Edhe BE-së i mungojnë profesionistët
Rreth 75% e punëdhënësve në 21 vende evropiane nuk mundën të gjenin punëtorë që kanë përgatitjen e duhur në vitin 2023. Shifra është rritur nga 42% që ishte në 2018-n. Dhe nuk ka asnjë shenjë që kërkesa për punëtorë të kualifikuar të ngadalësohet së shpejti.
Mungesa e punëtorëve të kualifikuar po bëhet gjithnjë e më shumë një problem serioz për punëdhënësit në të gjithë Evropën, siç ilustrohet nga sondazhe të ndryshme.
Në vitin 2023, 54% e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) në BE raportuan se vështirësitë në gjetjen e punonjësve me aftësitë e duhura ishin një nga çështjet e tyre më serioze, sipas Eurostat.
ManpowerGroup, një kompani globale e përzgjedhjes së fuqisë punëtore, zbuloi gjithashtu se tre në katër punëdhënës në 21 vende evropiane nuk mund të gjenin punonjës me aftësitë që kërkonin.
"Shifrat në anketën tonë vjetore të mungesës së talenteve u rritën në mënyrë dramatike, pasi nevoja për punëtorë të kualifikuar po bëhet gjithnjë e më akute," tha për Euronews Business Mara Stefan, VP e Global Insights në ManpoëerGroup.
Mungesa përfshin edhe vendet evropiane. Mesatarisht, në 21 vende evropiane, 75% e punëdhënësve raportuan vështirësi në plotësimin e roleve të punës, duke filluar nga 59% në Finlandë në 82% në Gjermani dhe Greqi.
“Në Evropë, ne shohim rënie të papunësisë, që do të thotë se nuk ka punëtorë të mjaftueshëm të kualifikuar për të plotësuar vendet ekzistuese ose të reja. Ajo që e përkeqëson situatën është fakti që Evropa ka një popullsi të plakur, ndërsa rënia e lindjeve po kontribuon më tej në boshllëqet e aftësive dhe talenteve që shohim sot”, nënvizoi ajo.
Add new comment