BE qorton Francën dhe Italinë për nivelin e lartë të borxhit

Postuar në 19 Qershor, 2024 19:17

Komisioni Europian u tërhoqi vëmendjen sot Francës dhe gjashtë vendeve të tjera të BE-së (Belgjika, Italia, Hungaria, Malta, Polonia, Sllovakia) për shpenzimet, duke u sugjeruar që të ndërmarrin veprime korrigjuese pasi u zbulua se shkelin kufijtë e deficitit dhe borxhit të vendosur sipas rregullave fiskale të bllokut.

Bazuar në të dhënat e vërtetuara nga Eurostat, deficiti i përgjithshëm i qeverisë së Francës u rrit nga 4,8% e PBB-së në 2022 në 5,5% në 2023”, tha Komisioni në vlerësimin e tij.

Rregullorja e borxhit dhe deficitit është riaktivizuar pas një ngrirjeje të përkohshme që u dha mundësi qeverive që përmes shpenzimeve publike të zbusin goditjen ekonomike të pandemisë Covid-19.

Vendimi i Komisionit Europian vjen në një moment kur Bashkimi Kombëtar i ekstremit të djathtë (RN) në Francë po bën fushatë për të udhëhequr qeverinë pasi fitorja në zgjedhjet europiane e detyroi Presidentin Emmanuel Macron të shpallte zgjedhjet e parakohshme.

Nëse partia e Le Pen fiton, masa e BE-së mund të shërbejë për të kufizuar planet e saj të shpenzimeve që bëjnë bashkë shkurtimet e taksave dhe proteksionizmin. Franca dhe vendet e tjera duhet t'i paraqesin Komisionit një udhërrëfyes në vjeshtë, duke përcaktuar se si synojnë t'i kthejnë buxhetet e tyre në nivelin e duhur. Në të kundërt, mund të gjobiten.

E ashtuquajtura Procedura e Deficitit të Tepruar (EDP) është krijuar për të frenuar shpenzimet në vendet që tejkalojnë kufirin e borxhit publik.

Rregullorja europiane parashikon që borxhi i një shteti anëtar nuk mund të kalojë 60% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB).

Vendet debitore, që kanë me nivele borxhi mbi 90% të PBB-së duhet të ulin raportin e tyre të borxhit me një pikë përqindje në vit.

Për më tepër, deficiti i përgjithshëm i qeverisë – raporti midis të ardhurave dhe shpenzimeve të qeverisë - duhet të mbahet nën 3%.

Sipas parashikimit ekonomik të komisionit, Franca është në -5.5%, Italia është në -4.4% dhe Belgjika është në -4.4% dhe do të kalojë këtë kufi të deficitit në 2024.

Austria, Finlanda, Estonia, Hungaria, Malta, Polonia, Rumania dhe Sllovakia gjithashtu kanë deficite shumë të larta. Spanja është saktësisht -3.0%.

Për nga pesha ekonomike në BE, Franca dhe Italia renditen përkatësisht e dyta dhe e treta në listën e kryesuar nga Gjermania.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.