Lufta e Kosovës/ Prokuroria serbe kërkon burg për 9 ushtarë serbë
Prokuroria serbe për krimet e luftës i kërkoi Gjykatës së Lartë të Beogradit të dënojë me burg nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Jugosllave. Ata akuzohen për krime lufte kundër civilëve në katër fshatra të Kosovës, rreth qytetit të Pejës në pranverën e vitit 1999.
Sipas akuzës, nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Jugosllave duhen dënuar me burg për pjesëmarrje në zhvendosjen e dhunshme dhe vrasjet e civilëve shqiptarë gjatë një sulmi në katër fshatra afër Pejës në prill dhe maj 1999.
Prokurori i çështjes, Bruno Vekaric, i cituar nga Balkan Insight, thotë se përgjegjësia e të pandehurve për krimet e kryera në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq gjatë luftës së Kosovës provohet me dëshmi, dokumentacion dhe prova konkrete.
Të pandehurit, sipas tij, nuk kanë shfaqur pendesë gjatë procedurave të gjata.
Kurrë gjatë këtyre 14 viteve, që nga fillimi i gjyqit, ata nuk treguan keqardhje për veprimet e tyre.
Vekaric kërkoi dënime me 20 vjet burg për 5 prej të pandehurve dhe me pesë vjet burg për katër të tjerë.
Ish-ushtarët serbë u dënuan fillimisht në vitin 2014 dhe me 106 vjet burg në total, por Gjykata e Apelit serb e ndryshoi vendimin në vitin 2015 dhe e dërgoi çështjen për rigjykim.
Add new comment