Nuland: I kuptuam me vonesë ambiciet e Rusisë dhe Kinës
Victoria Nuland, një emër i njohur në diplomacionë amerikane, u largua pak kohë më parë nga Departamenti i Shtetit pasi shërbeu në nivelet e tij më të larta, fillimisht si nënsekretare e Shtetit e administratës Biden për çështjet politike dhe, për disa muaj, si zëvendëssekretare e Shtetit në detyrë. Ajo ka qenë diplomate karriere dhe ka mbajtur një sërë rolesh nën presidentët republikanë dhe demokratë.
Në një intervistë me POLITICO, Nuland analizon marrëdhëniet e SHBA-ve me Rusinë dhe Kinën dhe ndan pikëpamjet e saj mbi gabimet e politikës së jashtme amerikane.
Nuland shprehet se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë mjaftueshëm të shkathëta për të kuptuar dhe parandaluar ambiciet ekspansioniste të Vladimir Putin dhe Xi Jinping. Të njëjtën mungesë vëmendjeje nga ana e SHBA-ve, Nuland sheh edhe në rastin e konfliktit në Gaza.
Ju keni pasur një karrierë të gjatë, veçanërisht kur bëhet fjalë për Evropën. Ku gaboi SHBA në rastin e Rusisë?
Për sa i përket Rusisë dhe Kinës, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, bindja kryesore midis të gjithëve ne - djathtas, majtas dhe qendra - ishte se nëse mund të lidheshin Moska dhe Pekini në rendin e hapur dhe të lirë global prej të cilit ne kishim përfituar për shumë vite, ato jo vetëm do të begatoheshin, por edhe do të bëheshin anëtarë të fortë kontribuues të atij rendi. Dhe kjo është ajo për të cilën ne u përpoqëm për një kohë shumë të gjatë.
Kjo funksionon nëse ke lidership që po e pranon në thelb sistemin aktual. Por nëse ke liderë që i thonë popullatës së tyre se ky sistem nuk e lë vendin e tyre të rritet, nuk e lejon atë të ketë vendin që i takon, që ka një përkufizim territorial të madhështisë, që është i prirur ndaj shtrëngimit ekonomik, politik ose ushtarak - kjo është në kundërshtim me këtë rend, dhe atëherë politika jonë duhet të ndryshojë.
A i kuptuam mjaftueshëm herët ambiciet e Putinit dhe e Xi Jinping-ut dhe a bëmë mjaftueshëm për të garantuar që ato ambicie të qëndronin brenda kufijve të vendeve të tyre dhe të mos shpërndaheshin dhe të mos ndikonin te të tjerët? Me siguri jo.
Sa nga kjo varet nga individi që përpiqet t’i çojë përpara këto ambicie? D.m.th., a mund të ishin gjërat ndryshe nëse nuk do të ishte Putini në krye të Rusisë? Nëse nuk do të ishte Xi në Kinë? Sa prej së tërës lidhet direkt me njeriun që drejton?
Në shoqëritë shumë të centralizuara, historikisht kanë qenë të tilla si Kina ashtu edhe Rusia, pa një rifreskim elektoral të atij lloji që ndodh në botën demokratike, ka një rëndësi të madhe, sepse është ai njeri që përcakton se çfarë do të thotë madhështi. Është ai njeri që vendos se si të ruajë rendin në atë shoqëri. Është ai njeri – duke i lejuar ata të flasin, duke lejuar një shtyp të lirë, duke lejuar protesta, duke lejuar partitë politike alternative – që do të formësojë opsionet. Dhe kjo padyshim kufizon llojin e marrëdhënies që mund të kemi.
Ku po shkon lufta Izrael-Hamas?
Në thelb, ka dy rrugë në tryezë. Një luftë që vazhdon me gjithë shkatërrimin, tmerrin dhe mungesën e qartësisë se si t’i jepet fund sundimit të terrorit të Hamasit.
Rruga tjetër është rruga që administrata, aleatët dhe partnerët dhe shumë vende në Gjirin Persik po sugjerojnë, dhe shumë izraelitë duan, e cila është: një marrëveshje pengjesh që çon në një armëpushim afatgjatë, çon në një të ardhmje më të mirë për palestinezët si në Bregun Perëndimor ashtu edhe në Gaza, çon drejt normalizimit saudito-izraelit. Një rrugë drejt zgjidhjes me dy shtete, dhe një rajon ku ideologjia dhe dhuna e Hamasit goditet nga më shumë hapje, më shumë mundësi, më shumë paqe, më shumë stabilitet.
A e thoni këtë sepse e besoni vërtet apo sepse është qëndrimi i administratës Biden?
Po e them sepse, nëse ndodh çdo gjë tjetër përveç kësaj, e njëjta situatë do të përsëritet pa fund.
Nëse do të mund të ktheheshit pas në kohë për këtë, çfarë, nëse ka diçka, duhet të kishin bërë ndryshe SHBA?
Duke filluar me administratën Trump, të gjithë ranë në dashuri me normalizimin rajonal si ilaç për paqëndrueshmërinë, ankesat dhe pasigurinë në Lindjen e Mesme. Dhe kjo është një pjesë e saj.
Por nëse e lëmë jashtë çështjen palestineze, atëherë dikush do ta marrë atë dhe do të vazhdojë përpara, dhe kjo është ajo që bëri Hamasi. Unë gjithashtu mendoj se ne dhe izraelitët dinim shumë pak për shtetin terrorist që ishte krijuar në Gaza.
Comments
Çudi e madhe
Po pra! Si nuk pranuan Kina dhe Rusia botën njëpolare me hegjemon Amerikën?! Ja Shqipëria, shembull i shkëlqyer i "sistemit aktual", model i jashtëzakonshëm suksesi i një vendi që qeveriset nga ambasadorët amerikanë. E ç'duan më tepër kinezët dhe rusët?
Çudi e madhe fort!
Add new comment