Gjuhët transparente

Postuar në 21 Qershor, 2024 18:42
Jon Andoni Duñabeitia*

 

Imagjinoni një skenar të tillë: një natë e gjeni veten në një bar karaoke të Helsinkit dhe dikush ju inkurajon të ngriheni dhe të këndoni një këngë të mirënjohur në finlandisht. Pa ditur asnjë fjalë të asaj gjuhe, ju kapni mikrofonin dhe, për habinë tuaj, arrini të ndiqni ritmin e tekstit që shfaqet në ekran, pa e ditur as vetë se çfarë po thoni. Tifozët e Eurovizionit mund ta provojnë këtë vetë me hitin finlandez të Käärijä të vitit 2023 "Cha Cha Cha".

Por pse është e mundur kjo? Sekreti qëndron në “transparencën” e finlandishtes dhe shumë gjuhëve të tjera.

Gjuhë transparente

Transparenca e një gjuhe i referohet marrëdhënies midis shkronjave të saj (të njohura si "grafema") dhe tingujve të saj ("fonema"). Në një gjuhë transparente, çdo grafemë zakonisht përfaqëson një fonemë në një mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikueshme. Shembuj klasikë të gjuhëve transparente janë spanjishtja, italishtja, gjermanishtja, baskishtja, turqishtja dhe finlandishtja.

Shumë gjuhë të tjera nuk i përshtaten kësaj kategorie dhe përkundrazi përkufizohen si gjuhë opake (jotransparente). Në këto gjuhë, marrëdhënia midis grafemave dhe fonemave është shumë më pak e parashikueshme, që do të thotë se shqiptimi i një vargu të caktuar shkronjash nuk ndjek gjithmonë një model të qëndrueshëm. Anglishtja është një shembull: fjalët si "pint" dhe "mint" përbëjnë një sfidë të vërtetë për nxënësit e rinj - pavarësisht se ndajnë të njëjtën drejtshkrim, secila shqiptohet në një mënyrë të ndryshme.

Të lexosh në një gjuhë transparente

Studimet shkencore kanë treguar për dekada se njerëzit që mësojnë të lexojnë një gjuhë opake, si anglishtja, janë në disavantazh në krahasim me ata që mësojnë një gjuhë transparente.

Në fakt, ka studime që tregojnë se shkalla e zhvillimit të leximit në anglisht është më shumë se dy herë më e ngadaltë se gjuhët më transparente si finlandishtja, italishtja ose spanjishtja. Kjo do të thotë që një fëmijë finlandez mund ta zotërojë të lexuarit bazë brenda një viti, ndërsa një fëmijë që flet anglisht mund të ketë nevojë për dy apo edhe tre vjet për të arritur të njëjtin nivel.

Prandaj, njerëzit që mësojnë të lexojnë në një gjuhë jotransparente përdorin strategji të ndryshme nga ata që mësojnë në një gjuhë transparente. E thënë thjesht, jo të gjithë mësojmë të lexojmë në të njëjtën mënyrë.

Në përgjithësi, në gjuhët që përdorin një alfabet, parimet bazë të leximit janë shumë të ngjashme, pasi mësimi i të lexuarit përfshin përvetësimin e rregullave të konvertimit grafemë-fonemë për të kuptuar tekstin.

Megjithatë, ndryshimet në transparencën gjuhësore ndikojnë thellësisht në strategjitë që fëmijët zhvillojnë kur mësojnë të lexojnë. Në gjuhët opake, si anglishtja, ata kanë më shumë gjasa të fillojnë të mbështeten në kujtesën vizuale për ta njohur fjalën si e tërë, ndërsa ata që mësojnë në gjuhë transparente mund ta "deshifrojnë" një fjalë shkronjë për shkronjë.

Kjo do të thotë që një fëmijë që mëson të lexojë në anglisht e kupton shpejt se duhet të mësojë përmendësh modele të parregullta, pasi deshifrimi i secilës shkronjë duke ndjekur rregullat e përgjithshme nuk do të funksionojë në shumë raste (siç e pamë më lart me "pint" dhe "mint"). Nga ana tjetër, një fëmijë që mëson të lexojë në spanjisht mund t'i bashkojë shkronjat, sepse në të vërtetë kjo funksionon në shumicën dërrmuese të rasteve. Këtu ka një element testi dhe gabimi, pasi fëmijët e kuptojnë natyrshëm se cila strategji bën punë ndërsa vazhdojnë përpara.

Në fakt, transparenca e gjuhës nuk ndikon vetëm te mësimnxënia e një lexuesi mesatar, por edhe të atyre që vuajnë nga disleksia. Studimet kanë treguar se në gjuhët me modele drejtshkrimore transparente, si spanjishtja ose finlandishtja, disa probleme që lidhen me disleksinë janë më pak të theksuara në krahasim me gjuhët opake si anglishtja ose frëngjishtja.

Të lexosh në një gjuhë të dytë

Në rekomandimin e tij për mësimnxënien dhe mësimdhënien e gjuhëve, Këshilli i Bashkimit Evropian u bën thirrje shteteve anëtare të BE-së të promovojnë arsimin shumëgjuhësh, duke përfshirë aftësitë e shkrim-leximit në gjuhë të ndryshme. Por si mund të kemi një qasje të përbashkët nëse pikënisja dhe destinacioni janë të ndryshme në secilin rast?

E thënë thjesht, ne nuk mundemi dhe në funksion të studimeve shkencore, as nuk duhet ta bëjmë një gjë të tillë. Dekada të tëra kërkimesh kanë nxjerrë në pah rëndësinë e përshtatjes së metodave arsimore me karakteristikat specifike të çdo kombinimi gjuhësor, duke marrë parasysh veçoritë e gjuhëve burimore dhe atyre që do të mësohen.

Le të imagjinojmë për një moment rastin e një fëmije që flet spanjisht, i cili tashmë lexon shpejt dhe saktë në spanjisht dhe njëkohësisht po mëson finlandisht. Rregullat e konvertimit grafemë-fonemë janë të ngjashme në të dyja gjuhët, dhe kjo do ta ndihmojë fëmijën të përvetësojë më lehtë shkrim-leximin e finlandishtes që në fillim.

Tani le të shqyrtojmë rastin (shumë më të zakonshëm) të të njëjtit fëmijë spanjoll që mëson të lexojë në anglisht. Ndërsa për atë fëmijë folja spanjolle "leer", që do të thotë "të lexosh", shqiptohet gjithmonë /leer/ (lír), ata duhet të pranojnë se fjala angleze "read" mund të shqiptohet në dy mënyra - "ríd ose "red" - në varësi të kohës së foljes.

Përveç të kuptuarit të këtyre parregullsive, fëmija duhet të pranojë gjithashtu se njohuritë e tij të mëparshme nuk do të jenë gjithmonë të dobishme dhe se duke parë të shkruara fjalët e anglishtes si yacht - jaht, queue - radhë ose genre – zhanër, nuk do ta kenë dhe aq të qartë si t’i shqiptojnë.

Prandaj, transparenca drejtshkrimore e një gjuhe ka një ndikim të madh në mënyrën se si mësojmë dhe lexojmë, qoftë në gjuhën tonë të parë, qoftë në një gjuhë të dytë që e mësojmë më vonë. Drejtshkrimi i një gjuhe jo vetëm që ndikon te ajo se sa e lehtë është për t'u mësuar, por gjithashtu modulon shprehjen e vështirësive specifike si disleksia, që do të thotë se sistemet e ndryshme arsimore duhet t’i përshtatin qasjet e tyre për t’i adresuar këto çështje.

Kuptimi i dallimeve në transparencën ndërmjet gjuhëve mund t'i ndihmojë nxënësit dhe edukatorët të zhvillojnë strategji më të mira për të nxënit dhe mësimdhënien kur flitet për gjuhën e shkruar.

*Drejtor i Katedrës Ndërkombëtare të Shëndetit Konjitiv (ICCH) në Universitetin Nebrija, Madrid

/ The Conversation

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.