Hiqen referencat raciste nga emrat shkencorë të bimëve
Emrat e më shumë se 200 loje bimësh do të ndryshojnë pas një vendimi të marrë nga një grup i madh studiuesish në vigjilje të Kongresit Botanik Ndërkombëtar.
Të gjithë emrat e bimëve, kërpudhave dhe algave që përmbajnë fjalën caffra, e cila e ka origjinën në fyerjet e bëra kundër zezakëve, do të zëvendësohen me fjalën affra, për të treguar origjinën e tyre afrikane.
Mes emrave që ndryshojnë është ai i një peme të bregdetit koralor, e cila nga viti 2026 do të njihet si Erythrina affra, në vend të Erythrina caffra.
Shkencëtarët që morën pjesë në mbledhjen ku u mor vendimi ranë dakord të krijonin një komitet të posaçëm i cili do të vendoste mbi emrat që u jepeshin bimëve, kërpudhave dhe algave të sapozbuluara. Këto zakonisht emërtohen nga studiuesit që i përshkruajnë të parët në literaturën shkencore. Sidoqoftë, emrat tani mund të anulohen nga komiteti nëse konsiderohen si ofendues për një grup ose racë.
Vendimi erdhi pas një séance gjashtë-ditore, e cila u kryesua nga botanistja Sandy Knapp e Muzeut të Historisë Natyrore në Londër.
“Ky është një hap i parë absolutisht monumental në adresimin e një çështjeje që është bërë një problem real në botanikë dhe në shkencat e tjera biologjike,” tha ajo për Observer. “Është një fillim shumë i rëndësishëm.”
Ndryshimi për të hequr fjalën caffra nga emrat e specieve ka ardhur nga Prof. Gideon Smith i Universitetit Nelson Mandela në Afrikën e Jugut dhe kolegia e tij Prof Estrela Figueiredo.
Emrat e bimëve janë vetëm një pjesë e polemikave taksonomike. Edhe emërtimi i kafshëve ka vend për korrigjim thonë shkencëtarët. Shembujt përfshijnë një brumbull kafe, pa sy, emri i të cilit lidhet me atë të diktatorit fashist, Adolf Hitler. Anophthalmus hitleri nuk është i vetëm. Një specie tjetër quhet Hypopta mussolinii.
Komisioni Ndërkombëtar për Nomenklaturën Zoologjike (ICZN) ka refuzuar deri më tani të konsiderojë ndryshimin e rregullave për të lejuar heqjen e referencave raciste ose fashiste. “Riemërtimi do të ishte shkatërrues, ndërsa emrat zëvendësues një ditë mund të shihen si fyes pasi qasjet mund të ndryshojnë në të ardhmen", njoftoi ai në Revistën Zoologjike të Shoqërisë Linnean vitin e kaluar. Megjithatë, shumë studiues kanë pranuar se do të duhet të bëhen disa ndryshime në rregullat e nomenklaturës zoologjike në të ardhmen e afërt.
Comments
Ah, po per Zotin!
Bota po digjet, keta na ndryshokan emrat shkencore te bimeve, bukur per Zotin. Si thote ajo fjala e vjeter "Stambolli digjet, kurva krihet", e ka parashikuar mire.
Add new comment