Gazi rus në Europë, Uniper i jep fund kontratës me Gazprom

Postuar në 12 Qershor, 2024 14:14

Importuesi më i madh gjerman i gazit, Uniper, ka vendosur të ndërpresë kontratat e furnizimit me gaz me një filial të gjigantit rus të energjisë Gazprom, duke i dhënë fund ligjërisht marrëdhënies së tij afatgjatë me korporatën.

Uniper nisi procedurat e arbitrazhit kundër Gazprom Export në vitin 2022, duke kërkuar dëmshpërblim për shkak të furnizimeve të padërguara të gazit.

Nga qershori i vitit 2022, drejt Uniper është dërguar një sasi e kufizuar gazi, ndërsa në gusht të po atij viti, kompania gjermane i ndërpreu blerjet plotësisht pasi BE-ja vendosi sanksione ndaj Moskës për konfliktin në Ukrainë. 

Megjithatë, kontratat afatgjata të furnizimit ndërmjet dy kompanive mbetën në fuqi ligjërisht. Gazprom Export tha në atë kohë se nuk pranoi shkeljen e kontratave dhe u zotua të kundërshtojë kërkesën e Uniper për kompensim.

Por pak ditë më parë, një gjykatë arbitrazhi në Stokholm i dha Uniper të drejtën për t’u tërhequr nga kontrata.

Kompania raportoi një humbje rekord prej 19.1 miliardë euro (më shumë se 20 miliardë dollarë) për vitin 2022, duke përmendur ndërprerjen e plotë të furnizimit me gaz rus si arsyen kryesore të rënies së fitimeve. Firma u shtetëzua në dhjetor 2022.

Gjykata e arbitrazhit caktoi për dëmshpërblim financiar në shumën prej më shumë se 13 miliardë euro (14 miliardë dollarë) për humbjet. Kjo do të thotë që shuma në fjalë tani t’i kalojë direkt qeverisë federale gjermane.

Sasia e gazit që Rusia solli në Europë gjatë vitit 2023 ra në 15%, ndërkohë që një vit para konfliktit me Ukrainën, pra në vitin 2021, Rusia i siguronte Europës 41% të sasisë së nevojshme të gazit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.