Ambiciet e mia për kombin shqiptar janë më të mëdha sesa të Washingtonit dhe të Brukselit

Postuar në 31 Mars, 2024 12:07

një intervistë(i quajnë podcast sot) me ish-ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sqaruar në një mënyrë më personale tensionin e krijuar në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose më saktë siç preferoi ta trajtonte ai “me Departamentin e Shtetit”. 

SHBA-të duhet të kujdesen për demokracinë në gjithë planetin dhe unë e kuptoj që ata nuk kanë mjaftueshëm kohë dhe unë gjithashtu i kuptoj që kohë ka gjithnjë e më pak. Jo vetëm për ata, por edhe për të gjithë ne. Prandaj, kur këtu shtohen edhe konsideratat gjeopolitike dhe strategjitë e caktuara, natyrisht që mund të ketë ndonjëherë edhe mospajtime më shumë në aspektin strategjik e taktik sesa parimor e vleror. Sido që të jetë unë një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve: As nuk pres nga SHBA-të që ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit Amerikan të Shtetit”.

Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik, unë njoh dhjetëra njerëz të cilët janë vrarë në luftë dhe i kam njohur të gjallë; e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe të shqiptarëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi, me Serbinë si shtet, në veçanti. SHBA-të dhe Serbia kanë njohje të ndërsjellë. Serbia ka kryer genocid në Kosovë. SHBA-të janë dëshmitarë, nuk janë viktimë. Ne jemi viktima. Viktima dhe dëshmitari nuk janë e njëjta gjë. Prandaj, unë besoj që Serbinë e njoh më mirë dhe nuk mund ta kem të njëjtë qëndrimin e as ndjeshmërinë, sikurse Departamenti Amerikan i Shtetit. Kjo do të thotë që duhet të bashkëbisedojmë. Marrëdhënia jonë duhet të jetë e aleatëve, partnerëve dhe miqve. Mirëpo kjo nuk do të thotë që të jemi identikë

është shprehur Kurti.

Një tjetër element që merr rëndësi thelbësore dhe shpjegon deri diku intensitetin e akteve të Kurtit, është pohimi prej tij se:

Ambiciet e mia për Republikën e Kosovës dhe për kombin shqiptar janë më të mëdha se të Washingtonit dhe të Brukselit

Këtu kryeministri i Kosovës ka deklaruar ambicie për kombin shqiptar, diçka që lë vend për interpretime gjithfarëshe edhe për sa i përket gjeopolitikës së brendshme të shqiptarëve. Sipas Kurtit, ambicia e shqiptarëve për veten duhet të jetë më e lartë sesa ajo e të huajve për ne, ndërkohë që sa i përket marrëdhënieve me Beogradin, ai ka vënë në dukje se aktualisht Beogradi po aplikon një lloj represioni ndaj të gjithë serbëve që integrohen në Kosovë.
 

Nuk ka ditë të punës time që unë nuk takoj serbë, qytetarë të Kosovës e që nuk komunikoj me ta. Këtu nuk e kam fjalën për ministrin tim Nenad Rašić dhe zëvendësin e tij Radoica Radomirović. Këtu e kam fjalën dhe për serbë të tjerë. Mirëpo kërkesa e tyre e parë dhe e fundit teksa dalin nga takimi është të mos ketë fotografi, të mos ketë komunikatë dhe të mos përmenden emra.

A e dini që në veri të Kosovës vitin e kaluar me dhjetëra makina të serbëve të integruar janë gjetur të djegura? Ky është fenomen i paparë në Kosovën e pavarur. Ata kanë djegur makina të shqiptarëve më herët, tani nuk po djegin makina të shqiptarëve. Tani po djegin makina të serbëve që po integrohen. A e dini që kur kaloni kufirin Kosovë-Serbi shumë më pak cënohet a ngacmohet një shqiptar sesa një serb i integruar në institucionet e Kosovës? Pra, serbët që integrohen në sistemin tonë të Kosovës heqin të zitë e ullirit nëse vendosin të shkojnë në Serbi. Një numër i madh i serbëve të integruar në Kosovë nuk po shkojnë më në Serbi, sepse atje arrestohen...

është shprehur ndër të tjera Kurti.  

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Realizimi dhe jo ana romantike e ambicjes jane thelbesore. Sigurisht qe nuk jetohet pa ambicje dhe pse ambicjet e medha apo me sakte ambicjet kombetare te bejne te vetmuar, po jo ne kurs konfortimi. Per te qene i suksesshem duhet te mbash ne ekuiliber ambicjen dhe realizimin. Nga njena ane enderra ushqen ambicjen per qellime te larta, nga ana tjeter kur anijen e ze stuhija duhet te gjesh port ku te ankorohesh, dhe ky eshte realizmi dhe realiteti qe kufizon qellimin. Uroj qe ti balancosh keto dy forca per te realizuar qellimin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.