Deklarata që nuk mund të kalojnë me heshtje nga Shqipëria

Postuar në 08 Janar, 2024 15:34

Dje në disa media shqiptare qarkulloi një prononcim i ministrit serb të Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç sipas të cilëve serbët duhet ta shohin në një dritë tjetër liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, pasi kështu ka një mundësi që shqiptarët të ikin në masë.

Pse jemi të mërzitur? Lërini shqiptarët të ikin. Ta shohim më gjerësisht. Nuk e kemi problem se 500 000 shqiptarë të Kosovës do të udhëtojnë atje, në Europë. Pse nervozoheni? Le të tregohemi të mençur politikisht, çka na duhet neve nëse udhëtojnë në Zvicër, Gjermani, etj.

Eja t'i shohim gjërat pak historikisht. Duhet pak durim, pak politikë të Millosh Obrenovicit, nuk është e gjitha tani për tani.

Populli ynë duhet të piqet politikisht, që historikisht t'i kuptojë disa rrethana nuk d.m.th. që je me pak patriot apo serb nëse disa vendime në të parën nuk duken dhe aq të popullarizuara, por në thelb dhe strategjikisht janë vendime të mira për ne

citohet ai.

Ndërkohë që tri ditë më parë, kreu I Zyrës serbe për Kosovës, Petar Petkoviç, e vuri në një dritë tjetër liberalizimin e vizave për kosovarët që duket se ka provokuar shumë nerva në Beograd. 

Koncepti i normalizimit të marrëdhënieve dhe ndërtimi i besimit mes popujve është i paqartë për Kurtin dhe se ai nuk e kupton që njerëzit e zakonshëm në Kosovë, serbë apo shqiptarë, nuk duan tyë jenë peng i ideologjisë së tij të urrejtjes, por duan të jetojnë një jetë normale 

Pse kjo qasje cinike? Një arsye është se liberalizimi definon shtetësinë e Kosovës në një aspekt cilësisht të ri sidomos kur për serbët e Kosovës kërkohet tanimë pasaportë e Kosovës. Një arsye tjetër është me këtë akt Serbia humbet aktualitetin e politikës së izolimit dhe enklavizimit të serbëve në Kosovë, të cilët pikërisht në  emër të kësaj jetese normale duhet të pranojnë faturat nga Kosova, targat dhe pasaportat për ta vijuar luftën për të drejtat e tyre siç cilëson Petkoviç në suazën e legalitetit dhe jo të lëndëve piroteknike mbi komisariate.

Është për t’u shënuar këtu se një apel të tillë bëri edhe patriarku serb, Porfirije gjatë vizitës së fundit në Deçan, kur me rastin e Epifanisë, kërkoi që “të gjejmë fuqinë për paqe me shqiptarët”. Një mesazh që duket se konsideron si të ezauruara politikën e forcës që Beogradi ka ndjekur ndaj Kosovës. Ose më saktë, aktualisht në Beograd ka njerëz që përherë e më shumë mendojnë se ndaj shqiptarëve duhet ndjekur tjetër politikë.

Ajo që përfaqëson avantazh momental është se teza të kësaj natyre jo vetëm që reflektojnë ndryshime thelbësore pas ngjarjeve të Banjskës, por në planin e brendshëm serb, e lidhin zbatimin e tyre me qenien në pushtet të Aleksander Vuçiç, i vetmi që shihet se ka autoritetin të bëjë kthesa të këtilla siç ishte çështja e targave. Dhe kjo është avantazh për shkak se tanimë establishment serb ka deklaruar armiq publikë shtete si Gjermaia apo edhe Britania e Madhe, ndërkohë që në planin nacional e sheh Perëndimin me lenten e kumbarit të projektit shqiptar në Ballkan.

Është një nyje psikologjike e fortë në strategjinë serbe që nuk mund të mbajë gjatë me arsyetimin e neutralitetit, duke patur parasysh se edhe opozita serbe po krijon defiçit të madh ndaj Perëndimit, qoftë edhe për të mundur të akomodojë kërkesa të vetat për një çështje si zgjedhjet. Në lojë sot është perspektiva e një revanshi serb në të ardhmen e afërt, me mbikapitalizimin e “lëshimeve” si ajo për targat, duke kërkuar në këmbim statusin e një shteti demokratik dhe stabilizues përkundrejt akuzave klishe për Kurtin.

Në këtë kuadër, pala shqiptare, dhe këtu përfshihet edhe Shqipëria, do të duhej të lëvizte nga vendi për të mos lënë të kalojnë si pa gjë, deklarime si këto të Vuçeviç, që referon Obrenoviçin dhe pjesën e errët të migrimit të shqiptarëve si çelës për suksesin e të ashtuquajturës strategji kombëtare serbe. Edhe kur këto referime janë vetëm si aspekt taktik.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nga edvici pret ti. Harrova qe ai han persheshim e Vuciciyt?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.