Blair në Kosovë: E dija që para 25 vitesh se po bënim gjënë e duhur

Postuar në 10 Qershor, 2024 12:29

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, mbajti një fjalim në Parlamentin e Kosovës, ku ndodhet për një vizitë. Blair, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 dhe ndihmoi Kosovën të fitonte pavarësinë, tha se nuk pendohet kurrë për vendimin e marrë 25 vite më parë.

Në këtë ditë 25 vjet më parë u arrit marrëveshja. Kosova më në fund u lirua, njerëzit mund të jetojnë, të shpresojnë, të besojnë sërish në të ardhmen e lirë nga presioni dhe padrejtësia. Sot kujtojmë ata që vdiqën, që dhanë jetën për çlirimin e këtij kombi. Ne kujtojmë guximin e tyre, sakrificën e tyre dhe shprehim mirënjohjen tonë të përjetshme për ta dhe për familjet e tyre. Takuam refugjatë kosovarë në kampet afër Shkupit, dëgjuam rrëfime të prekshme. Në fytyrat e tyre kërkohej ndihmë. Ne ndihmuam dhe nuk jam penduar kurrë, ka thënë Blair.

Blair tha se ndërhyrja e NATO-s në luftën e Kosovës i dha fund një makthi dhe i hapi vend ndërtimit të një ëndrre. Ai shtoi se njësoj si sot, edhe atëherë ishte i bindur se ky ishte vendimi i duhur.  

Dua t’i nderoj njerëzit e Kosovës për guximin dhe vendosmërinë e tyre në atë kohë para 25 vitesh dhe vendosmërinë e tyre të palëkundur që t’ia shohin të mirën çlirimit të para 25 viteve. Atëherë isha i bindur se ishte e gjëja e duhur për ta bërë dhe vazhdoj ta kem këtë bindje dhe tani jam i bindur që duhet të rrimë krahë njerëzve të Kosovës, në mënyrë që e ardhmja e Kosovës të jetë në linjë me meritat e njerëzve të saj, deklaroi Blair.

Blair shtoi se vendi i Kosovës është në familjen e kombeve dhe u bëri thirrje vendeve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës ta bëjnë atë.  

“Këtu po ndodhin gjëra pozitive që janë mësim për tërë botën e jo vetëm për popullin e Kosovës dhe pres me padurim ta shoh ditën kur Kosova si komb i pavarur dhe sovran zë vendin e duhur në familjen e kombeve. Dua të shpreh falënderimin dhe solidaritetin me njerëzit e Kosovës që e kam ndjerë atë kohë, e ndiej tani dhe do ta ndiej edhe në të ardhmen, tha ai.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.