Bankat perëndimore, kundër planeve të BE-së për asetet ruse

Postuar në 24 Mars, 2024 16:48

Disa banka perëndimore po lobojnë kundër propozimeve të BE-së për të rishpërndarë miliarda euro të fituara nga asetet e ngrira ruse, me frikën se kjo mund të çojë më vonë në procese gjyqësore të kushtueshme.

Pak ditë më parë, liderët e Bashkimit Evropian i hapën dritën jeshile një plani që bën të mundur të përdoren deri në 3 miliardë euro në vit për furnizimin me armë të Ukrainës, në përpjekje për të forcuar luftën e Kievit kundër Rusisë, e cila i zotëron ende asetet e ngrira.

Megjithatë, disa banka kanë frikë se më vonë ato mund të penalizohen nga Rusia nëse përfshihen në transferim parash në Ukrainë dhe se plani i BE-së mund të shtrihet në llogaritë e individëve dhe kompanive të sanksionuara.

Frika tjetër është se propozimet e BE-së mund të gërryejnë besimin në sistemin bankar perëndimor.

Burimet, të cilave u referohet Euractive, janë shprehur se këto çështje po diskutohen me politikëbërësit britanikë dhe të eurozonës, duke e vënë theksin te çështjet e mundshme gjyqësore kur sanksionet anti-ruse të lehtësohen ose të hiqen fare.

Rusia ka paralajmëruar se çdo përpjekje për të përvetësuar kapitalin ose interesat që rrjedhin prej tij është "banditizëm" që do të çojë në veprime ligjore kundër të gjithë atyre që janë të përfshirë.

P.sh., Euroclear mban letra me vlerë dhe para kesh të bankës qendrore ruse në vlerën 190 miliardë euro. Bankat perëndimore gjithashtu mbajnë miliarda euro, paund dhe dollarë në aktive në pronësi të kompanive dhe individëve që i nënshtrohen sanksioneve.

Më shumë se 3.5 milionë rusëve u janë ngrirë asete jashtë vendit me vlerë rreth 1.5 trilion rubla (15.7 miliardë euro), tha vitin e kaluar ministri rus i Financave, Anton Siluanov.

Sipas planit të BE-së, rreth 90% e parave të sekuestruara do të kanalizohen përmes Fondit Evropian të Paqes për të blerë armë për Ukrainën. Pjesa tjetër do të përdoret për rikuperim dhe rindërtim.

Ligji europian, ai britanik dhe amerikan për sanksionet parashikon ngrirjen e aseteve në pronësi të palëve të caktuara, por jo konfiskimin. Konfiskimit dhe rishpërndarja e interesit të fituar në ato asete I jep mundësinë pronarit të tyre të hapë gjyq.

"Nëse këto propozime ecin përpara, e gjithë arkitektura ligjore do të duhet të ndryshojë," thotë Paul Feldberg, avokat në kompaninë ligjore ndërkombëtare me bazë të Londër, Brown Rudnick.

“Për sa i përket bankave, unë mendoj se kanë të drejtë të shqetësohen sepse ne kemi parë tashmë një numër të madh procesesh gjyqësore civile në lidhje me sanksionet,” thotë Feldberg.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, këtë javë tha se propozimi i BE-së do të minonte ligjin ndërkombëtar dhe paralajmëroi për dëme të pashmangshme në Evropë dhe dekada përplasjesh në gjykata.

Evropianët janë të vetëdijshëm për dëmin që vendime të tilla mund t'i shkaktojnë ekonomisë dhe imazhit të tyre, reputacionit të tyre si garantues i besueshëm, si të thuash, i paprekshmërisë së pronës,” u tha Peskov gazetarëve.

Për momentin mbetet e paqartë se sa vende anëtare do t’i mbështesin propozimet e BE-së ose sa shpejt mund të zbatohen ato.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.