Mandati i Xhaçkës mbetet në sirtarët e Kuvendit, Nikolla: Presim raportin nga Këshilli për Imunitetin

Postuar në 26 Mars, 2024 18:07

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i ka kthyer përgjigje nënkryetarit të Rithemelimit, Gazment Bardhi, në lidhje me mandatin e Olta Xhaçkës. Në letrën e saj, Nikolla thotë se kërkesa është objekt i organeve të tjera të Kuvendit dhe se nuk është objekt i Konferencës së Kryetarëve.

Në bazë të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit, si dhe të raportit të Këshillit për Legjislacionin, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do ta marrë në shqyrtim raportin dhe në bazë të pikës 7 të këtij neni, pas përfundimit të diskutimeve, Këshilli i paraqet Kryetarit raportin, i cili përmban të gjitha qëndrimet për çështjen. Raporti i përcillet seancës plenare brenda dy javëve nga përfundimi i shqyrtimit të çështjes. Sa më lart, në respektim të Rregullores së Kuvendit, kërkesa që ju parashtroni është objekt i organeve të tjera të Kuvendit dhe jo i Konferencës së Kryetarëve

Një vit më parë, deputetët e opozitës, të ndarë në dy grupime iu drejtuan Kushtetueses me dy kërkesa të ndryshme për heqjen e mandatit të Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj, ish-deputeti socialist Artan Gaçi, u shpall investitor strategjik dhe me vendim qeverie iu dha e drejta e përdorimit të brigjeve në Dhërmi për 30 vjet.

Gjykata pranoi kërkesën e 1/10 së deputetëve dhe riktheu çështjen në Kuvend, ndërsa pushoi kërkesën e 1/5 së deputetëve që kërkonin trajtimin në themel të çështjes dhe marrjen e një vendimi për papajtueshmërinë e mandatit.

Një ditë më parë, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, iu drejtua zyrtarisht Kuvendit që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës. Kërkesa erdhi dy ditë pas arrestimit të Jorgo Goros, kryebashkiaku në detyrë i Himarës, i akuzuar për tjetërsimin e pronave në bregdet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.