Gerapetritis: Po shkelet në mënyrë flagrante Marrëveshja e Prespës
Ministri i Jashtëm grek e cilëson shkelje flagrante të marrëveshjes së Prespës vendimin e udhëheqjes shtetërore dhe politike të Maqedonisë së Veriut për të mos përdorur “emrin kushtetues të vendit në fjalimet publike brenda vendit”.
Gjatë një takimi me homologët e BE-së në Luksemburg, kreu i diplomacisë greke, George Gerapetritis, tha se “Pajtueshmëria me ligjin ndërkombëtar dhe marrëveshjet ndërkombëtare është baza e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe nuk përfshin zbatimin selektiv të saj".
Komentet e tij vijnë një ditë pasi kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e cilësoi "të turpshme" përfshirjen e emërtimit "Maqedoni e Veriut" në emrin kushtetues të vendit.
Pasi paraqiti kabinetin e qeverisë së re dhe programin e saj, Mickoski tha se në betimin për kryeministër dhe në takimet zyrtare jashtë vendit do të përdorë emërtimin Maqedoni e Veriut, ndërsa brenda vendit jo detyrimisht.
Megjithatë, Departamenti i Shtetit e cilësoi këtë qëndrim në përputhje me marrëveshjen.
“Deklarata e mandatarit Mickoski se do të përdorë emrin kushtetues të shtetit në të gjitha kontekstet zyrtare është në përputhje me Marrëveshjen e Prespës,” deklaruan nga Departamenti i Shtetit”, ishte përgjigjja e DASH për Zërin e Amerikës në maqedonisht.
Add new comment