Një kundërshtar i papritur për Orbanin
Dorëheqja e papritur e ministres së Drejtësisë i ka hapur rrugën një skandali në qeverinë hungareze. Judit Varga, një prej njerëzve më të afërt të Orban, që pritej të drejtonte partinë e djathtë Fidesz në zgjedhjet evropiane dhe një nga emrat më të njohur të politikës hungareze në Bruksel u dorëhoq javën e kaluar.
Largimi i saj solli në qendër të vëmendes ish-bashkëshortin e saj, ish-zyrtari i Fidesz, Péter Magyar. Pas javësh sulmi ndaj Orbanit në internet dhe në publik, Magyar publikoi një regjistrim të ish-gruas së tij Varga që me sa duket inkriminonte anëtarët e rrethit të brendshëm të Orbanit në një skandal korrupsioni, raporton Politico.eu.
Magyar pretendon se audio dy-minutëshe, e regjistruar vitin e kaluar, dëshmon se shefi i kabinetit të Orbanit, Antal Rogán, ka manipuluar dokumentet në lidhje me një çështje të madhe korrupsioni që përfshin Pál Völner, ish-sekretar shteti në ministrinë e Drejtësisë kur Varga ishte ministre. Völner dha dorëheqjen në vitin 2021 pasi prokurorët e akuzuan atë për korrupsion.
Magyar e dëgroi regjistrimin në zyrën e prokurorit në Budapest pasi kishte tërhequr pas vetes të gjitha mediat e vendit.
Qeveria hungareze e ka hedhur poshtë çdo pretendim të Magyar, duke akuzuar se po kërkon të hakmerret ndaj të shoqes.
Magyar, avokat në profesion, njihet më së shumti si ish-burri i Vargës. Çifti, i cili ka tre fëmijë, shpesh është shfaqur në kopertinat e revistave më të mëdha në vend, si modeli më i mirë për një familje.
Magyar, i cili shërbeu në borde shtetërore dhe punoi në role të ndryshme për administratën, duke përfshirë edhe një rol në Bruksel gjatë presidencës së fundit të Hungarisë në BE, pati deklaruar se po tërhiqej nga karriera për t'u kujdesur për fëmijët e tyre të vegjël kur karriera e Varga-s ishte në rritje.
Pas divorcit të tyre vitin e kaluar, Varga pritej të transferohej në Bruksel si eurodeputete pas zgjedhjeve evropiane, ndërsa Magyar është kthyer në një zë të fuqishëm kundër qeverisë së Orban dhe ka njoftuar planet për të formuar një parti të re politike.
Më 15 mars, ditën kombëtare të Hungarisë, Magyar mbajti një tubim antiqeveritar në Budapest ku morën pjesë mijëra njerëz, ku ai akuzoi Fidesz-in se shpenzon qindra miliona euro në vit për propagandë.
Pavarësisht rikthimit të shpejtë të Magyar në politikën aktive, tashmë si kundërshtar i ashpër i Orban, opozita e Hungarisë deri më tani nuk ka arritur të ndikojë në kontrollin e Orbanit në politikën e vendit.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare në prill 2022, forcat opozitare u mblodhën rreth një figure të vetme, Péter Marki-Zay, i cili kandidoi në një platformë anti-Fidesz. Por partia e Orbanit mori një mandate të katërt.
Add new comment