Faqet e qeverisë bien njëra pas tjerës
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2023/12/domino_2023_12_27_00.jpg?itok=Oo4RqStr)
Njëzet e katër orë pasi hakerat e Homeland Justice njoftuan se kishin shtënë në dorë të gjitha të dhënat e kompanisë One Albania, disa prej faqeve të qeverisë janë jashtë funksionit.
Mëngjesin e së hënës, në kanalin e saj në Telegram, Homeland Justice njoftoi se kishte fshirë më shumë se 2 petabajt të të dhënave të rrjetit të telekomunikacionit dhe rrjetit të brendshëm të të gjitha kompanive të lidhura.
Vetëm pak orë më pas, faqja e Kuvendit doli jashtë funsksionit. “Homeland Justice” mori përsipër sulmin, duke shkruar se « deputetët e korruptuar do të shkatërrohen së shpejti”.
Paralelisht me rënien e faqes së Kuvendit, hakerat njoftuan edhe aksesin në të dhënat e Air Albania-s.
Por pasditen e së martës, numri i faqeve që dolën jashtë funksionit u rrit. Një vështrim i shpejtë i faqeve qeveritare tregoi se nuk funksionojnë disa prej faqeve të agjencive në varësi të qeverisë, si faqja e Arkivave të Shtetit dhe ajo e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.
Po ashtu, jashtë funksionit janë edhe faqet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive. Një mosfunksionim që nuk duket i rastit pas sulmeve të mëngjesit të së hënës.
Add new comment