Dune, Harrison "kriminalizon" Paul Artreides

Postuar në 16 Mars, 2024 15:44

Në Tiranë po shfaqet së fundmi pjesa e dytë e “Dune”, adaptimi më i fundit i novelës së famshme të Frank Herbert nën drejtimin e Denis Villeneuve. Më i fundit, pasi “Dune” është ekranizuar nga David Lynch më 1984 dhe John Harrison në vitin 2000 në formën e miniserive. Adaptimi aktual ruan strukturën narrative të novelës me disa ndryshime krahasuar me adaptimet e mëparëshme dhe ka investuar në një skuadër aktorësh të njohur. Josh Brolin në rolin e Gurney Halleck, Stellan Skarsgård në rolin e baronit Harkonen, Havier Bardem në rolin e Stilgar, apo Rebecca Fergusson në rolin e Lady Jessica, i japin filmit një prurje të mirë.

Në aspektin kinematografik, filmi vjen me disa ekazgjerime skenike që mëtojnë të ngrejnë një arkitekturë të parrokshme pushteti mbi turma infinite qeniesh njerëzore. Antropologjikisht filmi huazon nga “The Strain” apo “Prometheus”, diçka nga “John Carter” në një përzierje veprimi që herë pas here ngjan se predominon narrativën.

Po kështu, përpunimi psikologjik i protagonistëve është minimal krahasuar me variantin e vitit 2000. Mes Timothee Chalamet dhe Alec Newman qëndron një diferencë e madhe psikologjike, pasi duhet thënë që Newman e ka arritur mirë rolin e vet si një njeri që pas marrjes së fronit i dorëzohet mistikës fremene, nën peshën e jashtëzakonshme të zbulimit të së ardhmes.

Villeneuve ka zgjedhur ta shfaqë Paul Artreides si një njeri që dorëzohet tek hakmarrja dhe ethet e pushtetit, si një demagog madje që manipulon besimet dhe fenë e fremenëve, i cili kontrastohet nga e dashura e vet, Chani, një fremene e kthjellët mbi rrezikun e një pushteti që vjen nga “Familjet e Mëdha”.

Një realizim që nuk sjell në fakt asgjë krahasuar të paktën me seritë e vitit 2000, ku Arakis dhe bota fremene, me mite, bestytni, profeci, mënyrë jetese vjen dhe ndërthuret shumë natyrshëm me ambiciet e një Familjeje të Madhe dhe figurën e Dukës Leto Artreides, që në fjalët e perandorit, në adaptimin e fundit të novelës, “u likujdua sepse ishte një njeri që besonte te zemra”. Pra “ishte një njeri i dobët”. Mesa duket te kjo frazë, apo tek tjetra se “ne Benexheserit nuk shpresojmë, por planifikojmë”, Villeneuve ka menduar të skalisë një portret gati mizor për Paul Artreides, metaforë kjo për pushtetin e madh dhe korruptimin që vjen me të.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.