Evolucioni/Ndoshta trurin do ta përdorim për diçka tjetër
Një intervistë interesante dhe me sqarime të nevojshme. Jean-Jacques Hublin, paleoantropolog shumë i njohur frëng, flet për El-Pais në një bisedë që hedh dritë mbi çështjet kryesore të disiplinës së tij, por edhe shyrtimit të kujdesshëm terminologjik të zbulimeve të herë pas hershme që në media kalojnë për ngjarje sensacionale.
Evolucioni për aq sa i intereson një njeriu të zakonshëm, sipas Hublin, është mirë të kuptohet si një histori zhdukjeje e specieve, jo vetëm e ndryshimeve përshtatëse. Dhe me daljen në skenë të Inteligjencës Artificiale ka një mësim tjetër shumë të rëndësishëm: Njeriu po bën tani, në një shkallë shumë më të thelluar atë që bëri dikur me shkrimin: Përjashtëzoi Memorien e vet. Dhe duke qenë se evolucioni i parë nga perspektiva e konsumit të energjisë, te Homo sapiensi është në fakt një histori e zgjerimit të bazës energjetike me ushqim, gatim etj., në mënyrë që truri të konsumojë sa më shumë, sot me transferimin e aftësive tona tek IA, vetiu shtrohet çështja thememlore: për çfarë do ta përdorim Trurin? Pyetje që nuk lidhet edhe aq me funksionet bazike ku ai vepron si softi orientues i një hardware që është Trupi, por si entiteti bazë në themel të evolucionit. Cili është pra hapi tjetër?
***
Çfarë do të thotë t’i përkasësh një specieje njerëzore dhe çfarë është ekzaktësisht specia njerëzore?
Nuk mendoj se ka vetëm një përgjigje shkencore: ka edhe një metafizike. Ne do të na pëlqente të kishte një kufi të qartë mes njeriut dhe jo-njeriut. Në fakt, për mijëra vjet, të gjitha kulturat kanë përkufizuar këtë kufi mes botës së njeriut dhe botës së kafshëve, që i takon natyrës. Por zbulimi i evolucionit i nxiti shkencëtarët të vinin në diskutim këtë linjë. Është interesante, pasi nëse kthehemi pas në shekujt ‘19-‘20, i gjithë obsesioni ishte për të gjetur të ashtuquajturën lidhje të munguar…një lloj ndërmjetësi mes botës së primatëve dhe asaj të njerëzve. Megjithatë, fosilet e refuzojnë këtë histori.
Sot ne vijojmë të përballemi me këtë vështirësi - kur vjen puna për të përcaktuar – se çfarë do të mund të quanim “njeri” në krahasim me hominidë të tjerë. Ka gjithëfarë lloje përfaqësuesish të genusit Homo: Homo habilis, erectus, sapiens. Por në të vërtetë, kufiri është shumë më pak i qartë sesa do të na pëlqente ne. Në paleoantropologji ka një prirje për të humanizuar sa më shumë të jetë e mundur çfarë ne konsiderojmë të jetë në “anën e mirë” të kufirit. Për mua, kjo çon në një vështirësi të madhe: nuk ka një pengesë të madhe mes njeriut dhe jo-njeriut. Logjike nga pikëpamja e evolucionit.
Ju keni shkruar se njeriu nuk vjen nga majmuni, por më tepër është një majmun.
Një lloj shumë i veçantë majmuni, po. Por është e vërtetë se ku ne shohim primatët e mëdhenj sot dhe marrëdhënien që kanë me njëri-tjetrin në terma të afërsisë dhe paraardhësve të përbashkët – ndonëse jo në pamje – ne kuptojmë se njeriu është më afër me shimpazenë sesa shimpanzeja është me orangutanin.
Nga aspekti shkencor nuk ka shumë kuptim të të vendosësh orangotanët, gorillat, shimpanzetë apo bonobos në një grup të majmunëve të mëdhenj dhe njerëzit në një grup tjetër, për shkak se njeriu është shumë afër me ta. Ne mund të themi se njerëzit janë majmunë të mëdhenj shumë të veçantë, që kanë fituar karakteristika origjinale. Është po ashtu e rëndësishme të kujtohet se përkatësia në një lloj nuk duhet ngatërruar me ngjashmërinë në pamjen e jashtme.
Ju e përkufizoni Homo sapiensin si specie jetime dhe invazive. Si mund të jetë kështu?
Për miliona vjet – pasi ne dimë se evolucioni I hominidëve merr diku mes gjashtë dhe tetë milionë vjet – kishte specie të ndryshme që bashkëjetonin. Disa herë në numra me të vërtetë impresionues. Në tërësi, ne njohim 30 specie hominidësh që disa herë jetuan së bashku në të njëjtat rajone. Kjo është diçka që është shumë e vështirë ta imagjinojmë sot, pas për ne, përmbi të githa njeriu është unik. Ne jemi të njëjtët kudo, ne jemi një specie shumë homogjene. Por kjo situatë ka ndodhur vetëm në një periudhë shumë të vonë, pasi në një shkallë gjeologjike 40 000 vjet janë asgjë. Në atë kuptim, ne jemi një specie jetime, për shkak se të afërmit tanë janë zhdukur. Dhe ne jemi invazivë sepse specia jonë, Homo sapiens, ka kolonizuar të gjitha mjediset natyrore të mundshme, ato që janë të banueshme dhe ato që banohen me vështirësi, si zonat arktike, shkretëtirat dhe malet. Asnjë specie nuk e ka arritur këtë përpara nesh.
Ne jemi invazivë pasi specia jonë vendos konkurencën me specie të tjera, duke çuar në fund të fundit shumë prej tyre në zhdukje. Dhe kjo është ajo çfarë bëjnë shumë prej specieve që ne i konsiderojmë invazive. Ndikimi i specieve mbi një mjedis nuk është një karakteristikë unike e sapiensit, ka ekzistuar më parë…por ne e kemi çuar atë në maksimum. Në vend të adaptimit ndaj mjediseve të ndryshme, njeriu ia përshtat mjedisin nevojave të veta.
Së pari, e kanë bërë këtë në një shkallë më të vogël, përmes zjarrit, veshjes etj.. Ndonëse edhe në kohët e gjahtarë-grumbulluesve, ka patur modifikime mjedisore në shkallë të madhe, sidomos për shkak të përdorimit të zjarrit për të modifikuar peizazhet dhe gjithashtu falë ndikimit mbi faunën. Aktualisht, specia jonë ka marrë nën kontroll total planetin, duke shkaktuar ndryshime dramatike, si ato që lidhen me klimën. Ka shumë mësime nga e kaluara: sapiensi mbërriti në Australi dhe megafuana u zhduk. Ata mbërritën në Europë dhe Neandertali u zhduk. Ata shkuan në Amerikë dhe megafauna po ashtu u zhduk
A jemi ne ekspertë në shkatërrimin e mjedisit tonë?
Nuk e di nëse do të përdorja fjalën “shkatërrim”, ndoshta për shkak se jam optimist. Mendoj se ne mund të nxjerrim dy mësime të mëdha nga ajo çfarë dimë për evolucionin njerëzor.
Një është se njeriu modifikon mjedisin e tij…dhe kjo nuk është diçka që ka ndodhur vetëm për shekuj, ka nisur 2 milionë vjet më parë. Në mënyrë që të flitet për botën natyrore, ne duhet të heqim qafe tërësisht hominidët.
Mësimi i dytë është se njerëzimi ka nevojë të marrë energji nga bota rreth vetes dhe ta përdorë atë për të ndryshuar botën. Çelësi është nëse kjo bëhet në mënyrë destruktive apo në mënyrë inteligjente.
Shumë pre-historianë vlerësojnë se mungesa e provës nuk është domosdoshmërisht provë. Ata pretendojnë se ne kemi një vështrim shumë të njëanshëm të së shkuarës, për shkak të asaj që mund të jetë zhdukur përgjatë miliona viteve dhe asaj çfarë nuk është mundur të gjendet. Është kështu?
Përdor shpesh një metaforë që mendoj se përmbledh përpjekjen tonë për të kuptuar prehistorinë e largë: një i pirë shikon për çelësat e tij në ndriçimin e rrugës, pasi është i vetmi vend me dritë. Ka gjëra rreth të shkuarës të cilat ne nuk i dimë dhe me siguri nuk do t’i dimë ndonjëherë. Ne nuk e dimë pse ata vizatuan mbi muret e shpellave, si dëgjohej gjuha e të vjetërve. Shumica e madhe e materialit është zhdukur. Vetëm një pjesë e vogël është ndriçuar, ndërkohë që pjesa tjetër do të mbetet në errësirë përgjithnjë.
Mendoni se do të zbulojmë gjëra që deri më tani kanë qenë në errësirë?
Po. Paleoantropologjia është një shkencë shumë e vonët. Njerëzimi merret me matematikën prej mijëra vjetësh, por paleoantropologjia shkon pas deri tek e djeshmja; filloi në mesin e shekullit të 19-të. Kjo shpjegon pse kanë ndodhur kaq shumë revolucione në mënyrën sesi konceptohet evolucioni njerëzor, pasi ka patur shumë zbulime në shumë pak breza. Por kërkuesit dhe publiku duhet të paralajmërohen kundër një njëanshmërie në dokumentim: sitet ku janë gjetur fosilet e hominidëve ndodhen në rajone ku këto lloj mbetjesh janë ruajtur për arsye të lidhura me gjeologjinë dhe klimën. Kur ne shohim një hartë që tregon shpërndarjen e këtij apo atij grupi në të shkuarën, ajo çfarë ajo na tregon janë sitet në të cilat janë shfaqur fosilet, por e nuk e dimë nëse këto site pasqyrojnë një portret të besueshëm të së shkuarës.
Për një kohë të gjatë, besonim se kishte australopithekë në Afrikën lindore apo jugore. Kjo sepse të gjithë shkonin të kërkonin aty për fosile. Nëse investon shumë para në një fushatë gërmimesh, ti do të kthehesh me diçka dhe kjo është më e lehtë të arrihet në vende ku kemi patur fat në të shkuarën. Por befas Australopithecus africanus u shfaqë në Çad, shumë larg nga ato rajone.
Thënë kjo, nuk jam shumë optimist për idenë se zbulime të reja mund të ndryshojnë tërësisht optikën tonë mbi të shkuarën. Ne i hasim shpesh këto lloj titujsh në shtyp, por në realitet është jashtëzakonisht e rrallë që të ndodhin këto kapërcime…
Nuk mendoni se p.sh sekuencimi i ADN-së e Neandertalit dhe zbulimi se homo sapiens ka një përqindje të gjeneve të Neandertalit përfaqësojnë një revolucion të vërtetë?
Sigurisht, por këto janë revolucione metodologjike. Revolucionet ndodhin në këtë sens: ne papritur zbulojmë një teknikë të re që mund të zbardhë diçka që ne nuk e njihnim. Është e vërtetë se fusha e paleogjenetikës ka mundësuar zbulimin e gjërave të jashtëzakonshme mbi sjelljen riprodhuese të hominidëve që jetuan 50 000 vjet më parë, por çfarë unë besoj është se ka një përshtypje të paqenë se kur ndodh një zbulim i ri, kjo papritmas ka kuptimin se çfarë ne dinim deri më tani u fshi…Por shkenca nuk funksionon kështu: lëviz me shtesa pasuese dhe korrigjime. Është një ndërtesë që rinovohet në mënyrë konstante, është gjithmonë në ndërtim. Ne nuk e shkatërrojmë godinën ta zëvendësojmë atë me një tjetër.
Por zbulimi në veriun e Marokut i sapiensëve antikë ndryshon historinë. U përcaktua se specia ishte shumë më e vjetër sesa mendonim, ndërkohë që tregonte se shfaqej në vend ku kërkuesit nuk kishin kërkuar kurrë më parë.
Më duket se është një shembull shumë domethënës. Megjithatë në një farë shkalle, ky zbulim është i integruar në atë që e kemi ditur prej kohësh: se specia jonë ka një origjinë afrikane. Ta thuash këtë duke fare banale, por deri së fundmi, ne nuk e imagjinonim fare se specia jonë kishte këtë origjinë. Paleoantropologjia është një shkencë që lindi në Europë dhe në fillim të shekullit të 20-të mendohej se sapiensi kishte lindur po aty.
Nga ana tjetër, është e vërtetë se një zbulim i tillë vë në pikëpyetje një model që ka qenë në fuqi për shumë kohë: se ka patur një lloj Kopshti të Edenit në perëndim dhe jug të Afrikës, ku ndodhen speciet më të vjetra të Homo sapiensit. Megjithatë ky zbulim tregon se forma të Homo sapiensit ekzistonin shumë larg nga këto site. Një tjetër gjë që ka ngritur dyshime mbi këtë zbulim është vetë ideja e Homo spaiensit. Ata janë të tillë sepse kanë një seri karakteristikash të veçanta për specien tonë, sidomos në dhëmbët e tyre. Por në të njëjtën kohë, ata kanë karakteristika të ndryshme, shumë primitive. Ata janë sapiensë, por nuk janë njerëz modernë.
Antropologët shpesh përdorin termin “njeriu modern”, por unë nuk e pëlqej. Çfarë do të thotë kjo? Që janë njerëz si ne për shkak të aftësive konjitive, sjelljes, anatomisë? Në realitet, ka diçka që quhet evolucion…dhe nuk ka ndalur asnjëherë te specia jonë. Sapiensët që jetuan 100 000 vjet më parë janë sapiens, por nuk janë tamam si ne. Mund t’i quajmë “modernë” nëse duam. Por jana ata të tillë? Nuk e di. Ata që jetuan 300 000 vjet më parë janë edhe më të ndryshëm…
Pse mendoni se ne jemi kaq të mahnitur nga Neandertalët? Është kjo për shkak të idesë se ka shumë mënyra për të qenë njeri?
Ata na mahnisin por ata po ashtu janë subjekt I një debati dhe kundërthënieve të pafundme. Mendoj se kjo vjen për shkak se Neandertalët janë hallka e fundit në pemën e evolucionit. Dhe kjo prodhon një efekt skizofrenik te ne: nga njëra anë ne duam të lidhim veten me Neandertalët pasia ta ishin hominidët me tru të madh dhe sjellje të jashtëzakonshme. Por nga ana tjetër, është e qartë diferenca mes tyre dhe nesh nga pikëpamja e funksioinimit të trurit, gjenetikës…
Pse u zhdukën?
Janë më të afërmit e Homo sapiensit. Të bën përshtypje që një specie që ia doli të mbijetojë për 400 000 vjet përfundon e zhdukur në një periudhë relativisht të shkurtër. Evolucioni është historia e një zhdukjeje të madhe. Ne shpesh mendojmë mbi evolucionin si ndryshim i pandalshëm, si shndërim i species në gjëra të tjera. Në realitet, çfarë ndodh në evolucion -dhe kjo është diçka që e shohim shumë qartë tek hominidët – është se jeta përpiqet të përshtatet në çdo mënyrë të mundshme ndaj kushteve të ndryshme, por në fund, shumica e specieve zhduken. Është e vërtetë se ka kërpudha apo peshkaqenë që nuk kanë ndryshuar për një kohë të gjatë. Por – dhe është një fjalë për të cilën nuk është se çmendem – speciet “më të zhvilluara” priren të kenë një jetëgjatësi më të shkurtër.
Në leksionet tuaja ju shpjegoni se truri konsumon një pjesë shumë të rëndësishme të energjisë sonë si qenie njerëzore dhe se kjo ka shenjuar evolucionin shumë qartazi. A mundet inteligjenca artificiale ta ndryshojë këtë?
Mendoj se është një çështje shumë interesante. Evolucioni mund të rrëfehet përmes energjisë për të cilën ka nevojë truri, një organ që konsumon jashtëzakonisht. Për një të rritur truri konsumon 20% të energjisë, por te një fëmijë gjashtë vjeçar konsumon 60%. Çfarë ka ndodhur përgjatë evolucionit njerëzor është se ka patur burime të jashtme për disa funksione për të ruajtur energjinë. Së pari, përmes proceseve mirëfilli mekanike si tranziconi drejt bipedalizmit(ecja me dy këmbë) që është shumë më ekonomike nga një pikëpamje e energjisë. Gjithashtu, për shkak të gjithaçkaje që rrethon ushqimin: ne shpikëm vegla që na mundësojnë të gjuajmë, presim, copëtojmë mishin dhe më pas të gatuajmë, çka na mundëson sasi të jashtëzakonshme energjie në sistemin tretës si dhe ndryshime në dhëmbët tanë. Ata nuk ka pse të jenë më aq të fuqishëm, pasi këto janë ushqime që konsumohen lehtësisht. E gjithë energjia që ruajmë investohet në tru.
Me shkrimin – edhe në të shkuarën me vizatimet mbi muret e shpellave – ne përjashtëzuam një pjesë të kujtesës sonë. Platoni ishte i shqetësuar për këtë qysh atëherë. Ai thoshte se në të shkuarën e lashtë, njerëzit dinin shumë gjëra përmendësh dhe nuk kishin nevojë të mësonin pasi çdo gjë ishte shkruar. Dhe në një periudhë shumë të shkurtër të kohës sonë, ne kemi shkuar shumë më tej me këtë proces. Kur na bëjnë një pyetje, refleksi ynë i parë është të kërkojmë në telefon, në Wikipedia apo Google. Ne kemi transferuar jashtë vetes – te kompjuterët - aftësinë tonë për të llogaritur. Dhe tani, kemi nisur të transferojmë pjesë të inteligjencës sonë drejt sistemeve të Inteligjencës Artificiale. Në fund, ndoshta do ta përdorim trurin tonë për diçka tjetër.
Burimi: El Pais
Përkthimi dhe hyrja shqip: Skerdilajd Zaimi
Add new comment