Europa pa qëndrim të qartë për zgjedhjet në Serbi
Raporteri i Parlamentit Europian për Serbinë, Vladimir Bilçik, ka deklaruar se në zgjedhjet e fundit në këtë vend, nuk pati parregullsi serioze.
Qëndrimi i tij është vënë në dukje nga mediat opozitare në Serbi, sipas të cilave ai bie ndesh me vërejtjet e vëzhguesve të OSBE-ODIHR që folën për parregullsi serioze. Vetë opozita serbe ka deklaruar se në Beograd zgjedhjet duhen përsëritur pasi partia e Aleksander Vuçiç ka importuar zgjedhës për të siguruar një rezultat fitues.
Të njëjtat media kanë shtuar se Bilçik është një zyrtar që ka bërë shërbime të tjera për presidentin Vuçiç, si lënia jashtë progres-raportit të aferës së Telekom-Serbia, një kompani shtetërore që akuzohet se ka kontroll të tregut mediatik serb, me një rol madhor në raportimin e njëanshëm në zgjedhjet e fundit. Një ndër zërat kryesorë të opozitës serbe, Marinika Tepiç, ka akuzuar Bilçik se ai është në listë pagese të Partisë Progresiste Serbe.
Problemi që ka dalë me zgjedhjet në Serbi është cilësisht i ri. Serbia është një vend që në përgjithësi i ka menaxhuar pa elementë kontestimi proceset elektorale, por kësaj radhe po ndodh ndryshe. Raportet ndërkombëtare janë kundërthënëse dhe për më keq, disa prej tyre pretendojnë të imponojnë një realitet që nuk i përgjigjet asaj që një pjese e qytetarëve përjetojnë.
Sa herë e kemi parë këtë në Shqipëri? Sa herë kemi parë që një raport zyrtarësh verdhacukë dhe shalëngjitur diku në ndonjë zyrë të humbur, merr përmasën e një kanuni që nuk mund të diskutohet?
Dialektika që po imponohet është ajo e një demokracia retorike, pa bazë të vërtetë, pa të vërtetën e prekshme dhe pa aftësi për t’u vetëzhvilluar. Dhe një demokraci që nuk vetëzhvillohet dëshmon se nuk ka qenë kurrë e tillë realisht. Megjithatë shkelja e syrit për politika si këto të Vuçiç, apo edhe të kryeministrave të tjerë që janë hajdutë ndërkombëtarë, është influence e vërtetë malinje në këtë rajon që po del gradualisht nga narkolepsia 30 vjeçare e Europës si familja jonë.
s.zaimi
Add new comment