Vjenën e bëri të rëndësishme Arsimi!
Revista “Foreign Policy” publikon së fundmi një recencë të shkurtër të librit të historianit britanik, Richard Cockett, “Vjena: Si e krijoi botën modern qyteti i ideve”. Shënimi mbi librin thekson rolin e kryeqytetit austriak në idetë kryesore intelektuale të Perëndimit, të paktën që nga fillimi i shekullit të 20-të e deri në mesin e tij. Libri ka rreth 500 faqe dhe ai ndërton një pretendim që mund të kundërshtohet, por që në çdo rast një e vërtetë mbetet: Vjena tejkalon Austrinë.
Ajo çfarë ka rëndësi në këtë parashtrim shkencor është premisa e suksesit të këtij qyteti që quhet edhe Qyteti i Ideve.
Së pari Cockett përshkruaj mjedisin arsimor në fillim të shekullit të 20-të që çoi në krijimin e mendimtarëve të mëdhenj vjenezë; së dyti ai nënvizon ngritjen në periudhën mes dy luftarve të Vjenës së Kuqe në vitet 1918-1934 kur ajo u drejtua nga socialistët dhe së fundmi kontributet e austriakëve që ikën pas bashkimit të Austrisë me Gjermaninë më 1938
shkruan revista.
Siç shihet në plan të parë del arsimi, shkolla dhe mjedisi që ushqen një edukimi që dora-dorës rrit peshën e qytetit në çështje të ideve. Është pra një premisë që “qyteti të dialogojë” përpara sesa të globalizojë përvojën e vet intelektuale. Dhe këtu vjen në vështrim edhe një rrethanë fatlume që përcakton shumë.
Në fillim të shekullit të 20-të mësimi zhvillohej në institucione kryesore arsimore si Universiteti, por edhe në kafen dhe ga mësues privatë. Rezultati ishte një angazhim ndaj “mendimit eksakt”, term që i atribuohet matematikanit Kurd Godel, e që i referohet fokusimit të vjenezëve mbi saktësinë metodologjike dhe aplikimit të mendimit racional, shkencor…Mendimi vjenez përcaktohej po ashtu nga ndjekja e dijen ndërdisiplinore dhe “përqafimi i lirë i hetorodoksisë intelektuale dhe pluralizmit politik”, që personifikohet më së miri te filozofi dhe mjeku Ernst Mach që pajtoi disiplinat e tij dhe ndihmoi në frymëzimin e një brezi shkencëtarësh dhe shkrimtarësh
vijon revista.
Gërshetimi i një metodike të qartë me lirinë për të pranuar nga të gjitha fushat, pa rënë në dogmatizëm përcakton një mjedis ideal thuajse dhe pjellor për idetë dhe njerëzit që kanë prirjen për to. Çfarë e bën spektakolar këtë inkuadrim të Vjenës është fakti se madhështia e saj nuk kërkohet te godinat dhe trashëgimia monumentale, por tek njerëzit e mendimit dhe artit. Ka një diferencë thelbësore këtu që vendos në një linjë krahasimi afrimin ndaj “modelit” si turist dhe si kërkues. Nga ana tjetër suksesi i Vjenës matur nga arsimi dhe sidomos aftësia për të qenë mendjehapur, është një shpresë e madhe për çdo vend, sado i vogël dhe i madh. Sepse është fare e qartë se në shekullin e informacionit, të inteligjencës artificiale, malli më i kërkuar do të jetë Mendja. Aftësitë.
Është një shpresë pozitive që sugjeron që vende në ndërtim si Shqipëria – në ndërtim urban po themi – mund të marrin modelin më të mirë për të krijuar një të ardhme të mundshme dhe madje të suksesshme e cila nuk kalon detyrimisht nga megalomania e ndërtimeve të larta apo ndërtimeve që konkurojnë vetëm me madhësi.
Qyteti në fakt asociohet kryesisht me Dijen dhe punët e kualifikuara, që këtej edhe Etika e dallueshme e tij prej jetës rurale. Ndaj edhe investimi në Arsim duhet të jetë aspekti kryesor strategjik i kësaj shoqërie nëse do dhe di të sigurojë ekzistencën e vet si kulturë.
Mund të tingëllojë absurde një gjë e tillë, por mjaft vende kanë bërë kapërcime thelbësore në hakrun e pak kohëve vetëm përmes vendimeve të qarta të pak njerëzve. Estonia është një shembull që sillet përherë kur vjen puna te dixhitalizimi. Dhe është mjerim I vërtetë që shqiptarët ta zëmë janë në tre shtete dhe nuk kanë institucione arsimore të referueshme. Është mandej dyfish mjerim kur sheh zengjinët e rinj të këtij vendi që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër veçse t’I çojnë fëmijët jashtë edhe pse këtu bërtasin se po punojnë për gjeneratën tjetër.
Patjetër që nuk ka ende në Ballkan një Vjenë dhe me gjasë nuk do të ketë. Por Selanik ka patur, Voskopojë po ashtu sikundër ka patur edhe shembuj të tjerë në vende fqinj, që sot janë mbërthyer në darën e plaçkitjes. Ka edhe Tiranë, shembull sesi nuk duhet të jetë një qytet, sesi nuk duhet ndërtuar dhe sesi prishet një shoqëri.
Në fund është edhe çështje kostosh: arsimi edhe mund të kushtojë ca, por në botën e sotme Të Mësuarit është falas. Dhe në kohë reale. Çështja është te ambienti që krijon.
s.zaimi
Comments
fiks.po arsimi nuk sjell vota
fiks.po arsimi nuk sjell vota.eshte investim per breza.po kush ka kohe te pres brezat.i duam tani i duam sot.
Add new comment