G7, 56 miliardë euro paketë huaje për Ukrainën
Një paketë huaje prej 46 miliardë eurosh do t’i jepet Ukrainës. Vendet e G7 e arritën këtë dakordësi në samitin që po mbahet në Itali.
Ndërkohë, veçmas, presidenti amerikan nënshkroi një marrëveshje sigurie 10-vjeçare me homologun Zelenskyy.
Paratë dhe mbështetja e sigurisë synojnë të demonstrojnë solidaritet dhe t'i dërgojnë një mesazh të qartë presidentit rus Vladimir Putin se demokracitë kryesore të industrializuara në botë mbështesin fuqishëm Ukrainën në konfliktin e saj me Rusinë.
"Ne arritëm një marrëveshje politike për të ofruar mbështetje financiare shtesë për Ukrainën, prej rreth 50 miliardë dollarë (46 miliardë euro), deri në fund të vitit me një sistem kredish", tha kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila është mikpritëse e samitit.
Financimi për kredinë do të vijë nga interesi i fituar nga aktivet e ngrira të bankës qendrore të Rusisë.
Fondet mund të arrijnë në Kiev përpara fundit të vitit. Pjesa më e madhe e parave do të jepet në formën e një kredie nga qeveria amerikane që do të mbështetet nga fitimet e papritura të gjeneruara nga afërsisht 278 miliardë euro në asetet e pamobilizuara ruse.
Shumica dërrmuese e parave mbahen në vendet e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë një vlerësim i Bankës Botërore për Ukrainën, i publikuar në shkurt, përllogarit se kostot për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e vendit janë 450 miliardë euro gjatë 10 viteve të ardhshme.
SHBA dhe aleatët e saj ngrinë menjëherë çdo pasuri të bankës qendrore ruse në të cilën kishin akses kur Moska pushtoi Ukrainën në vitin 2022.
Asetet nuk mund të aksesohen nga Moska – por ato ende i përkasin Rusisë.
Megjithatë, edhe pse është marrë një vendim politik nga liderët, detajet teknike dhe ligjore të marrëveshjes ende duhet të përpunohen.
G7 përfshin Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Add new comment