Ekstremi i djathtë europian përjashton nga grupi AfD-në gjermane
Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) e Gjermanisë është përjashtuar nga grupi i saj pan-evropian Identiteti dhe Demokracia në Parlamentin Evropian pas një sërë skandalesh që e kanë dëmtuar popullaritetin e saj.
Tensionet e nisura prej kohësh midis partive të së djathtës ekstreme evropiane u shtuan këtë javë kur Maximilian Krah, kandidati kryesor i AfD-së për zgjedhjet evropiane, i tha një gazete italiane se anëtarët e SS-së naziste nuk mund të quhen domosdoshmërisht kriminelë.
Pas këtyre komenteve, udhëheqësja franceze e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cila drejton Bashkimin Kombëtar, që i përket të njëjtit grupim si AfD, tha se nuk dëshiron të ulet më në të njëjtën tyrezë me të.
Udhëheqja e grupit ID votoi përjashtimin e AfD-së, dy javë para se miliona njerëz të shkojnë në qendrat e votimit për të votuar në zgjedhjet evropiane.
“AfD po kalon nga një provokim në tjetrin”, tha Le Pen në televizionin francez pas votimit. Partia, shtoi ajo, është “qartësisht e kontrolluar nga grupet radikale”.
Vetëm krerët e partive të ekstremit të djathtë austriakë dhe estonez në Parlamentin Evropian iu bashkuan AfD-së në votimin për ta mbajtur partinë pjesë të grupit ID.
“AfD në Parlamentin e BE-së po paguan kështu çmimin për deklaratat e pakontrolluara të Maximilian Krah, të cilat dëmtojnë AfD-në në Gjermani dhe e izolojnë atë në BE”, thanë eurodeputetët e AfD-së, Christine Anderson dhe Gunnar Beck.
Add new comment