Kampi i Tiranës

Postuar në 11 Mars, 2024 18:25
Skerdilajd Zaimi

 

Pamjen në fjalë e has çdo mëngjes rreth orën 09:00 në Tiranë. Në atë që quhet zona kryesore e saj në Unazën e Vogël. Makinat që mbledhin mbeturinat, ndërkohë që këto të fundit janë rrugica e përhereshme mbi asfaltin e kryeqytetit. Nuk ka sy të mos e shohë Tiranën sesa e pistë është; nuk ka mendje të mos bezdiset nga deformimi urban dhe kaosi i ndërtimeve, anarkia e çstilizimit që ka imponuar rregullin e vet unikal.

Situatës në fjalë i mbivendoset një trafik i pamenaxhueshëm nga ana nervore, me një intensitet semaforësh që ndërpriten nga vija të bardha që bllokojnë qarkullimin dhe krijojnë një gjendje shqiptare të lëvizjes në vend. Veprimi i administratës lokale në këtë drejtim shkon në të kundërt të të gjithë interesit: korsitë e biçikletave që u vendosën thuajse në çdo rrugë, janë në pjesën më të madhe bosh, duke ndikuar vetëm negativisht në qarkullim dhe ndotje. E për pasojë edhe në cilësinë e jetës. Këto korsi në segmente të caktuara kanë prishur edhe regjimin ekonomik të bizneseve të ndryshme që varen në fakt deri diku edhe nga një vend parkimi, nga qarkullimi i mjeteve e kështu me radhë.

Bllokimi i hyrjes në sheshin “Skënderbej” është një dhuratë e hidhur për të gjithë, por jo vetëm. Hyrja në Tiranë është një mallkim për atë që lëviz në makinë, përderisa punohet prej shumë kohësh në disa pika që nuk përfundojnë kurrë.

Këmbësorët janë edhe ata sëmurur rëndë nga patologjia e kaosit dhe lëvizjes pa asnjë rregull, duke iu shtuar si erëz pikante tensionit të përditshëm, me një arrogancë të pabesueshme për dikë që dikur, në shekullin e 21-të duhet të kuptonte se në mos po shkel ligjin, apo rregullin, po bën një gabim që së pari i kushton atij.

Kjo simfoni harqesh të stonuar në një qytet estetikisht shumë të shëmtuar dhe që refuzon të integrojë diçka të bukur dhe diçka që të quhet kulturë në indin e vet, plotësohet nga zhurmat trombonike të ndërtimit që nuk mbaron, krahas pluhurit, këtij arseniku të përjetshëm të ëndrrës sonë europianizuese.

Megjithatë ne për Tiranën dëgjojmë vetëm fjalë të mira. Se ajo është e pastër, se ajo merr çmime, se ajo është transformuar e kështu me radhë. Ku gjendet kjo Tiranë? Ku gjendet ky ‘paradiz’ sepse ne shohim një gjë që e quajnë qytet, ku edhe qentë e rrugës i sheh të dembelosur e lerosur koshave pa ankth e pa dëshirë. Fundja për të ngrënë ka plot sot dhe të jesh kafshë nuk është aq e vështirë sa dikur. Si të jesh njeri, qytetar, ja sfida jonë e pazgjidhshme!

Vetëm zogjtë i kanë shpëtuar privilegjit të trajtimit me kode të reja qytetërimore: ata fluturojnë akoma si dikur, por edhe ulen shesheve e cicërojnë në ato pak pemë që kanë mbetur. Me siguri janë naivët e fundit të një kohe që domestikoi çdo gjë. Edhe pse ne si shoqëri nuk i kemi ngritur kurrë sytë lart, as në folklorin tonë nuk kemi parë nga yjet. Kemi parë tokën e nëntokën, apo edhe dritaret e njëri - tjetrit. Këtë bëjmë edhe në të ashtuquajturin kryeqytet: rrimë e shohim pse punën që ka të bëjë me jetën tonë, do e bëj dikush tjetër. Duke rrëfyer përherë se gjetiu është shumë mirë.

I do vënë një emër kësaj gjëje, një emër që të ketë kuptim me atë që është, që ta përligjë historinë e vet unike: Tirana e krijon historinë përditë si qendër skandalesh pa skandalizim që është, si një kamp i mbyllur në imagjinatën e vet, gjendjen parazitare ku është hiperverbalizuar një sukses dhe një meritë që nuk ka kanun dhe manual të shpjegojë.

Një kamp që meriton të ketë një devizë si dikur në Aushvic, ku emfatziohej puna nën emërues cinizmi dhe vdekjeje. Në Tiranë nuk para punohet, flitet shumë për punën dhe përjekjen, bëhet gjoja thuajse për çdo gjë. Hiq padyshim nevojat personale, sepse të jemi të kursyer me veten: as ne nuk kemi arritur ta korruptojmë dot funksionin bazik të anusit. Ka mbetur pra edhe te ne diçka parimore. Të shpresojmë!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.