Propozim zyrtar i KE-së: Anëtarësimi i Serbisë të kushtëzohet me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

Postuar në 03 Shkurt, 2024 13:08

Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Evropian (EEAS) ia kanë dorëzuar të premten Këshillit të BE-së një propozim për ta ndryshuar dhe plotësuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në bllok. Ndryshimet në kapitullin 35 kanë të bëjnë me përfshirjen si kusht detyrues për Serbinë edhe zbatimin e marrëveshjeve që ajo i ka arritur deri tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burimet brenda BE-së. Kërkesa për ndryshimin formal të kushteve në kapitullin 35 për Serbinë vjen pasi kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha në dhjetor se vendi i saj nuk do t'i zbatonte të gjitha marrëveshjet për të cilat u pajtua me Kosovën.

Kapitulli i 35 i negociatave të anëtarësimit, i cili quhet “çështjet tjera” në rastin e Serbisë përfshin edhe normalizimin e raporteve me Kosovën. Ky kapitull ishte hapur ndër të parët qysh në dhjetorë të vitit 2015, për të përcjellë përmes tij përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Këshilli i BE-së tani duhet ta votojë propozimin e Komisionit dhe EEAS për ndryshimin dhe plotësimin e kapitullin 35 për Serbinë. Disa burime diplomatike brenda BE-së kanë thënë se vonesat në dorëzimin e propozimit ndodhën për shkak të disa kundërshtimeve që kishte bërë Oliver Verhelyi, komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i BE-së. EEAS ishte më i interesuar që kjo të ndodhte sa më shpejt. 

Përkundër konkluzioneve të qarta nga dy dokumente nga niveli më i lartë i BE-së, Varhelyi qëndronte kundër dhe deri në momentin e fundit bllokonte këtë propozim

tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i BE-së.

Sipas të njëjtave burime, ndaj Verhelyit ishte bërë trysni nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe nga disa ende anëtare të bllokut. Në disa raste, diplomatët e BE-së kanë thënë se Varhelyi po e ndjek qëndrimin e kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban, i cili edhe e kishte propozuar që ai të jetë komisionar nga ky shtet në ekzekutivin e Bashkimit Evropian.

Ndaj Varhelyit kritika kishte shprehur edhe Parlamenti Evropian. Në një rezolutë nga muaji janar i vitit 2023 ishte kërkuar edhe një hetim i paanshëm për mënyrën se si ushtron postin e tij Verhelyi, sepse parlamentarët evropianë dyshonin se ai po i shkelte rregullat etike të Komisionit Evropian. Vendimi për ndryshime në kapitullin 35 për Serbinë, sikur secili vendim në procesin e zgjerimit të BE-së, miratohet me pajtimin e të gjitha vendeve anëtare. Ndërkohë, në rastin e Kosovës, detyrimet për zbatimin e marrëveshjeve me Serinë do të përfshihen në agjendën e grupit të posaçëm për normalizim, pasi Kosova nuk e ka akoma statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

BE-ja ngul këmbë se deklarata e përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për pajtimin rreth marrëveshjes ka fuqinë e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese, edhe pse ajo nuk është nënshkruar.

Me shkurtime nga: Radio Evropa e Lirë

Comments

Submitted by Andrea (not verified) on

BE si gjithmone ngutet. Ben llogari dheato dalin keq ne fund.
Tani u ka ardhur ne mendje qe anetaresimi i Serbise. Asaj Serbie qe vrau e preu, cnderoi gra e vajza nga Kosova, dogji fshatra e degdisi me shume se gjysmen e popullsise jashte kufirit. E per me shume i mohon te gjitha e vrasesit jane ne detyra shteterore. Po te mundet e bejne prap.kjo eshte Serbia dhe Evropa nuk foli nje fjale.
Pak me heret u diskutua te anetaresoje Ukrainen. Nje vend ne lufte, me gjysmen te aneksuar. A do i kerkoje ato rajone ukraina nese behet anetare e BE.
U anetaresua Qipro greke ne BE. Tani thuhet qe nje vend i BE-se ka gjysmen te pushtuar. Ne BE u pranua gjysma, se pjesa tjeter eshte akoma cope cope. .
Tani nese pranohet Serbia pa ate kushtin e njohjes se Kosoves, a do mund te themi rehat qe kosova u shkeput nga nje vend i BE?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.