Kosovë, përplasje për ligjin e ri për Këshillin Prokurorial
Në Kosovë, Këshilli Prokurorial (KPK) thotë se qeveria nuk i ka përfshirë në ligjin e ri propozimet e saj. Në një deklaratë, KPK thotë se ligji i miratuar më 11 korrik nuk reflekton sugjerimet e saj.
Sipas tyre në emër të reformave, qeveria e partia në pushtet po synojnë ta defunksionlaizojnë sistemin prokurorial.
“Kjo praktikë e njëanshme e miratimit të akteve ligjore, tregon qartazi se Qeveria e Kosovës dhe shumica në Kuvendin e Kosovës, me vetëdije dhe në emër të reformave, synojnë të bëjnë të kundërtën e reformës, pra bllokimin dhe defunksionalizimin e sistemit prokurorial”, thuhet në reagim.
Sipas KPK, Ministria e Drejtësisë nuk po shmang dot qëndrimet politike mbi sistemin.
“KPK-ja thekson se miratimi i këtij ligji përbën mosrespektim dhe shkelje të hapur të parimeve kryesore të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit, që, në vetvete, paraqet një lloj absurditeti të llojit të rrallë, ngaqë përbërja e ekzekutivit aktual, gjegjësisht, Ministria e Drejtësisë, nuk po arrin assesi të shmangë qëndrimet politike në raport me sistemin prokurorial, duke mos përfillur sugjerimet e shumanshme dhe duke rënë në kundërshtim jo vetëm me kërkesat e bazuara të përfaqësuesve të KPK-së, por edhe me kërkesat dhe rekomandimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në reagim.
Add new comment