Dyshime nëse Vuçiç kontrollon shërbimet serbe të sigurisë
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka folur në një intervistë për “Antena M” rreth situatës në Serbi dhe problemeve politike me të cilat sipas saj përballet sot presidenti Aleksandar Vuçiç.
Personalisht Vuçiç është nën presion të madh jo vetëm për shkak të zgjedhjeve, por mbi të gjitha për shkak të Banjskës, pasi ishte një kërcënim i sigurisë për të gjithë rajonin, por edhe për Evropën, kërcënim ndaj të cilit Perëndimi reagoi menjëherë. Raporti që doli nga Qeveria e Kosovës ishte shumë i detajuar dhe shumë bindës. Nga ana tjetër keni Rusinë që e falënderon Serbinë, e që padyshim ka një ndikim të fuqishëm në disa prej strukturave të këtij vendi
tha Biserko.
Ajo ka lënë të kuptohet kështu se Vuçiç ka një presion të dyfishtë, përderisa ka nënvizuar se “Rusia ka ndikim shumë të madh në disa prej struktruave të Rusisë”.
Duhet thënë se sulmi në Banjskë, sipas këtij komenti mund të relatohet me bazën civile ruse të emergjencave në Nish dhe se një dorë për goditjen në Kosovë duhet ta kenë dhënë shërbimet serbe nën kontrollin apo direktivën ruse. Aleksandër Vulin vjen këtu në vështrim si një njeri që mund të jetë jashtë kontrollit efektiv të Vuçiç të cilit i duhet të kërcejë një valle ekuilibri mes Rusisë dhe Perëndimit, çka edhe shpjegon deri diku pse Perëndimi e mbështet. Në Serbi nuk ka mesa duket alternativë më të besueshme dhe kjo është kriza që sqaron edhe irritimin e një pjese të Perëndimit me Albin Kurtin, që duhet thënë se po shtyn në këtë kuadër një politikë që e destabilizon pushtetin e Vuçiç brenda Serbisë.
Add new comment