Flet bashkëshortja/Abu Bakr al-Baghdadi u radikalizua në burg ku iu ekspozua torturave seksuale
BBC-ja sjell një intervistë të parë të Umm Hudaifa, bashkëshortja e parë e Abu Bakr al-Baghdadi, ish-kreu i Shtetit Islamik që tronditi Lindjen e Mesme pas fillimeve të Pranverës Arabe. Me këtë rast BBC-ja zbulon edhe një foto të papublikuar më herë të al-Baghdadit, emri i vërtetë i të cilit ishte Ibrahim Awad al-Badri, një person që kishte studiuar Sheriatin në universitetin e Bagdadit dhe që sipas Hudaifas në atë kohë ka qenë “fetar por jo ekstremist, konservator por mendjehapur”. Sipas saj, al-Badri ndryshoi thuajse tërësisht pas burgosjes së tij nga amerikanët në vitin 2004 në kampin Buça, krahas të tjerëve që do të bëheshin mandej figura drejtuese të Shtetit Islamik.
Nisi të kishte probleme psikologjike. Kur e pyeta pse ai më tha se i “ishte ekspozuar diçkaje që ti nuk mund ta kuptosh”
Hudaifa hamendëson se ai i ishte nënshtruar torturave seksuale në burg, një akuzë që gjen analogji në pamjet e burgut Abu Ghraib, por për të cilat BBC-ja raporton se nuk pati konfirmim nga Pentagoni. Hudaifa shprehet se u bind që i shoqi ishte përfshirë me xhihadizmin sunit në vitet 2006-2008 kur Iraku u përfshi nga një luftë sektare.
Ne u zhvendosëm në Siri në janar të vitit 2012 dhe aty mu bë absolutisht e qartë se ai ishte emiri
shprehet Hudaifa, e cila vetë akuzohet se ka marrë pjesë në veprimtarinë e të shoqit.
Add new comment