Hakerohen të dhënat gjenetike të rreth 7 milionë britanikëve dhe kanadezëve
Të dhënat e 6.9 milionë përdoruesve kanadezë dhe britanikë janë hakeruar vitin e kaluar.
Rasti u bë publik pasi autoritetet në të dy vendet njoftuan nisjen e hetimeve.
Të dhënat janë marrë përmes kompanisë së testimit gjenetik 23andMe dhe përfshijnë pemët familjare, vitet e lindjes dhe vendndodhjet gjeografike.
Grupi i përbashkët i punës, që është ngritur për hetimin e rastit, do të analizojë nëse kompania i kishte marrë masat mbrojtëse adekuate.
Të dhënat e vjedhura në tetor të vitit të kaluar nuk përfshinin të dhënat e ADN-së.
23andMe është një gjigant i industrisë në rritje të gjurmimit të paraardhësve dhe ofron testime gjenetike nga ADN-ja, me ndarje të prejardhjes dhe njohuri të personalizuara shëndetësore.
Hakerët kanë arritur të hyjnë në rreth 14 000 llogari individuale, ose 0.1% e klientëve, duke përdorur të dhënat e postës elektronike dhe fjalëkalimin e ekspozuar më parë në hakime të tjera.
Kjo u ka dhënë atyre akses jo vetëm në informacionin privat të individit të hakeruar, por edhe mundësinëpër të hyrë në llogaritë te të tjerëve.
Sipas Zyrës së Komisionerit të Informacionit në Mbretërinë e Bashkuar (ICO), të dhënat e ruajtura nga 23andMe "mund të zbulojnë informacione për një individ dhe anëtarët e familjes së tyre, duke përfshirë shëndetin, përkatësinë etnike dhe marrëdhëniet biologjike".
"Në duar të gabuara, informacioni gjenetik i një individi mund të keqpërdoret për mbikëqyrje ose diskriminim," citohet nga BBC komisioneri kanadez i privatësisë, Philippe Dufresene.
Add new comment