Athina më ndihmoi të njoh më mirë grekët e shqiptarët

Postuar në 23 Nëntor, 2023 15:49
Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako

 

Me Kristo Armando Gezon, jam takuar për herë të  parë  në  janar të  vitit 2015 në  Athinë, më  pak se një vit pas botimit të romanit të tij të parë “Balta”, ku ai njohu një sukses të menjëhershëm. Përtej kërshërisë letrare, ajo çka më shtyu më  tepër ishte origjina e tij himarjote në  kombinim me moshën e tij shumë të  re. Vitin e botimit të Baltës ishte veçse 26 vjeç, që  nënkuptonte se fillimi i shkrimit të  Baltës, kish nisur shumë  herët.  “Balta” erdhi për lexuesin shqiptar në prill të vitit 2021 nga Botimet “Pika pa sipërfaqe”, një shtëpie që i shkonte kapak natyrës së librit dhe që atëherë, Kristo e ka vizituar disa herë Tiranën, duke i shtuar Baltës lexuesit e saj shqiptarë të zellshëm, krahas atyre grekë. Kristo është autor i disa librave në  greqisht,  “Balta” dhe “Shilarësi” (përkthyer dhe botuar për qëllime studimore, nuk ekziston në tregun e librit) dhe i vëllimeve poetike “Frikëra të  papërmbushura”, “Të  gjitha çadrat janë të  tejdukshme”, të  cilat priten gjithashtu të botohen në shqip, si dhe i romanit më të  fundit “Gjylpëra humbi”.

***

Kur u botua romani juaj i parë «Balta» (Botimet Melani, 2014), ju kaloi atëherë ndërmend ideja e përkthimit të tij në gjuhën shqipe? Krejt rastësisht, gjuha e parë që u përkthye libri ishte njëmend shqipja, ndërsa së fundi u botua edhe në frëngjisht. A s’ përbën në një farë mënyre një rastësi fatale, që “Balta” u përkthye fillimisht në gjuhën e vendit ku keni lindur ju dhe protagonistët tuaj?

“Balta” është një libër i vështirë që nuk nxit botuesit nga pikëpamja komerciale. Pra, ishte më e thjeshtë të përkthehej fillimisht në vendin ku linda dhe që për më tepër i referohem shumë shpesh në libër. Fatkeqësisht, kur u botua “Balta” (2014) në Greqi, situata ekonomike në vend ishte në buzë të greminës dhe përkthimi i letërsisë ishte gjëja e fundit që i interesonte shtetit dhe institucioneve përkatëse.

Duke marrë shkas nga botimi i fundit i Baltës në frëngjisht, përkthyesja franceze u ndesh me vështirësi të mëdha në përkthimin e fragmenteve të shkruara në dialektin himariot?

U ndesh me shumë vështirësi, por mendoj që nuk ishin pjesët e shkruara në dialektin himariot, që e preokupuan veçanërisht. Për më tepër dialekti himariot është i kuptueshëm për grekët, madje më i kuptueshëm nga shumë dialekte të tjera të provincës greke. Ajo çka përkthyesja u përqëndrua më shumë dhe që më shtyu edhe mua t’u kushtoj disa detajeve kujdes më të madh, ishte etimologjia e disa fjalëve. Për shembull, fjala πετροκλώσης (petroklosis - okllai në shqip) që e përdorim në Himarë, është një fjalë e mrekullueshme që ndoshta është krijuar nga bashkimi i fjalëve πέτουρα (peta në shqip) dhe κλώθω (tjerr). Pra, si të krijosh një pëlhurë me brum, më duket gjetje shumë e bukur.

Një pjesë e madhe e librit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, pjesa më e rëndësishme do të shtoja, i referohet vendlindjes suaj Himarës, që në libër mban emrin Dhrepeni. Thuajse të gjithë personazhet, e kanë origjinën prej andej. I vetmi personazh nga Greqia, është e dashura e protagonistit tuaj, Sandos.

Krahina më e gjerë e Himarës në bazë të ndarjes së vjetër administrative, përbëhet nga qyteza e Himarës dhe shtatë fshatrat e saj, ku dy prej tyre bashkë me fshat-qytezën Himarë, janë greqishtfolës. Kur debati mes dy vendeve, Greqisë e Shqipërisë merr përmasa politike, tensioni politik përqëndrohet vetëm në qytezën e Himarës. Vetë himariotët, si e përcaktojnë veten e tyre në relacion me himariotët e tjerë, greqishtfolës dhe jo?

Është e vërtetë, që zona gjeografike e Himarës shkakton shpesh keqkuptime. Nuk e njohin shumica e njerëzve në Greqi, por besoj që edhe në Shqipëri nuk e njohin aq mirë. Unë jam nga qyteza e Himarës ose fshati, varet si e sheh çdokush: Himara përbëhet nga Kambi (Himara e sipërme) dhe Spileja (pjesa bregdetare). Zakonisht ne himariotët, quajmë himariotë vetëm ata që janë nga qyteza-fshati i Himarës, jo nga fshatrat rrotull. Lokalizmi është tipar dallues i zonës. Të tjerët i quajmë dhrimadhiotë, qeparjotë, etj. Në qytezën e Himarës vendasit kanë si gjuhë amtare greqishten, dialektin himariot që përdora në librin tim “Gjylpëra humbi”. Gjuhën shqipe  e mësojnë në shkollë. Ndaj dhe nuk arrita të mësoja shqip, mbasi erdha shumë i vogël në Greqi dhe ngaqë mes nesh në familjen tonë, flitej gjithmonë greqisht. Pra, nuk është se zgjodha të mos mësoj shqip apo që prindërit e mi enkas nuk më flisnin shqip. Im atë e njihte mirë shqipen dhe madje edhe në Greqi ndiqte kanale shqiptare, që të informohej (TVSH me saç). Për më tepër kishte studiuar dhe jetuar në Tiranë për disa vite.

Ndryshimet mes fshatrave të Himarës shfaqen edhe brenda pak kilometrave. Madje, edhe greqishtja e Dhërmiut është e ndryshme nga ajo e Himarës. Në fshatin ngjitur, në Pilur, flitet shqip. Po ashtu edhe në Kuç, që me ndarjen e re administrative të 2015-s, iu bashkangjit zonës së Himarës. Im vëlla është martuar me një vajzë nga Kuçi dhe kur shkova për herë të parë atje, para ndarjes së re administrative, shumë i ri në moshë, m’u duk sikur vizitova një vend të huaj. Por, marrëdhëniet janë të mira dhe po bëhen më të forta me kalimin e kohës, edhe për shkak të benefiteve ekonomike të turizmit.

Te “Balta” shkruani: “në thelb këta dy popuj s’janë veçse një variant i masivizuar i përrallës me princin e të varfrin, që janë vëllezër të humbur”. Ju u rritët në provincën greke, konkretisht në Skala të Lakonisë dhe më vonë shkuat për studime në Athinë, ku jetuat për shumë vite. Ishte e dukshme kjo ngjashmëri mes dy popujve kur jetonit ende në provincë apo u bë më e dukshme kur u vendosët në Athinë, për shkak të këndvështrimit të ndryshëm, që të ofrojnë qendrat e mëdha urbane?

Gjithçka u bë më e qartë për mua kur vajta në Athinë, pasi njoha më mirë edhe veten, por edhe grekët e shqiptarët. Në fshat ishim 3-4 familje nga Himara dhe po kaq nga fshatra të tjera të Shqipërisë së veriut e të jugut, pra kampioni tregues ishte shumë i vogël. Qyteti të ofron mundësi njohjeje nga mëditësi e gjer te intelektuali dhe kjo gamë e gjerë të ndihmon të thellohesh mbi ngjashmëritë e antitezat në shumë sektorë.

“Herën e fundit që shkove, ishte para tre vjetësh, pas dhjetë-dymbëdhjetë vjetësh refuzimi ngulmues që të ndiqje të tjerët në udhëtimin e tyre të zakonshëm veror e kthimi të përkohshëm”. Përse Sando refuzonte të ndiqte të afërmit në udhëtimin veror pas në atdheun e tyre? Në çfarë moshe vizituat Himarën, që nga koha kur familja juaj vendosi të emigrojë në Greqi? Cilat ishin ndjesitë tuaja?

Sepse vendi vlonte ende nga traumat e makthet. Kur nuk mund ta shohësh diçka, qoftë kur bëhet fjalë për vend, qoftë për njeri, me kriteret që do deshe, vigjëlon gjithmonë dhimbja e zhgënjimi. Vitet e para shkonim gjithmonë në Himarë, pastaj më rrallë. Çrrënjosja ishte ende e freskët. Madje në fillim, qëndruam për një kohë të gjatë në Himarë, me perspektivën e kthimit përfundimtar (nuk kam kujtime nga kjo periudhë, se isha ende shumë i vogël). Mesa duket ky plan nuk funksionoi dhe u rikthyem në Skala, me një njohje më të qartë të gjërave.

“Atëherë dëgjonim emrin Greqi e qanim, na rrëmbusheshin sytë, na rastiste ndonjë radio dhe e vinim të dëgjonim lajmet në greqisht e na rridhnin lotët, e kishim Greqinë si parajsë, ndaj dhe flisnim vetëm greqisht në shtëpi, që të ngjanim si grekët, thoshim do shkojmë atje për bukën e gojës e do të na mbajnë si vëllezër, po ku ta dinim të vërtetën e shkretë, tani tata yt s’do t’u shohë bojën, njonjo thotë e i shan gjithë ditën."

 Zgjodha këtë paragraf për dy arsye. Së pari, sepse tregon lidhjen e veçantë që familja juaj kishte me gjuhën greke e Greqinë para rënies së sistemit, dicka që vlen për shumicën dërrmuese të grekëve e greqishtfolësve në Shqipëri dhe së dyti, ajo çka shkruani “që të ngjanim si grekët” mund të interpretohet në mënyrë të gabuar nga lexuesi grek e shqiptar, duke shkaktuar një lloj konfuzioni. Përse zgjodhët “të ngjanim”?

Fjala e përzgjedhur ka kuptim lojacak, teatror, atë të diferencimit. Ishte një përpjekje rikujtese nga ana e tyre, e cila mbetej e cunguar, gjysmake, larg mëmëdheut dhe lidhjes e pranimit, që kërkohen për ruajtjen e një identiteti. Në Greqi, për shumë vite nuk kishim asnjë ndryshim nga të huajt e tjerë. U deshën 20 vjet që të merrnim nënshtetësinë greke, nëna ime ka katër fëmijë dhe asnjëherë nuk iu njohën të drejtat e familjeve me shumë fëmijë – madje edhe tani, kur aplikoj për punë në administratën publike, nuk kam pikë të njëjta me grekët, që kanë mbi dy vëllezër. Nga ana tjetër, në Greqi bëjnë sikur e duan Himarën dhe minoritetin grek, por në realitet s’ua ndjen fare.

Te “Balta” është i dukshëm adhurimi juaj për kinemanë japoneze. Si lindi ky adhurim? Çfarë është ajo që ju tërheq më tepër nga kinemaja në fjalë?

Ndoshta ka të bëjë me faktin, që Japonia si vend shumë lindor në terma gjeografikë, madje ishullor, është e izoluar disi nga pjesa tjetër e botës, në këtë pikë ndoshta ngjan pak me Himarën. Ka një temperament shoqëror shumë të theksuar, që shfaqet edhe në artin e saj: një përzierje dashurie, melankolie e dhune.

Sando është një lloj samuraji, që përpiqet të vetëvritet në mënyrë heroike e të lavdishme apo një vetëvrasës fiktiv sipas modelit pasiv të heronjve të letërsisë ekzistencialiste?

Samuraji shkon me Japoninë që përmenda më lart, kurse Sando dëshiron që të jetë pjesë e shoqërisë, jo të endet pambarimisht ose t’ia mbathë në formë të lavdishme – synon thjesht të sjellë më afër vetes kushtet e caktuara nga shoqëria. Në këtë kuptim, vetëm pasiv që s’është.

Fjala “balta”, përveç titullit nuk shfaqet askund tjetër në libër. Si lindi ky titull?

Desha qëllimisht që të mungonte kjo fjalë nga teksti, në mënyrë që mos të hijëzohen interpretimet e titullit nga prania e saj në libër. Titulli lindi si shkreptimë, kur libri ishte afër formës përfundimtare. Së pari e adoptova e më pas e interpretova: është balta, që shpërndahet në të gjitha drejtimet, që kërcen brenda e jashtë trupit, që krijon, por edhe përcjell te të tjerët përgjegjësira; balta ku rrokulliset protagonisti dhe që sheh si mbulon njerëzit e ndërtesat afër tij, si i hyn në rropulli në formën e ushqimit të bluar, që s’arrin ta bëjë pronë të vetes dhe e vjell në formë spektakolare; balta e kohës, mbi të cilën pluskojnë gjithë shprehjet gjuhësore të përziera, përmes të cilave ai ndërtohet ekskluzivisht.

Përveç romanit “Balta”, lexuesi shqiptar është prezantuar edhe me disa nga poezitë tuaja në librin “Antologji e poezisë bashkëkohore greke” (Botimet Berk, 2021), sjellë në shqip nga përkthyesi Sokol Çunga. Madje, lexuesi shqiptar do të ketë mundësinë të shijojë poezinë tuaj vitin e ardhshëm, përmes botimit të dy vëllimeve tuaja poetike në një të vetëm në gjuhën shqipe, po nga i njëjti përkthyes. Duke qenë, se afirmimi juaj i parë në letërsinë greke, është bërë përmes vëllimit tuaj të parë poetik “Frikëra të papërmbushura” (Politropon, 2012), ku morët dhe çmimin e Poetit të Porsashfaqur, ju jep gëzim të dyfishtë ky afirmim i dyfishtë te lexuesi shqiptar? Pra, si poet e prozator?

Natyrisht, që po. Sokoli është një përkthyes i talentuar dhe Antologjia në fjalë, përbën një punë shumë të bukur, që i nderon krijuesit grekë. Na nevojiten, më shumë përpjekje të tilla, që ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve të të dy vendeve. Pres, me padurim vëllimin tim të ardhshëm me poezi në shqip.

Romani juaj i fundit “Gjylpëra humbi”, konsiderohet vazhdimi i Baltës me mjete të tjera strukturore e stilistikore. Titulli frymëzohet nga kënga që nëna i këndon Aleksandrit/Sandos.

Τσίμπι-τσιμπιτόνι/χάθηκε βελόνι/πάω να το βρώ/ χάθηκα κι εγώ

Cak-cak-cuk /gjylpëra u zhduk/pashë mos e gjeja/humba vetë e veja

A përbën në njëfarë mënyre “Gjylpëra humbi” pjesën e dytë të një trilogjie të mundshme?

Mund edhe të ngjasë kështu. Kam shumë ide në kokë për një roman të madh, që do të rigjejë protagonistin pas shumë vitesh, në një formë të tillë që do më lejojë të trajtoj tema të reja ose të thellohem në të vjetrat.

Në hyrje të “Gjylpëra humbi”, të cilin ia kushtoni prindërve tuaj, keni zgjedhur një poezi të Pesoas, që thotë që përkufizimi i tij është një shtëpi e vetmuar, e lyer me gëlqere, në majë të një kodrine. Kohët e fundit jeni larguar nga Athina dhe jeni kthyer sërish në Skala, në fshatin ku u rritët. Cili është përkufizimi juaj?

 Është një rreth, me perimetër jo të qartë dhe me një diametër që rritet vazhdimisht  - dhe dua të besoj, me një qendër të përcaktuar qartë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.