Vrapim me pengesa drejt BE-së

Postuar në 21 Maj, 2024 22:40

Disa vende anëtare i kërkuan sot (21 maj) BE-së, të nisë negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë deri në fund të qershorit. Megjithatë, janë disa pengesat teknike dhe politike deri në marrjen e vendimit.

Në dhjetor të vitit të kaluar, BE-ja mori vendimin politik për të hapur bisedimet e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Kjo shënoi hapin e parë për dy vendet, të cilat kanë nisur të shqyrtojnë përafrimin e ligjeve të tyre me ato europiane.

Por hapja e negociatave kërkon pranimin nga vendet anëtare të një kornize formale negociuese, e propozuar nga Komisioni Evropian në mars.

Fillimisht, zyrtarët e BE-së shpresuan se Konferenca e parë Ndërqeveritare (IGC) mund të ishte mbajtur menjëherë pas marsit pasi procesi i shqyrtimit mund të kryhet paralelisht me IGC-në e parë.

Gati gjysma e shteteve anëtare të BE-së mbështesin mbajtjen e konferencës së parë nën presidencën belge të Këshillit të BE-së, e cila përfundon më 30 qershor.

Presidenca belge ia lë radhën asaj hungareze dhe kjo mund të sjellë politizimin e skajshëm të kësaj çështjeje gjatë qëndrimit të Budapestit në krye të BE-së.

Ministri francez i çështjeve të BE-së, Jean-Noel Barrot, bëri thirrje për "hapjen efektive të negociatave" përpara se presidenca e radhës e Belgjikës të përfundojë në fund të qershorit. Kësaj thirrjeje iu bë jehonë nga disa vende të tjera anëtare të BE-së, duke përfshirë Irlandën dhe Suedinë.

Data e fundit e mundshme e shpallur nga presidenca belge është tani 25 qershori, dy ditë përpara samitit të qershorit të BE-së, konfirmuan për Euractive disa diplomatë të BE-së.

Nëse kjo ndodh, Kievi dhe Kishinau shpresojnë të hapin negociatat mbi të ashtuquajturin "grup negociator" të parë në kapitullin "themelore" - i cili përfshin çështje që lidhen me drejtësinë, të drejtat themelore, prokurimin publik të shtetit të së drejtës - në fillim të vitit 2025.

Megjithatë, faza e dytë e procesit të shqyrtimit, gjatë të cilës vendet kandidate duhet të paraqesin se sa të përafruara janë, është shumë teknike dhe mund të zgjasë ende deri në fund të këtij viti.

Diplomatët e BE-së i druhen qasjes së Hungarisë në raport me përparimin e bisedimeve të pranimit kur të marrë presidencën në korrik.

Budapesti gjatë muajve të fundit ka argumentuar se Ukraina po merr trajtim preferencial pavarësisht se nuk përmbush kriteret e kërkuara, duke përfshirë mosmarrëveshjen e tyre dypalëshe mbi të drejtat e pakicave kombëtare.

Krahas Hungarisë, edhe qeveria e re holandeze e ekstremit të djathtë të Geert Wilders mund të jetë potencialisht pengesë pasi pritet të shfaqet më pak miqësore ndaj zgjerimit.

Megjithatë, fillimi i negociatave do ta vendoste Kievin vetëm në startin e një rruge të gjatë, që ka të ngjarë të jetë një proces reformash një dekadë përpara se të mund të bëhet përfundimisht vend anëtar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.