Rugova, mes historisë dhe shashkave propagandistike të politikës
Aktiviteti i zhvilluar në Prishtinë me rastin e 25 vjetorit të çlirimit dhe figurën e Ibrahim Rugovës ka provokuar disa reagime për prirjet mistifikuese që politika ndjek, e në këtë kuadër edhe për thjeshtimet e mëdha "ligjërimore" të proceseve historike, duke çuar në deformime.
P.sh u mediatizua shumë deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama se në thelb Rugova e krijoi UÇK-në ose në ligjëratë të drejtë:
Pa Rugovën nuk do të kishte UÇK
Në një diskutim në emisionin “Pressing”, dy bashkëudhëtarë të Rugovës, themelues të Lëvizjes Demokratike të Kosovës, Milazim Krasniqi dhe Jusuf Buxhovi, kanë “demantuar”(sa për të përdorur një frazë nga publicistika kosovare) “tezën” e z. Rama duke cilësuar se LDK dhe UÇK janë kontribute komplementare në pavarësinë e Kosovës. Krasniqi madje ka folur për negociata mes të dyja palëve dhe sesi UÇK ishte një rrugë alternative drejt pavarësisë.
Sipas tij deklarimi i z. Rama duhet parë si pjesë e qasjes së tij marketuese, “për t’u dukur sharmant siç e ka ai”, por jo si një e vërtetë.
Buxhovi dhe Krasniqi kanë kritikuar ekipin drejtues të LDK-së që nuk kishte ftuar në atë takim njerëz që kanë qenë themelues të LDK-së dhe bashkëpunëtorë të Rugovës, duke dëshmuar probleme të mëdha personaliteti sidomos tek Lumir Abdixhiku.
Qëndrim kritik është mbajtur edhe rreth tezës thjeshtuese dhe të pavërtetë se “Rugova ishte themeluesi i LDK-së”, pasi ai në fakt iu bashkua lëvizjes të materializuar si veprim nga të tjerë.
Bëhet fjalë për 23 persona në fillesë, emra të njohur të jetëë intelektuale të Kosovës që nisën rrugëtimin me devizën e barazisë në Federatë dhe vetëm në maj 1991, kur shpërtheu lufta, u kalua në ndryshim programor dhe u fol për pavarësi.
Për Krasniqin, Rugova “u markua si lider” pas një incidenti në Beograd me shkrimtarë serbë, në një takim gjatë të cilit po shahej Shqipëria dhe aty me forcën e paparashikueshme të vendosmërisë së “një njeriu shumë të butë”, Rugova replikoi hapur, "duke i rrëmbyer folësit serb mikrofonin nga dora". Jemi në vitin 1989.
Mandej projekti i LDK-së u kristalizua me rekomandime të ambasadorit amerikan Zimmerman që në një takim katërsh ku ishte edhe Krasniqi, kërkoi nisjen e një lëvizjeje legaliste me Federatën.
Ju do të vuani, ne do t’ju mbështesim dhe në fund do të fitoni
citon Krasniqi fjalët e diplomatit amerikan që përsëriti edhe në Lubjanë dhe Zagreb se “Federata Jugosllave duhet të ekzistonte si shtet demokratik, por ajo nuk do të mbrohej me çdo kusht”.
Një sinjal i ndryshëm nga doktrina e ambasadorit Eagleberger qe deklaronte se Jugosllavia do të mbrohej me çdo kusht
shton Krasniqi.
Këto dhe episode të tjera plotësojnë një histori shumë komplekse, sikurse qartësojnë kuadrin ku duhet të vepronte elita kosovare, e cila e merr aureolën e suksesit të vet pikërisht sepse kuptoi kohën ku jetoi, parashikoi kohën që po vinte, i qëndroi orientimit strategjik të Rilindjes Kombëtare dhe më kryesorja, riedukoi politikisht një popull që kishte indoktrinim, por edhe frikë. Aq sa LDK arriti të kishte 700 000 anëtarë dhe për 2 muaj shpërbëri infrastrukturën politike të komunistëve.
Vlerësimi i Rugovës pra do të duhet të kuptohej në një kontekst krejt tjetër nga ai që përcjell ikonizimi i tij mediatik, të cilin me gjasë z. Rama e huazon për të verbalizuar mesazhe që treten në momentin që thuhen, por që kanë të mirën se nxisin me të vërtetën sipërfaqësore, pra me të pavërtetën e tyre, një diskutim të dobishëm.
Këtu meriton një vëmendje fakti i vënë në dukje nga Krasniqi sipas të cilit
nëse ka një fushë ku ne e mundëm plotësisht Serbinë, kjo është propaganda
Mesa duket kështu vjen sot Rugova në perceptimin e nevojave politike: si produkt propagandistik, pavarësisht se dikush përpiqet ta vitrinizojë pa e kuptuar as vetë, me materie të historisë. Më saktë, parathënieve të shpejta të librave historikë.
s.zaimi
Add new comment