Pikëpyetje të reja mbi Marrëveshjen e Prespës
Një acarim i ri i marrëdhënieve mes Shkupit dhe Athinës vë në rrezik Marrëveshjen e Prespës.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha Euractiv se Marrëveshja e vitit 2018 midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të zbatohet nga "të gjitha palët" dhe me "mirëbesim".
“Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten thelbësore për procesin e zgjerimit. Marrëveshjet dypalëshe ekzistuese duhet të zbatohen me mirëbesim nga të gjitha palët, përfshirë Marrëveshjen e Prespës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë”, thuhet në deklaratë.
Kriza e re diplomatike midis dy vendeve shpërtheu pasi Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila vjen nga partia nacionaliste VMRO-DPMNE, refuzoi të përdorte emrin zyrtar të vendit gjatë inaugurimit të saj më 12 maj.
Siljanovska e quajti vendin “Maqedoni” në vend të Maqedonisë së Veriut, emri zyrtar kushtetues pas marrëveshjes së vitit 2018 për ndryshimin e emrit me Greqinë, e njohur ndryshe si Marrëveshja e Prespës.
Incidenti shkaktoi reagime në të gjithë Evropën dhe SHBA-në dhe shumë nisën t’I druhen ringjalljes së një mosmarrëveshjeje që konsiderohet plagë e hapur për rajonin e Ballkanit.
Incidenti u thellua më tej kur lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili deklaroi se do ta quajë vendin e tij si të dojë.
Madje Mickoski e ftoi Greqinë që të ankohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, siç parashikohet në nenin 19 të Marrëveshjes, në rast se e konsideron këtë shkelje të Marrëveshjes së Prespës.
Marrëveshja e Prespës i hapi rrugën Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Por mes një krize të re, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis (Demokracia e Re, PPE) kërcënoi të vërë veton në rrugën e Maqedonisë së Veriut në BE nëse Shkupi nuk respekton marrëveshjen për ndryshimin e emrit.
Kreu grek theksoi gjithashtu se tre protokollet pezull të bashkëpunimit që janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës, të cilat partia në pushtet ka shmangur t'i bëjë për shkak të kundërshtimit të disa prej forcave të vijës së ashpër në radhët e saj, nuk do të kalojnë në Kuvend.
“Nëse dikush mendon se mund ta shpërfillë Marrëveshjen e Prespës, duhet ta dijë se rruga e tyre drejt Evropës do të mbetet e mbyllur dhe se protokollet nuk do të ratifikohen nëse nuk respektohet ajo që parashikon Marrëveshja”, tha Mitsotakis.
Partia socialiste greke Pasok, e cila renditet e treta në sondazhe, thotë se nuk do të japë dritën jeshile për ratifikimin e protokolleve në pritje.
Protokollet, të cilat janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës, kanë të bëjnë me përgjegjësitë e Greqisë në lidhje me kontrollin e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut dhe i ofrojnë Shkupit trajnim dhe njohuri për çështjet e BE-së.
Partia kryesore opozitare e majtë Syriza, e cila nënshkroi Marrëveshjen e Prespës, tani po përpiqet të rrisë presionin ndaj partisë në pushtet Demokracia e Re duke paraqitur një propozim në parlamentin grek për ratifikimin e memorandumeve në pritje.
Kur ishte në opozitë, Partia Demokracia e Re kundërshtoi me vendosmëri Marrëveshjen e Prespës, por u zotua se do ta respektonte atë kur të vinte në pushtet në vitin 2019.
Familja politike e BE-së e Demokracisë së Re, Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë (EPP) e mbështeti marrëveshjen në vitin 2018, nuk e përkah qasjen e VMRO-DPMNE-së, gjithashtu anëtare e PPE.
Një burim nga EPP i tha Euractiv se pas zgjedhjeve të BE-së në qershor, do të ketë një "pastrim total të shtëpisë" në lidhje me anëtarësimin e disa partive dhe se VMRO-DPMNE kryeson listën.
Ndërkohë, ish-kryeministrat e Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, Alexis Tsipras (Syriza) dhe Zoran Zaev, kanë deklaruar se së shpejti do të marrin iniciativa për të shpëtuar marrëveshjen e Prespës.
Add new comment