe jam fëmija i tretë, çuni i vetëm i familjes mes dy motrash. Im atë nga Ferizaj, kurse nëna prej Mitrovicës, janë taku si studentë në Prishtinë, kanë ra në dashuri dhe si shumë çifte të tjera, vendosën të ndërtojnë jetën në kryeqytet. Në vitet ’70 kam qenë fëmijë disi i privilegjum, pasi kemi jetu për tre vjet në Moskë, ku im atë ishte emëruar Drejtor i Përfaqësisë së Bankës së Jugosllavisë në Moskë. Nga mosha 3-6 vjeç kam jetu në Moskë, por sot rusishten e kam harru krejt për shkak të bullizimit që t’banin f’mijt, po të dije rusisht. Ato tri vjet kanë qenë të bukura për pjestarët e tjerë të familjes, pasi unë mbaj mend shumë pak.
Jam rritur me demonstratat e ‘81-t, kur fillun kërkesat me u shpallë krahina e Kosovës republikë, me pasë të drejta të njëjta me republikat e tjera të ish Jugosllavisë. Shpërbërja e Jugosllavisë faktikisht thuhet se ka fillu në ’81-n, me kërkesën e shqiptarëve me u bo republikë. Marrëdhënia jonë, veçanërisht me serbët, nisi me u degradu, na qunin irredentistë, që donim me u shkëput nga Jugosllavia. Gradualisht nga 1981- 1989 u prenë marrëdhëniet, filluan presionet, rrafjet, nisën me u nda edhe si grupe, u bo njëfarë segregimi. Unë e kam mbaru shkollën në ’91-n, por mbaj mend, që sa më shumë thellohej konflikti, aq ma shumë dasi boheshin, derisa na u hoq autonomia në ’89-n. Kosova e fitoi autonominë në ’74-n, asht bo krahinë autonome brenda Serbisë, por asnjëherë republikë.
Në Kosovë fillun ndasitë kur erdhi Millosheviçi në pushtet, na e hoqi komplet autonominë, të drejtën me u shkollu në gjuhën shqipe, me punu në administratë, me qenë shqipja gjuhë zyrtare. Serbët e Kosovës gjithmonë kanë qenë ma të privilegjum, kurrë nuk janë lodhë me mësu shqip, s’kemi qenë kurrë qytetarë të barabartë. Martesa ka pasë, por kanë qenë të rralla. Mes viteve ‘80 ekipi i qytetit të Prishtinës doli në ligën e parë të Jugosllavisë, në të njëjtën ligë me ekipin e Beogradit, që ka qenë kampion Europe. Në kohën kur ekipi i Prishtinës ka qenë ekip i artë, im atë ka qenë kryetar i klubit të Prishtinës dhe guvernator i Bankës së Kosovës. Bashkë me të tjerë, kanë gjetë mënyra me e financu klubin, me marrë trajnerë nga jashtë, për ma e bo klubin ma të fortë, për me tregu indirekt njëfarë fuqie të shqiptarve. Kur ekipi i Prishtinës rrahu “Red Star” të Beogradit, që ishte kampion i Europës, 3-1 në Beograd, u bo incident; veç sa shtoi urrejtjen tonë ndaj serbëve e serbëve ndaj nesh. Kto ishin betejat tona të vogla, mënyrat tona me tregu rebelizmin.
Vitet a arta të ekipit Prishtinës mbahen mend edhe sot e kësaj dite. Ekipi ka qenë në vendin e 6 të Ligës së Jugosllavisë. Në lajmet e Beogradit, ne të Kosovës na sulmonin për irredentizëm, sepse në ndeshjet e futbollit të Prishtinës, ne brohorisnim EO, ata e transformonin EHO – E. Hoxha. Pas çdo ndeshjeje që dilnim nga stadiumi, na kanë rrahë policat. Dashuria që kishin kosovarët për E. Hoxhën, nuk është se dinin ndonjë gjo nga ai, por ishte dashuria për Shqipninë. Kur ke dashuri për Shqipninë, e identifikon me atë që udhëheq. S’kemi pas ditë tamam se ça ndodh atje, jemi lindë e rritë me mendësinë që ne i takojmë Shqipnisë, që një ditë patjetër duhet të bohemi bashkë.
Në ‘89-n gjithë shqiptarët që kanë punu në punë publike, në administratë, biblioteka kombëtare, teatër, i hoqën prej pune. Babën e hoqën prej banke. Unë kam qenë gjenerata e fundit në shkollë të mesme, që e përfundum gjimnazin në objektin e shkollës. Pas meje nuk janë futë më në objekte të shkollës, na e ndalun shkollimin. Kanë qenë 4-5 klasa serbe në një shkollë me 30 klasë. Paradite gjithë shkollën e kishin klasat serbe, pasdite e kishim na. Nga 30 nxënës në një klasë, u bëmë 60 nxënës, njani mbi tjetrin. Dy vjet shkoi ashtu, pastaj pas dy vjetësh na hoqën prej shkollave. Në vitet ‘90 shkollimi në Kosovë asht bo në shpi private. E gjitha bohej në mënyrë të fshehtë, se po ta merrnin vesh serbët, që diku po bëhej shkollë shqip, na bonin zullume.
Në vitin 1991, bona moshën për ushtri dhe u detyrova me ikë në Angli për të mos shku ushtar, pasi ushtria në Jugosllavi ka qenë e detyrueshme. Në atë kohë filloi me u tensionu situata në Bosnje e Kroaci dhe ishte rrezik, se po të shkoje në ushtrinë jugosllave, serbët të merrnin e të fusnin në ushtrinë kundër boshnjakëve, të vendosnin në linjë të parë. Moshatarët e mi fillun me i marrë në rrugë, i ndalonte policia, u shihnin letërnjoftimin, vitin e lindjes. Mua më vjen policia një natë në shtëpi, unë s’kisha qenë aty, me më kërku. Në mbramje kur u ktheva, menjëherë më kanë heqë prej shpisë. Të nesërmen në mëngjes, kam gjetë veten prej Shkupit në aeroplan për Itali te motra ime. Atëherë e dashura ime 17 vjeçe, mbas një muji erdhi në Itali dhe e gjetëm veten në Milano. Mendum me e shty 2-3 muaj nëpër Evropë, derisa të qetësohej situata në Bosnje e të ktheheshim prapë. Në stacion treni në Milano, duke debatu apo shkojmë në Oslo ose Londër, përfunduam në Londër.
Serbia gjithmonë ka qenë territorialiste, anipse edhe luftën në Bosnje e ka pasqyru si luftë fetare. Sarajeva ka qenë qyteti ma divers i Jugosllavisë nga ana etnike e fetare, qytet studentor, qyteti ma i gjallë e ma i bukur i krejt vendit, me kulturën ma të pasur; ka qenë qyteti ma i këndshëm, posaçërisht për rininë jugosllave dhe ndodhi çfarë ndodhi në ’90-n. Edhe Mitrovica ka qenë një qytet shumë divers, një qytet me kulturë të pasur; shumë figura kulturore kanë dalë prej Mitrovicës, si familja Qena; ka pasë vizatues të novelave grafike më shumë se diku tjetër. Por, Mitrovica si qytet u la pas dore, më parë ka pasë një bashkëjetesë, kurse ndarja e tkurri qytetin dhe Mitrovica s’e ka shpirtin e dikurshëm.
Kamarierat shqiptarë atëherë në Angli, vetidentifikoheshin si italianë. Si Giancarlo fitonte rrogën, pensionin, si kosovar merrte ndihmat sociale. Shumica e kanë bo, unë kam qenë nga të paktët që s’e kam bo. Prioriteti im ishte të vazhdoja studimet universitare. Por, në korrik na lindi çuni i parë dhe ka qenë e veshtirë me u futë në fakultet. Unë dajën e kam piktor dhe kam pasë gjithmonë njëfarë afiniteti për vizatim. U pranova në degën e design të Prishtinës, ku pranoheshin vetëm tre njerëz. Në atë kohë, u fut për herë të parë Multimedia si lëndë në Britani. Jam gjenerata e parë në Britaninë e Madhe që kam studju Multimedia, në Londër. Në ‘98 e gjeta veten në një agjenci kreative, që kishte kliente "Apple Europe". S’e harroj atë vend pune, se ka qenë puna e parë në profesionin tim. Filluan shumë refugjatë me ardhë në ’98 dhe punoja edhe si përkthyes; kam fitu 5-6 herë më shumë si përkthyes.
Gjatë studimeve themelum shoqatën e studentëve shqiptarë, bënim protesta që të nxisnim NATO-n me intervenu. Loza me logon e "Nike", duke vendosur një aeroplan, “Nato Air Just Do It”, u shfaq dhe në "CNN", u bo e madhe. Jam mundu me kontribu përmes slloganeve dhe kur filloi bombardimi në 25 mars në 1998, atëherë për mu s’kish kuptim me nejtë më aty. Një ditë po lexoja lajmet. Atëherë çunin, Viganin, e kisha katër vjeç dhe pashë një lajm, që serbët kishin hyrë në një shtëpi dhe kishin vra komplet familjen. Komshinjtë e kishin parë, që e kishin marrë të gjallë f’mijn katër vjeçar me vete. Të nesërmen trupi i f’mijs ishte bashkë me të tjerët. Kur i ekzaminun f’mijs trupin, i kanë gjetë shenja djegieje me cigare. Gjithë natën atë f’mij e kanë djegë me cigare e kanë torturu. Imagjinova çunin tim 4 vjeç, imagjinoja se çka ka mendu ai atë natë, “kush janë këta?”, “pse më djegin me cigare?”. Kam fillu me qajtë dhe u thashë kolegëve po iki në luftë. Unë i përmbushja gjithë kriteret mos me shku në luftë, por në mes të orarit u thashë kolegëve po iki në luftë. Më thanë : “Mos hajde nesër në punë, mendohu gjatë fundjavës dhe eja të hënën”. U nisa vetëm.
Më këshilluan që mos të jepja emrin e vërtetë, që mos të hakmerreshin serbët ndaj familjarëve të mi në Prishtinë.
Shtabi i UÇK-së ka qenë në Laprakë. U futa në Shqipëri nga Italia. Hera e parë, që pashë Shqipërinë. Andrra ime ishte me puthë tokën shqiptare. U nisa për në Tropojë, nga ku u bë ofensiva e madhe. Beteja e Koshares është beteja më e lavdishme e UÇK-së, 114 të vdekur nga pala shqiptare, mbi 600 nga ana serbe. Ofensiva ka filluar me 150 ushtarë tonë, kundër 5000-6000 ushtarëve të tyre, në fund ne ishim 1500 dhe ata 12.000. Na çuan në fshatin Babinë të Bajram Currit, ku një shkollë e kishin kthy në mini-kazermë. Kosharja është pikë kalimi kufitar dhe ka qenë baza serbe në kufi me Shqipërinë. Në Babinë çdo rekrut i ri ushtrohej dy javë për me shku në front
Ky gjesti i 150 ushtarëve që fillun ofensivën, qe i lavdishëm në sensin, që ne ia thym serbëve krenarinë e mbrojtjes së kufijve. Përpara kësaj eksperience, kisha zero eksperiencë me armë. Na vendosën në një njësit për minahedhësat. Dëgjoj një tip që ma thërret emrin, ishte një tip i Londrës, kish ardhë edhe ai. Ky ish një ish ushtarak i ushtrisë së Jugosllavisë, që kish shërbyer si ndërlidhës i komunikimit. Kur morën vesh se çfarë ishte, i thanë të bënte një njësit menjëherë. “Ti do bëhesh ushtari im në ndërlidhje”, më tha. U bëmë bashkë dhe shkoi lajmi, që u krijua njësiti i ndërlidhjes në Babinë. Fronti po zgjerohej, këta që komunikonin me ndërlidhje të vogla, nuk koordinoheshin mirë me njëri-tjetrin, u duhej një qendër, një bazë. Për dy ditë bomë një dhomë high tech me çfarë kishim. Nisëm me menaxhu komunikimin. O çfarë pune stresuese, po të gaboje në përcilljen e informacionit, ai tjetri mund të vritej. Tre muaj zgjati. Okupuam bazën e serbëve, hapa pajisjen e tyre dhe dëgjoja se çfarë thoshin. Isha i rrethuar me ushtarakë të ish ushtrisë së Jugosllavisë dhe më ndihmonin në zbërthimin e kodeve. Pastaj nisa me dëgju se ku po luftonin. Sa herë që serbi thoshte futu në krahun e majtë, unë merrja Hysenin dhe i thosha kujdes krahun e majtë.
Detyra kryesore që kam pasë ishte të paralajmëroja tanët, sa herë që bëheshin gati të na sulmonin serbët, prej koordinatave që ata i jepnin artilerisë. Një gazetari skocez, që donte me më marrë në intervistë, se i duhej dikush që dinte anglisht, i thashë: “It is very important that you don’t know what I do”.
Ai u nis për në front dhe unë i dëgjoj serbët, që ia panë makinën. Në kohën kur makina u fut prapa nje kodre, dëgjoj tipin serb që jepte urdhër, “kur të dalë makina prej kodre, asgjësoje makinën me predhë”.
I dëgjova çka thanë dhe i mora në telefon, “ndaloni aty, momentin që dilni prej kodre ju bie predha, mos lëvizni që aty”.
Dhe serbi tha “fuck, s’po del, e lëmë këtë gjë”, dhe atëherë u thashë të vazhdonin.
Ai gazetari kur u kthy tha: “This amazing thing happened!”.
Unë i bëja miq gazetarët, se të gjithë kishin telefona satelitorë dhe kështu flisja me familjarët e mi, me motrën time në Itali. “Now you know what I do!”, dhe më premtoi që s’do të shkruante. Kjo ka qenë puna ime, unë asnjë plumb s'kam shkepë në luftë, puna kryesore ka qenë me mbrojtë tanët.
U ktheva pas 7 vjetësh në Prishtinë, por u dëshpërova me njerëzit atje. Shumë pak njerëz të qyteteve kanë shku në luftë; jo vetëm që nuk kanë shku në luftë, por edhe e kanë përbuzë në njëfarë mënyre luftën, e kanë përqeshë. Unë isha dhe i Prishtinës, por edhe brenda në UÇK. Një pjesë e komandantëve të UÇK-së e fëlliqën pas lufte, sepse u uzurpun pronat serbëve, uzurpun prona publike, e keqpërdorën luftën për avancim politik, gjithë këto gjëra që unë kam qenë shumë kundër. Ka pas njerëz, nga ata që e fitun luftën, që ia kanë këputë komplet këmbët shtresës intelektuale të atëhershme, “keni punu në kohë të Jugosllavisë”, njëfarë etiketimi që edhe tim eti i asht bo. Pata një konflikt me Kryetarin e Shoqatës së Veteranëve, që tani asht në Hagë, “ky Fisi s ka bo gjo në luftë, ka mbushë bateri”, dhe vetëm në një emision kam tregu saktë se ç’kam bo në luftë.
U zhgënjeva shumë edhe nga shqiptarët e Shqipërisë. Njerëz me maska në Tropojë, ndalonin kamionin e UÇK-së me municione, e plaçkisnin dhe na thonin, nëse doni kamionin, na jepni kaq lekë. Gjysmën e pasurisë sime e harxhova në luftë, ndërkohë që miqtë e mi, që s’kishin ardhur në luftë, kishin bo lekë si përkthyes e kishin ble shpija. Mendoj se e kam kry obligimin ndaj njerëzve të mi, shqiptarisë
Ata të punës më thanë kur ika në luftë, që po të kthehesha, më priste ende vendi i punës. Qëndrova sërish në Londër nga 1999-2004. Sulmi i 11 shtatorit në Amerikë ma boni lëmsh jetën në Londër, “it’s so out of your control”, ti ke ndjenjën që s’mund të kesh fatet në dorë. Nisa me mendu, po sikur ta kisha hapur një kompani në Kosovë. Një miku im në Austri kishte filluar të bashkëpunojë më Panini, që bën libra për f’mijë. Panini ka të drejtat e Marvel Comics për Europë, kish fillu me negocju të drejtat për në shqip. I them më jep veç dy faqe të shoh design-in e spiderman, ngaqë unë njihja pjesën teknike.
Rrota e filloi aktivitetin si shtëpi botuese në vitin 2003, me revista comics. Botum 7 numra, 7 revista 32 faqëshe me ngjyra, ndryshe nga Amerika, që çdo numër ka 16 faqe. Ne kuptum që në Kosovë s’ta blen njeri me 16 faqe, kostoja isha 2 euro. Ne jemi rritë me novela comics serbo-kroatisht, gjuhën e kemi mësu prej aty, ka qenë kulturë në Jugosllavi. Në vitet ‘90 del playstation e internet, këto janë vrasëset më të mëdha të novelave grafike në gjithë botën. Prandaj "Marvel" tani nxjerr filma, dikur ka botu comics, gjenerimin kryesor të të ardhurave e kanë prej filmave. Morëm të drejtat për Kosovën, Maqedoninë e Shqipërinë dhe mendum me i botu në gegnisht e standart, por kishte dyfish kosto. Ne dështum që në Kosovë, pa tentu me u futë në Shqipëri, sepse s’lexojnë njerëzit. Këtë e dija, por s’desha me vdekë me mendimin pse s’e bona. Më kushtoi prapë gjitha kursimet, që kisha mbledhë pas lufte. Dhe kështu e kthym "Rrotën" në agjenci për design dhe dola veç e formova Karrotën në 2005-n.
Si "Karrotë" bëmë website e parë të bashkisë së Tiranës, në kohën që Edi Rama ka qenë kryetari i bashkisë. Në 2006-n hapëm zyrë në Tiranë, në 2008-n doli një lajm, që qeveria e Kosovës jep një fond të madh për manifestimin e shpalljes së pavarësisë. 13 vjet sa kam jetu në Angli, në çdo reportazh për Kosovën, imazhi i Kosovarit ka qenë një plak pa dhëmbë, një fëmijë më qurre, një shtëpi gjysmë e shembun dhe habitesha pse s’po nxjerrin ndonjë pjesë të mirë të Prishtinës. Një mesazh, që duhet me u bo detyrimisht në anglisht, mendova. Fjala “newborn”, më ngeci në mendje për dy arsye, për ata që s’e flasin anglishten mirë, e dinë çdo me thanë new e born dhe newborn, i porsalindur. Vendosëm të bëjmë një skulpturë tipografike me shkronja, 3 metra e lartë, 24 m e gjatë, 0,9 metra e trashë dhe ta vendosnim para Pallatit të Rinisë. Thërras një tip që saldon hekur, “a mundesh me e bo për 11 ditë?”.
Në fillim ideja ishte të bëhej i kuq me tekste të zeza; deputetët firmosin në kuvend shpalljen e pavarësisë, njerëzit firmosin te Newborn monumentin e pavarësisë, pra të ndërveprojnë mes tyre. Nisa me kontaktu qeverinë, bashkinë, s’ma hapte kush telefonin, ndërkohë që fillova me e konstruktu, pa leje. Supozoj se kanë qenë amerikanët, ata që kanë ndikuar në aprovimin e projektit tonë nga qeveria e Kosovës. Me mijra njerëz më kanë dërguar emra familjarësh, tekste me sms, që t’i vinim te monumenti i ri. Por, ata që e aprovuan projektin më kërkuan ta ngjyros në të verdhë ose të kaltër, sepse këto do të ishin ngjyrat e flamurit të Kosovës, që s’e dija deri para shpalljes së pavarësisë. Çdo vit e ngjyrosim me ngjyra të ndryshme; kur kam pasur ndonjë konflikt me qeverinë kemi bërë edhe pesë vite pa ngjyrosur. Është monument dinamik, që asnjëherë s’ është i njëjtë, çdo 17 shkurt ka ngjyra të ndryshme, është një monument i ri. Sivjet kishte temë liberalizimin e vizave, 7 qiej, me 7 lokacione të ndryshme në Europë të vendeve, që na lejohet të shkojmë. Ideja është, që çdo vit Newborn me përçu një mesazh politik, që Kosova ia përçon botës, sikurse ditën e parë që u shpall pavarësia. Një vit ka qenë për mjedisin, një vit për lirinë e shprehjes, një vit me flamujt e të gjitha shteteve, që kanë pranu pavarësinë e Kosovës, me i bo thirrjeve shteteve që s’e kanë njohur Kosovën, një vit me larat e ndryshme të ushtrive, njëherë, ia kushtum grave të abuzuara nga lufta.
Me Newborn e parë kemi fituar Cannes Gold Lion për environmental design; Silver Clio në festivalin më të madh në Amerikë, i dyti më prestigjoz në botë, "Eurobest" në Stokholm, "Golden Drum Grand Prix" në Slloveni dhe "One Show Merit" në New York. "Newborn" më ka kushtuar 72 mijë euro, 66 mijë supozohej do të m’i jepte shteti, por më dhanë vetëm 59 mijë; vetë ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, më ka akuzu me gojën e tij, se kam fry çmimet. Unë s’ia kam falë asnjëherë, ndaj dhe kjo akuzë, ka qenë një nxitje e madhe për mu me u futë në politikë, për me u përballë me të në faltore. Në 2010-n iu futa politikës, fillova me Frymën e Re dhe më pas u shkrimë me Vetëvendosjen. Në 2013-n, isha i dyti më i votumi për Këshillin bashkiak, kurse në zgjedhjet e 2014-s, kandidova për deputet dhe u zgjodha me dy mandate.
Por, pastaj për shkak të disa konflikteve, një grup prej 13 deputetësh kemi ikë nga Vetëvendosja. Kam ideu disa nga fushatat e Vetëvendosjes, posaçërisht fushatën me zemër, që besoj se ndihmoi në dyfishimin e votave të VV. Mos-sinqeriteti më bëri të iki nga politika, jam rritë në një vend, që ideali na ka mbajtë gjallë. Karrota ka punu shumë me fushatën e propagandës dhe marrëdhënieve me publikun. Shumë parti i drejtohen Karrotës, për ideimin e fushatave të tyre politike.
"Karrota", përpos të tjerash, ka bërë logon e tifozëve kuq e zi, logon e 100 vjetorit të Tiranës, dhe promocionin e birrës Peroni në Kosovë. Klienti, që ka përfaqësinë e birrës "Peroni" në Kosovë, më tha, që donte diçka shumë drastike, se s’po i ecte "Peroni" në Kosovë, përndryshe do ta tërhiqte si produkt. Por, kjo ka qenë para 3 vjetësh. "Peroni" erdhi në Kosovë përmes një fushate provokuese: “PI ÇKA TË FRESKON”, “P’E NISI UNË, TI KRYJE”, “PIJE PI DHETVE DERI N’MËNGJES”, ”PËRMIRËSO POZICIONIN”, “PËRFUNDO PËRJASHTA”, “PARABUKE PASBUKE”, “PA PANIK, PLAKO”, “PREKMA POSHTË”, “PUTHMA PAK”. Aktualisht, po punojmë për fanellën e re të kombëtares që del në 2025.
Pavarësisht se "Karrota" ka dy zyra, në Prishtinë e Tiranë, unë s’i konsideroj që i kemi në dy shtete, por në një shtet. E konsideroj si një kompani, që operon në dy qytete.
E them përherë, “kamarierat e Kosovës dhe gatimet e Tiranës është kombinimi perfekt”. Kamarierat në Shqipëri janë të tmerrshëm, por gatujnë shumë mirë. Mund të bësh bashkim kombëtar, pa pasë nevojë me u bashku. Kemi pasë dallime shumë të mëdha në mentalitet, por tash janë më të vogla. Jeni rritë në një sistem shumë të izolum, të kthym shumë nga Italia. Më parë kemi pasë mentalitet shumë më të përafërt me boshnjakët, grekët, tash ka ndryshu se u hap kufiri. Tash që vendet tona janë më afër, do desha me u rishiku standarti, ma së pari me kthy paskajoren. Gjithashtu, fjalori shqip – shqip s’ asht pasuru prej shumë e shumë vitesh, kurse fjalori anglez pasurohet çdo vit me 20.000 fjalë. Pjesëve të makinës ju u thoni italisht, ne u themi gjermanisht. Prej 20 vitesh e kam idenë e një fjalori terminologjik, por ende nuk e kam realizuar
Add new comment