Gafa që kushtoi 90 milionë dollarë
Gjithnjë e më shumë pengesa në rrugën e Joe Biden drejt një mandati të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Megjithë përpjekjen për të rikuperuar atë që humbi në sytë e opinionit gjatë përballjes me rivalin Trump, Biden mbajti një konferencë shtypi një orëshe. Por pavarësisht se u shfaq në formë më të mirë se në debatin televiziv, presidenti 81-vjeçar bëri sërish gafa dhe këtë herë akoma më të rënda.
Ai iu referua presidentit të Ukrainës, Volodymir Zelensky, si presidenti Putin.
Kjo nuk do të kalojë pa pasoja në gjirin e demokratëve. Barack Obama dhe Nancy Pelosi thuhet se janë emrat e radhës, të cilët e kundërshtojnë kandidaturën e tij.
Ish-shefi i Biden, njëkohësisht ish-presidenti amerikan, Barack Obama dhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, raportohet se kanë shkëmbyer një sërë telefonatash për të diskutuar të ardhmen.
Dhe, ndërsa numri i deputetëve dhe senatorëve që i kërkojnë atij të tërhiqet rritet orë pas ore, një grup super donatorësh ka shpallur ngrirjen e 90 milionëve për sa kohë që ai të qëndrojë në garë.
Tashmë janë 20 demokratë, të gjithë deputetë dhe një senator, ata që kanë braktisur kandidatin për president duke i kërkuar të bëj ënjë hap pas për të mirën e Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë, Biden ngul këmbë se do të përfundojë punën që ka nisur dhe se është "i vetmi" i aftë për të mposhtur Donald Trumpin si dhe "i vetmi i kualifikuar për të qenë president". Një përzierje e arrogancës, vanitetit dhe kokëfortësisë, sipas disa analistëve, që shumë demokratëve nuk u pëlqen, sidomos atyre të administratave Obama dhe Clinton.
Add new comment