Macron kërkon një fillim të ri: Siguria e Europës është në lojë
Presidenti francez, Emanuel Macron, ka thirrur 25 liderë botërorë në një konferencë ndërkombëtare që po mbahet sot në Paris për mbështetjen e Ukrainës. Në hapje të saj, Macron theksoi se aleatët e Ukrainës kanë nevojë për një “fillim të ri” dhe duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur Kievin në luftën kundër Rusisë, pasi është në lojë siguria e Europës.
“Në muajt e fundit ne kemi parë një ngurtësim të pozicionit të Rusisë, i ilustruar mizorisht nga vdekja e Alexei Navalny. Në vijën e frontit të Ukrainës, situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe ne e dimë se Rusia po përgatit sulme të reja që synojnë të tronditin opinionin publik ukrainas," paralajmëroi ai.
Presidenca franceze e ka cilësuar samitin një shans që liderët e botës të "riafirmojnë unitetin e tyre si dhe vendosmërinë për të mposhtur luftën e agresionit të zhvilluar nga Rusia në Ukrainë".
Njëkohësisht, mbajtja e këtij takimi në Elize sinjalizon dëshirën e Macron për ta paraqitur veten si kampioni evropian i kauzës së Ukrainës, ndërsa shtohen frikërat se mbështetja amerikane mund të zbehet në vitet e ardhshme.
Macron e sheh këtë konferencë si një mundësi për të treguar autonominë evropiane në çështjet e sigurisë, për të cilën ai ka qenë i zëshëm edhe para pushtimit të Ukrainës.
Mes krerëve të shteteve në takimin në Paris janë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti polak, Andrzej Duda, dhe të paktën 20 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane të pranishëm në konferencë. Shtetet e tjera do të përfaqësohen në nivel ministror, me Sekretarin e Jashtëm David Cameron, ndërsa në takim do të ketë edhe përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.
Add new comment