Mos e ktheni euron në armë, mund të na kushtojë shtrenjtë
Eurozona nuk duhet ta kthejë në armë monedhën e përbashkët, në një moment si ky i konflikteve globale. Kjo do të sillte pasoja negative për vetë euron, paralajmëron guvernatori i Bankës së Italisë, Fabio Panetta.
Prej muajsh, në Europë është hapur debati i konfiskimit të aseteve të ngrira të Rusisë për t’i përdorur ato për rindërtimin e Ukrainës.
Por shumë prej ekspertëve kanë frikë se kjo lëvizje do të sjellë pasoja të tilla, që do ta bëjnë fitimin më të vogël se humbja. Strategjitë që mund të gjejë Rusia për t’u hakmarrë dhe humbja e besimit në asetet evropiane mund të jenë dy prej tyre.
"Kthimi në armë i një monedhe në mënyrë të pashmangshme redukton atraktivitetin e saj dhe inkurajon shfaqjen e alternativave," tha Panetta, pa iu referuar drejtpërdrejt Rusisë.
Megjithatë, ky pushtet duhet të përdoret me mençuri, sepse marrëdhëniet ndërkombëtare janë pjesë e një “loje që përsëritet”.
Martins Kazaks, politikëbërës në BQE, thotë se vendimi politik mbi rindërtimin e Ukrainës nuk duhet të bazohet në fatin e aseteve evropiane të bllokuara në Rusi.
"Harrojini asetet e bllokuara në Rusi," tha Kazak, guvernatori i bankës qendrore të Letonisë, duke argumentuar se Evropa ka të ngjarë të mos i rimarrë kurrë këto.
"Unë mendoj se shpresat se mund të kthehemi në normalitetin e vjetër janë iluzion," tha ai në një konferencë. "Ne duhet të ndalojmë së ndihmuari Rusinë për të zhvilluar këtë luftë duke bërë ende tregti direkt ose indirekt."
BE, Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Kanadaja kanë ngrirë rreth 300 miliardë dollarë të aseteve të bankës qendrore ruse në vitin 2022, kur Rusia pushtoi Ukrainën. Rreth 200 miliardë dollarë prej tyre mbahen në Evropë.
Disa argumentojnë se sekuestrimi i aseteve mund t'i shtyjë investitorët nga vendet e tjera të largohen, nga frika për sigurinë e investimeve të tyre, duke dobësuar në fund monedhën dhe duke rritur yield-et.
Panetta, ish-anëtar i bordit të BQE-së, argumenton se konflikti në Ukrainë solli si pasojë një rritje të rolit të renminbit kinez në kurriz të monedhave të tjera, pasi shumica e tregtisë së Rusisë tani bëhet në monedhën kineze.
“Autoritetet kineze po promovojnë në mënyrë eksplicite rolin e saj në skenën globale dhe po inkurajojnë përdorimin e saj në vende të tjera, përfshirë ato të sanksionuara nga komuniteti ndërkombëtar pas pushtimit të Ukrainës”, tha Panetta.
Si rezultat, renminbi kapërceu euron si monedha e dytë më e përdorur për financimin e tregtisë dhe jenin si monedha e katërt më e përdorur për pagesat globale, tha Panetta.
Panetta argumenton se Evropa duhet ta forcojë euron duke e bërë atë më tërheqëse.
Kjo përfshin krijimin e një aktivi të sigurt që emetohet në sasi të mjaftueshme, të parashikueshme dhe kompletimin e një bashkimi bankar që do të reduktonte vështirësinë e bankingut ndërkufitar.
Një hap tjetër do të ishte një sistem efikas pagesash dhe infrastruktura e tregut në të gjithë bllokun, i cili mund të ndihmohej nga një monedhë dixhitale e bankës qendrore.
Add new comment