SHBA i hap rrugën rezolutës për armëpushim në Gaza

Postuar në 25 Mars, 2024 19:04

Këshilli i Sigurimit i OKB-së kërkon "armëpushim të menjëhershëm" në Gaza, pasi SHBA nuk vuri veton ndaj masës për të lëvizur nga pozicioni i mëparshëm. Në mbledhje u kërkua lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte i të gjithë pengjeve.

Kjo është hera e parë që këshilli bën thirrje për ë armëpushim që nga fillimi i luftës në tetor, pas disa përpjekjeve të dështuara. Lëvizja e SHBA-së sinjalizon se ka divergjencë në rritje midis saj dhe Izraelit lidhur me ofensivën e Izraelit në Gaza.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, reagoi ashpër duke thënë se SHBA braktisi pozicionin e saj të mëparshëm që kishte lidhur drejtpërdrejt një armëpushim me lirimin e pengjeve.

Për fat të keq, Shtetet e Bashkuara nuk vunë veton ndaj rezolutës së re”, thuhet në reagim.

Deklarata shton se kjo dëmton përpjekjet për lirimin e pengjeve duke i dhënë Hamasit shpresën se mund të përdorë presionin ndërkombëtar mbi Izraelin për të arritur një armëpushim pa liruar robërit.

Kryeministri izraelit ka anuluar takimet e planifikuara këtë fundjavë me zyrtarët amerikanë në Uashington.

Ministri izraelit i Mbrojtjes tha se Izraeli nuk do ta ndalojë luftën në Gaza ndërsa pengjet mbahen edne atje.

Ndërsa përfaqësuesi palestinez në OKB, Riyad Mansour, e mirëpriti rezolutën, por tha se ishte e vonuar.

"U deshën gjashtë muaj, mbi 100 000 palestinezë të vrarë dhe të gjymtuar, dy milionë të zhvendosur dhe zi buke, që ky këshill të kërkojë përfundimisht një armëpushim të menjëhershëm," citohet Mansour nga BBC.

Edhe Hamasi, grupi islamik palestinez që qeveris Gazën dhe që u bë shkak për nisjen e luftës me një sulm të paprecedentë ndaj Izraelit më 7 tetor, e përshëndeti rezolutën. Hamasi njoftoi në një deklaratë se është gati "të angazhohet në një proces të menjëhershëm të shkëmbimit të të burgosurve që çon në lirimin e të burgosurve nga të dyja palët".

Grupi e ka kushtëzuar çdo lirim pengjesh me lirimin nga Izraeli të palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.

Në votimin e Këshillit të Sigurimit të hënën, SHBA abstenuan, ndërsa 14 anëtarët e mbetur votuan pro.

SHBA i ka bllokuar deri tani rezolutat që bënin thirrje për armëpushim, duke e cilësuar një veprim të gabuar ndërsa negociatat delikate për armëpushim dhe lirimin e pengjeve vazhdojnë midis Izraelit dhe Hamasit.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.