Orgjitë
Orgjitë e antikitetit grek dhe romak, vijnë në imagjinatën tonë falë filmave që portretizojnë perandorë të shthurur, ose ndoshta konkretisht Satyricon e Fellinit. Termi përdoret edhe sot për të nënkuptuar të gjitha llojet e teprimit. Për ne, orgjia përfaqëson kremtimin përfundimtar të kënaqësive të mishit, në një botë të lashtë, të lirë nga kufizimet morale. Por si ishin orgjitë në realitet?
Fjala vjen nga greqishtja orgia. Kjo nënkupton rite të praktikuara për nder të perëndive si Dionisi, kulti i të cilit kremton rigjenerimin e natyrës. Bëhet fjalë për të ashtuquajturat kulte të misterit - që do të thotë, të kufizuara vetëm te iniciuesit, burra dhe gra, të betuar paraprakisht se nuk do të zbulojnë sekretet e tyre.
Termi orgia sugjeron pasion dhe trill. Ritet e orgjisë – pak të njohura për shkak të misterit që i rrethon – mund të përfshinin përdorimin e objekteve të një forme seksuale, gjatë shfaqjeve ekstatike dhe të dhunshme që synonin të arrinin një gjendje marramendjeje kolektive.
Por vetëm pas vitit 1800, gjatë shekullit XIX dhe veçanërisht në literaturën franceze, orgjia mori kuptimin e praktikave seksuale në grup, më së shpeshti të lidhura me teprimin me alkoolin dhe ushqimin. Floberi, në tregimin e tij “Smarh”, shkruar në 1839, flet për "një festë gjatë natës, një orgji plot gra lakuriq, të bukura si Venusi".
Prostitutat… dhe peshqit
Megjithatë, orgjia, e përkufizuar siç duhet, nuk është një shpikje moderne. Banketet që përziejnë gastronominë dhe kënaqësinë erotike janë të njohura në tekstet klasike. Kështu, në shekullin e IV para erës sonë, oratori grek Eskini, në fjalimin e tij kundër Timarkut, akuzon armikun e tij se u është dorëzuar "veseve më të turpshme" dhe "gjithçkaje që një fisnik i lirë nuk duhet ta lejojë veten t’i nënshtrohet".
Cilat ishin këto kënaqësi të ndaluara? Timarku fton flautistë në shtëpi dhe gra të tjera të sprovuara dhe ha darkë me to. Ne kuptojmë se flautistët aty nuk ishin thjesht si artistë, të zgjedhur vetëm për talentin e tyre muzikor, por prostitutat e reja po përgatiteshin për të kënaqur kërkesat seksuale të klientëve.
Përveç prostitutave të zgjedhura, ngrënia e peshkut shumë të shtrenjtë është një detaj që theksohet veçanërisht nga oratorët e shekullit të IV para Krishtit. Demosteni i lidh bashkë këto dy aspekte të shthurjes në fjalimin e tij “Ambasada e rreme”.
Në vitin 346 p.e.s, qyteti i Athinës i kishte dërguar ambasadorë mbretit Filipi II të Maqedonisë, i cili kërcënonte Greqinë me trupat e tij. Por sundimtari i korruptoi disa nga ambasadorët athinas, deri në atë pikë sa ata mbështetën ambiciet e tij perandorake.
Një nga këta të dërguar, i cili ishte blerë nga mbreti maqedonas, akuzohet nga Demosteni se i kishte shpenzuar fitimet e tij të paligjshme për "prostituta dhe peshq". Një dozë e dyfishtë grykësie.
Shthurjet romake
Edhe historianët romakë përshkruajnë festa të bollshme, me ushqim dhe seks në çift. Në dekadën 89-80 para Krishtit, tirani Sylla ishte lideri i parë politik romak që organizonte festa erotike me pije. Ai e kishte marrë konceptin nga Lindja Greke, ku kishte zhvilluar një fushatë ushtarake. Sylla e kalonte natën me aktorë komikë, muzikantë dhe artistë të mimës, shkruan Plutarku (Life of Sylla, 36).
Kërcimi erotik ishte një nga aftësitë shtesë të kurtizaneve, dhe njëkohësisht nuk ishte e rrallë që prostitutat të zotëronin edhe artin e mimës. Ato lëviznin në qendër të festës dhe ndonjëherë simulonin edhe akte seksuale.
Historiani latin Suetonius e portretizon Tiberin si arketipin e perandorit të shthurur. Në pallatin e tij në Capri, ai organizonte spektakle të guximshme pornografike. Ai mbante rreth vetes aktorë të rinj, të cilët para syve të tij angazhoheshin në akte seksuale të quajtur spintriae - një term latin, me shumë mundësi nga sfinkteri grek (anus), që sugjeronte seks në grup në formë zinxhiri (Jeta e Tiberius, 43)
Kaligula, pasardhësi i Tiberiusit, sipas Suetonius, flinte me motrat e tij, para syve të të ftuarve (Life of Caligula, 24). Njeri që bënte incest dhe ekzibicionist, ai theu kështu njëkohësisht dy tabu romake. Ai e nxirrte para të ftuarve gruan e tij Caesonia, mbi kale dhe të veshur si luftëtare, ose edhe krejtësisht nudo. Një bashkëpunëtore e gatshme në këto trille të burrit, Perandoresha i shijonte veçanërisht këto seanca speciale, sepse ajo ishte, thotë Suetonius, "e zhytur në shthurje dhe ves" (Life of Caligula, 25).
Rreth 20 vjet më vonë, perandori Neron "i bëri festat e tij të zgjasin nga mesdita në mesnatë", shkruan Suetonius (Life of Nero, 27). Të gjitha shqisat duhej të ngopeshin gjatë këtyre festave të gjata. Ato ishin simfoni të ushqimit, muzikës dhe trupave të zhdërvjellët – për t’i parë apo për t’i shijuar – ndërsa skllevërit lëshonin si shi nga tavani lule dhe mbushnin ajrin me parfum.
Gjatë një feste të perandorit Elagabal rreth vitit 220 pas Krishtit, të ftuarit u asfiksuan "dhe nuk ishin në gjendje të çliroheshin", nëse zgjedhim t’i besojmë autorit të Historia Augusta (Jeta e Antoninus Heliogabalus).
Por këto bankete dekadente nuk ishin më të zakonshme gjatë Perandorisë Romake sesa sot. Nuk ka asnjë dyshim për kuptimin e këtyre përshkrimeve të orgjive nga autorët antikë. Gjithmonë ka një qëllim moral: të dënohet "shthurja", në emër të modestisë dhe maturisë.
Denoncimi i krishterë
Krishterimi i Perandorisë Romake vetëm sa e përforcoi këtë perspektivë morale. Ka një shembull të mirë në veprën e Shën Agustinit (Predikimi i 16-të, mbi prerjen e kokës së Gjon Pagëzorit).
Mënyra si portretizohet Herod Antipa, sundimtari i banketit të Galilesë, me ushqime të pafundme, nënvizon grykësinë e të ftuarve. Agustini shton një shthurje që është tërësisht vepër e Satanait. Herodi i kërkon stërmbesës së tij Salomes që të kërcejë për të. Gruaja e re, pasi zbulon gjoksin gjatë një vallëzimi të furishëm, kërkon në këmbim të kësaj kokën e Gjon Pagëzorit, të servirur në një pjatë.
Nga Roma në Babiloni
Duke u shkëputur nga tekstet klasike, filmi i Damien Chazelle, “Babilonia”, e përball shikuesin me një skenë të madhe orgjie pa ndonjë gjykim të qartë moral mbi të.
Kjo është ndoshta një nga arsyet që reagimet janë polarizuar fuqishëm, mes kritikuesve që e quajnë atë një film që e tepron dhe admiruesve që përshëndesin një "orgji vizuale" të mrekullueshme.
*Profesor i historisë së lashtësisë, Universiteti i Lorraine
Përktheu: Gazmira Sokoli
Add new comment