Lufta e Europës me ekomafian, rregullore e re për eksportin e mbetjeve

Postuar në 10 Qershor, 2024 16:46

Çdo vit, Evropa eksporton miliona tonë mbeturina në vendet në zhvillim, dhe jo të gjitha në mënyrë legale. Kjo sjell ndikime potencialisht negative në shumë prej vendeve pritëse.

Në këtë biznes shumë fitimprurës, vlerësohet se një e treta e dërgesave janë të paligjshme dhe organizatat kriminale përfitojnë miliarda euro. Prandaj, Bashkimi Evropian ka vendosur të kufizojë eksportet e mbetjeve dhe të inkurajojë riciklimin në të gjithë Evropën.

Një nga rastet më alarmuese të trafikut të paligjshëm të mbetjeve mbahet mend si afera “Plehrat italiane”, në vitin 2020. Gati 300 kontejnerë të mbushur me mbeturina mbërritën në portin e Sousse, në Tunizi. Shoqëria civile atje luajti një rol vendimtar në kthimin mbrapsht të pjesës më të madhe të mbetjeve dhe një sërë dënimesh gjyqësore në të dy brigjet e Mesdheut.

Houssem Hamdi, themeluesi i një shoqate që promovon riciklimin në Tunis, është një nga sinjalizuesit e rrjetit Tunisie Verte, i cili ka luftuar që mbeturinat të kthehen në Evropë.

Një fitore e vogël për Tunizinë, për Afrikën dhe për të gjithë ambientalistët e mirë. Ishte gjithashtu një mënyrë për t'u dërguar mesazhin vendeve të tjera në bregun jugor se mund të bëhet. Ne po flasim për një rrjet të asaj që njihet si eko-mafia, e cila përfshinte edhe kompani, politikanë e kështu me radhë”, thotë ai për Euronews.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, eksporti i mbetjeve italiane drejt Tunizisë vijon. Këtë vit, doganat italiane sekuestruan edhe 82 tonë mbeturina gjatë rrugës për në Tunizi.

Nga ana tjetër e brigjeve italiane, menaxhimi i mbetjeve është një çështje e mprehtë. Tunizia ka nisur një plan të madh modernizimi, por në praktikë mbetjet shpesh groposen pa u ndarë. Disa janë të kontrolluara, të tjera janë të paligjshme.

Një nga pasojat direkte është ndotja e ujit të pijshëm.

Rreth 61.3 milionë tonë mbetje janë nxjerrë nga vendet europiane në vitin 2023.

Rreth 35.1 milionë tonë janë eksportuar në vendet joanëtare, praktikisht 80 kg për person.

Rreth 60% e mbetjeve të eksportuara janë dërguar në tre vende.

Turqia është destinacioni kryesor, me 38% të mbetjeve të eksportuara, e ndjekur nga India me 17% dhe Egjipti me 5%.  

Rreth 1/3 e totalit eksportohet në mënyrë të paligjshme.

Konventa e Bazelit përcakton që jo të gjitha llojet e mbetjeve mund të importohen. Por portet si ai i Bizertes në Tunizi janë kthyer në qendra nga ku importohen mbetje, të cilat më pas eksportohen drejt vendeve të tjera si ato të Afrikës.

Në Europë ka hyrë në fuqi një rregullore e re. Vendet që nuk janë anëtare të OECD, si Tunizia, do të duhet të dëshmojnë se kanë kapacitetin për t’i trajtuar mbetjet në mënyrë të qëndrueshme, para se t’i importojnë ato. Rregullorja e re parashikon ndalimin e eksportit të mbetjeve plastike jashtë BE-së. Rregullorja parashikon edhe disa strategji të reja për të luftuar grupet e eko-mafias.

Ato do të vihen në zbatim në portet si ai i Genovas në Itali, një nga qendrat kryesore të transportit në Mesdhe. Doganierët këtu janë në ballë të luftës kundër trafikut të paligjshëm të mbetjeve. Më shumë se një milion kontejnerë kalojnë çdo vit nëpër këto doke. Një pjesë e këtyre mbetjeve eksportohet me deklarata të rreme doganore.

Doganat italiane janë pjesë e një sistem të ri europian të alarmit të shpejtë, i cili aktivizohet kur identifikohen ngarkesat e dyshimta. Ato mund të skanohen dhe inspektohen.

Njëkohësisht, Bashkimi Evropian ka forcuar edhe ligjin për krimin mjedisor, duke ashpërsuar dënimet dhe duke zgjeruar listën e atyre që përbëjnë vepër penale. Në koordinimin e hetimeve, një rol kyç luan OLAF.

Biznesi toksik i mbetjeve është fitimprurës. Rregullat e reja inkurajojnë transferimin dhe rikuperimin e mbetjeve brenda BE-së. Në Francën veriore p.sh., një fabrikë riciklimi në Escaupont, në pronësi të Derichebourg Environnement. Aty riciklohen kabllot e vjetra elektronike. Kapaciteti vjetor është 20 000 tonë në vit, e barabartë me dy Kulla Eifel.

Pas riciklimit përftohet bakër, i cili më pas shitet në Belgjikë dhe Gjermani.

Kompania ricikluese ka përfituar fonde nga plani francez i rimëkëmbjes, pasi bakri u cilësua nga BE si material me rëndësi thelbësore për të nxitur elektrifikimin e industrisë dhe prodhimit ekonomik.

Ekonomia rrethore është një prioritet i Marrëveshjes së Gjelbër. Por më pak se 12% e materialeve të konsumuara sot në BE vijnë nga riciklimi.

Kjo do të thotë se objektivat ambiciozë të riciklimit duhet të shkojnë paralel me stimujt ndaj prodhuesve për të përdorur materialet e ricikluara.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.