Kompleks, jo politikë shtetërore me Greqinë

Postuar në 14 Dhjetor, 2023 17:05
Skerdilajd Zaimi

 

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama doli sot në një konferencë për shtyp përmes së cilës tundi një fletë lavdërimi të marrë nga Komisioni Europian. Kemi shkëlqyer tha, për punën që kemi bërë në procesin screening. Proces që është me natyrë analitike dhe lidhet me përshtatjen e legjislacionit. Me këtë kartë në dorë, z. Rama ka mbuluar një problem që i është krijuar me Greqinë dhe që ka prodhuar pasoja në refuzimin e çeljes së negociatave për grupkapitujt përkatës.

Zoti Rama tha se kjo erdhi për shkak të “problemeve bilaterale” që u transpozuan në politikën europiane, ndërkohë që duhet thënë se një element tjetër është edhe kriza politike në vend. Si suplement në këtë truk propagandistik ka ardhur edhe një “debat” mes Gjermanisë dhe Greqisë për këtë çështje duke qenë se Berlini konsideron se për negociatat vendet duhen vlerësuar për reformat dhe jo çështjet dypalëshe. Mirëpo Greqia ka cilësuar me forcë se çështja “Beleri” është çështje europiane sepse kemi të bëjmë me një aspekt të shtetit të së drejtës.

Siç shihet një trill i nisur në zgjedhjet e fundit mori dhenë e u shndërrua në problem diplomatik për Shqipërinë.

Në këto kushte ka nisur të analizohet kjo që po ndodh duke e zgjeruar kontekstin e saj dhe duke e vështruar çështjen Beleri si një episod të përballjeve më të mëdha. Por se cilat janë këto interesa, se çfarë po luhet e kështu me radhë askush nuk di ta thotë. Në eventualitetin e çdo gjeopolitike ne do të mbetemi në mëshirë të intuitës së njërit apo tjetrit, në mëshirën e analizave pa informacion real që në fund të fundit, nisur nga ecuria e këtij vendi, provojnë se janë pa bazë.

Sepse mjafton vetëm fakti që “në Tiranë paratë bëjnë përherë punë”, siç thotë një shprehje e kohës së Monarkisë, të bën të mendosh se pozicionimi gjeopolitik i Shqipërisë është një fiksion jashtë pozicionimit të qartë të shqiptarëve që janë për Perëndimin. Raportet e fuqive në këtë vend variojnë nga shumë rrethana, por nuk mundet dot dikush sot të gjejë një dokument të besueshëm, profesional ku të referojë politikën e qeverisë së sotme dhe asaj të djeshme.

Dhe çdo atribuim interesi, synimi etj., që anashkalon interesin personal të kryeministrit dhe atë të imazhit, priret të dështojë. Zoti Rama nuk një politikë të jashtme që shkon përtej promovimit personal. Politika zyrtare, e deklaratave dhe e angazhimeve të qeverisë së tij nuk dallon nga ajo e paraardhësit të vet. Dallimi nëse është, është vetëm një: z. Berisha merrte vendime të vështira. Pavarësisht cilësisë së tyre.

Në qasjen e z. Rama ndaj rajonit ka vetëm një udhëzues: ideja që ai drejton bashkimin, procesin e paqes, është garant I saj dhe instrument i politikës së Perëndimit. Dhe e bën këtë edhe duke shkelur mbi të drejtat e një vendi si Kosova, kur flet në emër të saj. Dhe e bën këtë sepse kanë rënë dakord që ta luajë këtë teatër në të cilin është asgjë më shumë se një kukull tërheqëse.

Në raport me Greqinë z. Rama ka fituar shqisën e djallëzisë qëkurse arriti me ankimimin e marrëveshjes së detit në Gjykatën Kushtetuese të gjente një varkë shpëtimi propagandistik pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2009. Dhe që nga ajo kohë z. Rama mesa duket kuptoi se në raport me Greqinë, një pjesë e opinionit ka nevojë të shohë “beteja”, “fitore”, “polemikë”, që “grekëve t’u thyhet hunda” e kështu me radhë. Është kjo një ndër arsyet pse z. Rama e menaxhoi ashtu si e menaxhoi çështjen “Kacifas”, pse shpiku çështjen e kishës së Shën Thanasit, pse fliste për gravurat e Athinës, pse ndërpreu negociatat e vitit 2018, pse zgjodhi të çonte në Hagë marrëveshjen e detiti përkundër sugjerimeve të bëra. Dhe edhe për këtë arsye, përveç humbjes poshtëruese në zgjedhje, ai vazhdon çështjen “Beleri”.

Zoti Rama e di shumë mirë që do të kishte kosto çdo humbje e perceptuar ndaj grekëve dhe nëse ka një gjë që z. Rama nuk ia lejon vetes, është zhgënjimi edhe në këtë fushë, pas bindjes së përgjithshme se qeveria e tij është qeveria më e korruptuar në 30 vjet. Duhet një oaz suksesi në këtë llurbë që quhet Shqipëria politike. Është naivitet të kërkosh ndonjë strategji, skemë, apo synim afatmesëm të z. Rama në raporte me fqinjët. Është kompleksi i një njeriu të vetëm që ka sjellë situatën deri këtu. Nëse do të ishte ndryshe, pala greke nuk do të ofronte ekspozita për piktorin kryeministër, as edhe do të vinte kryeministri grek në Dropull.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Po ne fakt po te ishte shqiptar gjykata do ta lironte nga masa e sigurise nje njeri qe eshte arratisur dy here? Pyetja eshte cfare duhet te beje gjykata dhe jo cfare mund te beje Edi Rama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.