“Po fshehin pluhurin nën qilim”/Von der Leyen në detyrë me marrëveshje korridoresh

Postuar në 26 Qershor, 2024 17:31

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ashtu siç pritej, e kritikoi marrëveshjen e arritur dje për postet kryesore të BE-së, duke u shprehur se është "surreale" që opinionet e votuesve evropianë nuk u morën parasysh.

"Ka nga ata që argumentojnë se qytetarët nuk janë mjaftueshëm të mençur për të marrë vendime të caktuara dhe se oligarkia është e vetmja formë e pranueshme e demokracisë, por unë nuk jam dakord," tha Meloni në një fjalim sot në Parlamentin italian.

Një ditë më parë, gjashtë liderë të BE-së nga partitë e qendrës njoftuan se Ursula von der Leyen e Gjermanisë, António Costa e Portugalisë dhe Kaja Kallas e Estonisë duhet të marrin pozitat më të larta në Komisionin Evropian, Këshillin Evropian dhe shërbimin e politikës së jashtme, përkatësisht. Janë të njëjtët emra të përfolur para zgjedhjeve evropiane të qershorit. Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë të Von der Leyen doli fituesja e madhe e zgjedhjeve, por pavarësisht kësaj, Parlamenti Evropian u zhvendos më shumë në të djathtë, ndërsa grupi i konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR) të Melonit rritën numrin e eurodeputetëve.

Meloni kërkon që kjo rritje të reflektohet edhe në vendimmarrjen evropiane. Ajo u shpreh sot se liderët e BE-së po përpiqen të “fshehin pluhurin poshtë qilimit”, në vend që të pranojnë se shumë votues janë të pakënaqur me BE-në. Ajo e cilësoi BE-në "një gjigant burokratik pushtues" dhe kërkoi që Italisë t’i jepet një rol Komisioneri Evropian që do të luftojë burokracinë. Një ditë para se tre emrat të diskutohen në takimin e liderëve të vendeve të BE-së në Bruksel, Meloni thekson se marrëveshja e së martës injoroi sinjalet e votuesve europianë. Grupi që udhëheq Meloni është i treti më i madh në Parlamentin Evropian prej 720 vendesh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.