Rusia nis stërvitjet me armë bërthamore taktike pranë Ukrainës
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi sot se po mban stërvitje në Distriktin e saj Ushtarak Jugor, i cili kufizohet dhe përfshin pjesë të Ukrainës që Moska pretendon se i ka aneksuar.
Në njoftim nuk u specifikua saktësisht se ku po bëhet aktiviteti me karakter ushtarak, por shtoi se përmes tyre synohet testimi i “gatishmërisë së personelit dhe pajisjeve të njësive luftarake të armëve bërthamore jostrategjike për t'iu përgjigjur dhe për të siguruar pa kushte integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit rus”.
Stërvitja me armë bërthamore, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes është një “përgjigje ndaj deklaratave provokuese dhe kërcënimeve nga disa zyrtarë perëndimorë”.
Gjatë gjithë ofensivës së saj dyvjeçare në Ukrainë, Moska ka folur vazhdimisht për arsenalin e saj të armëve bërthamore dhe gatishmërinë për t'i përdorur ato në rast kërcënimi ekzistencial. Putini e urdhëroi mbajtjen e këtyre stërvitjeve në fillim të këtij muaji pasi një sërë deklaratash perëndimore mbi konfliktin në Ukrainë u përbuzën në Moskë.
Zyrtarët rusë vunë në dukje komentet e presidentit francez Emmanuel Macron për vendet e NATO-s që duhet të mos përjashtojnë vendosjen e trupave në Ukrainë dhe ministrit të Jashtëm britanik, David Cameron, i cili është shprehur se Kievi ka të drejtë të gjuajë raketa perëndimore në territorin rus.
Rrethi Ushtarak Jugor i Rusisë është qendra komanduese për ofensivën e saj në Ukrainë. Ai e ka selinë në Rostov-on-Don, 60 kilometra (40 milje) nga kufiri me Ukrainën dhe përfshin edhe pjesë të vendit që Rusia thotë se i ka aneksuar - rajonet e Krimesë, Donetsk, Kherson, Lugansk dhe Zaporizhzhia. Ministria e Mbrojtjes publikoi pamjet që tregojnë kamionë që transportonin raketa në një fushë ku përgatiteshin sistemet e lëshimit dhe trupat në një aeroport që përgatitnin një bombardues për të mbajtur një kokë bërthamore.
Sipas autoriteteve ruse, kjo është "faza e parë" e stërvitjes, e cila përfshin ushtrimin e ngarkimit të mjeteve lëshuese, drejtimin në vendet e caktuara të nisjes dhe ngarkimin e avionëve me raketa hipersonike "Kinzhal". Armët bërthamore taktike, të njohura gjithashtu si armë bërthamore jostrategjike, janë të projektuara për përdorim në fushën e betejës dhe mund të shpërndahen përmes raketave.
Add new comment