Dritë e re mbi origjinën e hungarezëve
Burime të pashfrytëzuara më parë sjellin prova të reja mbi origjinën e hugarezëve. Instituti i Kërkimeve Hungareze bëri të ditur se viti që u mbyll ka sjellë rezultate të jashtëzakonshme, sidomos në fushat e filologjisë klasike dhe arkeogjenetikës.
Ripërkthimi i burimeve nga Mesjeta e Hershme ka hedhur një dritë të re mbi këtë epokë për hungarezët. Relike të paeksploruara më parë nga zonat ku emigruan hungarezët po ekzaminohen nga studiuesit. Mes tyre janë materiale nga bibliotekat e manastireve armene, të Kaukazit verior e Gjeorgjisë, të cilat përbëjnë dëshmi të rëndësishme për trashëgiminë muzikore.
Drejtori i përgjithshëm i institutit, Miklós Kásler, thotë se ndërkohë ka nisur hartimi i një enciklopedie me mbishkrime mesjetare latine, sepse burimet mesjetare hungareze tani gjenden kryesisht në koleksionet sllovake dhe rumune. Po ashtu, gjetje të reja dalin edhe nga kërkimi historik arkeogjenetik mbi mbetjet mbretërore në Székesfehérvár (Hungaria qendrore).
Këtë vit pritet të përfundojë ekzaminimi i ADN-së së mbi 600 skeleteve të gjetura aty.
"Identifikimi përfundimtar i 15 mbretërve do të varet nga momenti kur do të marrim lejet," tha Kásler, duke shtuar se po kërkohen leje për marrjen e mostrave të eshtrave të mbretërve që mund të përdoren si referenca për krahasim. Ndër projektet e reja është edhe restaurimi i bazilikës së Székesfehérvár-it, e themeluar dhe ndërtuar nga Shën Stefani, e cila do të kthehet në vend përkujtimor hungarez në pellgun e Karpateve.
Rezultatet e hulumtimeve janë reflektuar menjëherë në tekstet shkollore dhe po punohet për trajnimin e mësuesve.
Add new comment